Vitore Sallaku: Në Rusi dhe në Kinë, Skënder Sallakun e cilësuan Çarli Çapli shqiptar

Vitore Sallaku: Në Rusi dhe në Kinë, Skënder Sallakun e cilësuan Çarli Çapli shqiptar

( Flet ish-aktorja e cirkut “Mjeshtre e madhe e Punës”, intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. ZHOLI

“Jeta e Skënderit ishte e mbushur me batuta gazmore, të papritura skenike, spektakle, turne, situata komike, përplasje ideore, keqkuptime, xhirime, improvizime. Jetë, e gjitha në lëvizje. Ndaj për asnjë çast, edhe tani që po flasim nuk e besoj se Skënder Sallaku është larguar nga kjo jetë…”. Kështu rrëfen gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, bashkëshortja e aktorit të njohur të humorit, “Artistit të Popullit”, Skënder Sallaku. Akrobate, por edhe krijuese, ajo tashmë numëron 6 libra, njërin prej të cilit ia dedikon pikërisht bashkëshortit të saj. Mban titujt “Artiste e merituar” dhe “Mjeshtre e madhe e Punës”, të marrë pas ndërrimit të sistemit, pasi para kësaj, ajo figuronte si vajza e një doktori nacionalist të pushkatuar….

 

U bënë mbi 3 vjet që Skënderi është ndarë nga jeta dhe mbi një vit që ju botuat librin me kujtime për të, “Skënder Sallaku”. A ju mungon shumë ai, pasi në rrethet miqësore, asnjëherë nuk ju kishin parë veç, por gjithmonë, gjithmonë bashkë?

Më mungon? S’di si ta them. Ju thatë një të vërtetë, që ne nuk ndaheshim kurrë, kurrë. Ne ishim aq të lidhur sa nuk e mendon askush. Në çdo rrugë, lokal, teatër, cirk, operë, në çdo qoshe të Tiranës kemi kujtime të shumta. Shumë kujtime. Ndaj në çdo moment më del përpara Skënderi dhe më duket se jemi bashkë. Vetëm në ndonjë moment kur dua të marr ndonjë mendim, atëherë e ndjej se më mungon. Jeta e Skënderit ishte e mbushur me batuta gazmore, të papritura skenike, spektakle, turne, situata komike, përplasje ideore, keqkuptime, xhirime, improvizime. Jetë, e gjitha në lëvizje. Ndaj për asnjë çast, edhe tani që po flasim nuk e besoj se Skënder Sallaku është larguar nga kjo jetë. Nuk besoj që nga ne është larguar e qeshura, humori, barsoletat, gallata, shakatë, shoqëria e shumtë.  Jo vetëm unë, por gjithë miqësia e kujtojmë çdo ditë dhe qeshim… Për më te,j në tavolinën time të punës ndodhet portreti i tij, që më shikon drejt në sy dhe më përcjell atë buzëqeshjen  e tij karakteristike. Ndoshta ishin shumë kujtime, shumë ngjarje që i kisha  të freskëta në mendje që u ula dhe shkrova një libër për të. Edhe sot e qeshura e tij karakteristike duket sikur më thotë: A të them një të fundit? Sikur dëgjoj fjalët plot humor dhe pas tyre, të qeshurën e tij të fortë. Sa shumë kemi qeshur. Jeta e tij është ashtu si ka thënë miku i tij, Bujar Kapexhiu: “Jeta e një njeriu të veçantë, që Zoti, si rrallëkujt, i dhuroi një dhunti të çmuar: humorin, dëshirën e pasionin që në çdo moment, në çdo vend, në çdo rrethanë t’u japë njerëzve buzëqeshje, të qeshurën, gëzimin”. Këtë mision ai e kreu me aq devotshmëri, përherë i gatshëm, i papërtuar, entuziast. “Buzëqeshja është rruga më e shkurtër midis dy njerëzve”, e kam thënë këtë herë pas here, sepse e besoj dhe sepse kam parë përherë te Skënderi, që me njerëzit ai nuk kishte rrugë, nuk kishte distancë, qëndronte gjithnjë pranë tyre, duke mos e kursyer buzëqeshjen, mirësinë, gazin dhe harmoninë, por duke i dhuruar këto me shumë përzemërsi. Sa herë që Skënder Sallaku tregonte diçka gazmore, po aq herë ai qeshte me gjithë shpirt dhe e qeshura e tij shpërthente akoma më shumë kur bashkëbiseduesit ia shkrepnin gazit.

Kur dhe si u njohe me Skënderin? Si u lidhët kaq fort me të, sa zor të gjeje një çift të dytë?

 

Njohja jonë është shumë e veçantë, shumë specifike dhe e kujtoj me nostalgji. Vite të bukura, vite pune, vite sakrifice, vite plot humor dhe intensitet. Unë me Skënderin jam njohur në Estradën e Tiranës. Konkretisht, kam qenë para Skënderit në estradë. Kur unë isha aty, Skënderi ishte në ushtri të cilën e bënte në Estradën e Kufirit. Sa mbaron ushtrinë me këtë Estradë, Skënderin e emërojnë si aktor, në Estradën e Tiranës. Ju e keni intervistuar shpeshherë dhe e dini shumë mirë se, Skënder Sallaku, ishte akrobat, mundës, aktor humorist. Pikërisht, në Estradë kemi punuar bashkë. Aty filloi njohja jonë. Aty lulëzoi dashuria jonë. Në fillim, ne kemi qenë bashkë të dy institucionet, cirk dhe estradë. Skënderi jepte shfaqje edhe në estradë, edhe në cirk. Ne punonim të paktën 8 orë në ditë bashkë. Ka qenë puna ajo që na ka lidhur. Ne në cirk kishim shumë vegla gjimnastikore, pasi me to mbanim trupin në formë apo bënin numra të ndryshme cirku. Skënderi nuk ishte vetëm humorist, ndaj kur kishte kohë të lirë, vinte në palestër dhe bënte përgatitje fizike. Stërvitej. Madje, mund të them se  kjo stërvitje në palestër i shërbente formës së tij trupore, pasi merrej edhe me pantomimë që është pjesë e cirkut. Pantomima ka humorin në vetvete. Sa herë vinte, ne qeshnim dhe e shikonim me shumë respekt. Nuk kishte njeri që nuk e donte Skënderin. Shikoja që ndonjëherë më shikonte më gjatë dhe mundohej të më afrohej më shumë, por as që e vija re pasi ai ashtu sillej, mirë me të gjithë. Kështu, disi normale vazhdoi miqësia jonë, deri kur si trupë shkuam në Kinë. Aty filloi dhe dashuria jonë. U afruam shumë dhe flisnim për shumë gjëra. U lidhëm vetvetiu, pa e ditur nuk mund të rrinim pa njeri-tjetrin. Por kurrë nuk shprehëm ndjenjë dashurie të shprehur me shumë pompozitet. Thjesht, natyrshëm. Kur u kthyem nga Kina u fejuam. Pra, jemi njohur gjatë procesit të punës. Ishte një afrimitet shpirtëror, i pastër, i natyrshëm, pa bujë. Kështu u martuam, u lidhëm shumë, krijuam familje dhe lindëm fëmijë.

Kur e ndjeje veten keq me Skënderin?

Jo se e ndjeja veten keq, por edhe mërzitesha, pasi atë e kërkonin shumë,  e ndalonin shumë, por kishte dhe femra që e përqafonin dhe e puthnin si mikesha, si artistë të një profesioni. Mua nuk më vinte mirë, por nuk e bëja veten. Mbaj mend si sot se kur Skënderi mbaronte shfaqjen e prisnin kushedi se sa vetë pas dere vetëm për ta parë, për të folur, për ta përqafuar, për të folur sadopak me të. Unë ndonjëherë mërzitesha dhe e kam prishur ndonjëherë zemrën duke i thënë ‘pse e bëre këtë veprim ose atë’. Por vetëm kaq. Por më e forta ishte kur shkonim në ndonjë dasmë dhe shumë vajza që e adhuronin si aktor ,vinin me turp dhe më thoshin ‘mund të puthim pak Skënderin?’, (natyrisht miqësisht). Unë qeshja dhe u thoja: ‘Po shqyejeni po mundët’. (qesh). Ato skuqeshin dhe shkonin e takonin. Por edhe më bëhej qejfi që e donin, e respektonin, e adhuronin. Kishte një emër të madh, por dhe sillej mirë me të gjithë. Kishte raste që bënim dhe grindje të vogla. Nuk ka familje pa grindje. Po të thuash që nuk jam zënë, kjo është rrena më e madhe e vitit. Por Skënderi ka qenë gjithmonë pak xheloz, unë jo.

Të vijmë tek dhuntia juaj, tek cirku. Si u lidhët me këtë profesion, kush ju nxiti, cila ishte arsyeja?

Unë në radhë të parë kisha fizikun të tillë, një fizik elastik të veçantë. Bëja lëvizje trupore që të gjithë befasoheshin. Të tregosh sesi më ka lindur dëshira për cirkun është shumë e thjeshtë, sepse unë qysh fëmijë kam qenë shumë e dhënë mbas cirkut. Cirku për mua është art që unë e krahasoj me poezinë. Si duhet të zgjidhet fraza në poezi, ashtu do të zgjidhet edhe në cirk mënyra sesi do të punosh dhe mënyrën sesi do ta zgjidhësh vete punën. Duke pasur lirësinë e shprehjes dhe talentin për të punuar arrin gjithçka. Im atë, Lorenc Rasha, (profesor-doktor në linguistikë), si intelektual që ishte, e dinte se unë isha e talentuar për këtë profil që mora, si akrobate. Dëshira e tij ishte që të më çonte në Austri, atje ku kishte mbaruar edhe ai shkollën. Megjithatë, ngjarjet ndodhën që tim atë e pushkatuan, por kjo situatë nuk ndikoi që unë ta largoja ëndrrën time.

Po pse e pushkatuan babanë tuaj?

 

Ah, unë nuk e dija shumë mirë në monizëm, por në demokraci m’u qartësuan gjërat. Im atë Lorenc Rasha, ka qenë profesor-doktor në linguistikë, ka qenë njohës i shumë gjuhëve të huaja, ku shtatë prej tyre i ka pasur me diplomë. Ai kishte mbaruar studimet në Fakultetin e Isbrukut në Austri, një nga fakultetet më të njohura dhe me shumë emër, pra për linguistikë. Ka qenë drejtor i gjimnazit të Shkodrës dhe drejtor i gjimnazit të Tiranës, ku është sot gjimnazi “Qemal Stafa”, viti 1922. Babai im ishte nacionalist. Gjatë fillimit të luftës, vazhdonte ende mësimin dhe në një moment shkon në Pezë, për të përfaqësuar nacionalistët. Ishte viti 1942, kur atje do të zhvillohej Konferenca e Pezës. Pra, ishte 16 shtator i vitit 1942. Ende në Shqipëri ishin trupat fashiste të Duçes. Në këtë konferencë, babai ka mbajtur një fjalim që u mirëprit nga shumë njerëz. Madje, mund të them se pas fjalimit, atë e pritën nën mënyrë të shkëlqyer shumë pezakë, të cilët i shkuan mbrapa dhe  e pyesnin për shumë gjëra. Unë s’e di çfarë tha babai fjalë për fjalë, por fjala e tij ishte krejt ndryshe nga ajo e Enverit. Ai kishte të tjera pikëpamje nacionaliste. Fjala e tij e çoroditi Enverin, i cili as nuk e takoi. Por ajo që nuk i ka ardhur më shumë për shtat Enverit ishte se babai fitoi simpatinë e shumë  pjesëmarrësve, sidomos të pezakëve. Këtu filloi mëria e Enverit me babanë tim. Siç duket, ai e kishte ndarë mendjen që me babanë tim do shpallte luftë. Më vonë, ne kemi lexuar në librin e tij “Gjithmonë vigjilentë” volumi i parë, të shkruante ‘pse ma lini të livadhisë i lirë në rrugët e Pezës, atë kundërshtarin tonë?!’. Në atë kohë, duke parë reagimin e Enver Hoxhës, Babë Myslimi i kishte thënë Enverit ‘mos ma ngisni doktorin, se është miku im’. Babait, kudo që e njihnin i thërrisnin ‘doktor’. Për disa kohë, Enveri u tërhoq nga komentet, por më vonë e arrestoi në Tiranë  në vitin 1944 dhe duke e cilësuar ‘tradhtar’ të ideve të tij, e çoi në Paraspur, në një fshat të thellë, në rrëzë të Dajtit. Aty edhe e pushkatoi. Një fshat i vogël, me njerëz të mirë. Duhet thënë se shumë ndihma që vinin në Shqipëri, kur babain e merrnin si përkthyes, ai ndërhynte dhe ua çonte pikërisht fshatarëve të këtyre zonave të thella të rrëzës së Dajtit. Kishte lidhje me ato fshatra me kryepleqtë e tyre, ku gjithmonë donte të ishte pranë njerëzve të varfër. Kur skuadra e pushkatimit e nxori në një grykë për ta pushkatuar, të gjithë fshatarët i thanë komandantit të skuadrës ‘mos e bëni këtë akt, pasi doktori na ka ndihmuar shumë. Ne duam ta dimë përse e pushkatoni. Ai në ditët më të vështira na është gjendur afër’. Por ata nuk i morën parasysh këto fjalë, madje u thanë ‘ikni se do t’ju pushkatojmë edhe juve’. Fshatarët u larguan dhe ata pas pak e pushkatuan, duke i marrë dhe këpucët. E lanë aty vetëm me të brendshmet. As e varrosën, e lanë aty …..derisa e gjeta në vitet e demokracisë. Aty e varrosi, njëri prej fshatarëve që babai e kishte ndihmuar dikur, e mori dhe e varrosi në oborrin e vet, në rrënjët e një ulliri, që ta mbante mend. Ai e mori tinëz që të mos e shihte njeri, pasi atë kohë spiunët ishin sheshit.

Si rodhën ngjarjet pas pushkatimit të babait?

Pas pushkatimit të babait, drejtori i Cirkut, më mësonte që të isha e kujdesshme në këtë drejtim, sepse në atë kohë mund të përfundoje menjëherë në burg nëse gaboje diku, nëse flisje diku, nëse bije pre’ e provokimeve diku. Por tashmë kisha dhe një mbështetje të fortë, bashkëshortin tim, Skënderin, i cili ishte njeri më i besuar, njeriu që bëri gjithçka për mua.

Po kush të futi në cirk para se të njiheshe me Skënderin? Si të morën me një biografi të tillë, që atë kohë të bënte të dalloheshe si ‘delja e zezë’?

Unë kam filluar punë me urdhër të Ramiz Alisë. Në fillim, që e vogël isha në estradë, sepse aty bëheshin numra cirku. Në Estradën e Tiranës, ndenja dy vjet pa rrogë. Nuk më hiqnin sepse s’kishte kush të më zëvendësonte, isha absolute. Atëherë, duke parë se nuk më paguanin, më merr Telat Agolli për dore dhe më çon në Komitetin Qendror. Më futi tek Ramiz Alia që përgjigjej për artin dhe kulturën. Me njohjet e tij, Telati më dërgoi të vetme tek zyra e Ramiz Alisë. Kur u futa, Ramiz Alia u habit. “Po ti moj vajzë e vogël, kush të solli këtu, – më thotë me dashamirësi, – e kujt je ti?”. Unë ula kokën dhe i thashë se isha  vajza e doktor Lorenc Rashës. “Po përse keni ardhur këtu?”, ma kthen ai. “Erdha pasi kam dy vjet punë dhe nuk marr rrogë tek Estrada e Tiranës”, iu përgjigja. Tundi kokën dhe pa më thënë asnjë fjalë, më përcolli tek dera. “Suksese”, kaq më tha. Ika dhe sa vë këmbën në Estradë, më thërret shefja e kuadrit. “Sot do marrësh dy rroga, – më thotë, – dhe këtej e tutje do paguhesh rregullisht sepse tashmë je profesioniste”. Më vonë, mora vesh se Ramizi ka qenë nxënës i babait tim.

 

 

Më vonë duke u ndalur tek biografia, pasi u martuat, Skënderi nuk  u vu para përgjegjësisë për këtë martesë?  Nuk e thirrën, nuk i bënë vërejtje?

Ah, po. Skënderi vetë e fshiu nga memoria çështjen e biografisë sime. As nuk e sillte në mend. U tregua burrë korrekt, i mençur, i dashur dhe largpamës. Ishte një njeri që i kishte shokët e rrallë. Pasi u martuam, njëherë e thërritën Skënderin në organizatën e partisë dhe i thanë: “Çfarë do të bësh me Vitoren? Ajo ka biografi të keqe nga babai?!”. Ai u tha: “Ajo është gruaja ime, nëna e dy fëmijëve. Urdhëroni teserën e Partisë, sepse ku të jetë ajo do të jem dhe unë. Nëse keni ndërmend që t’i bëni ndonjë gjë, ne jemi bashkë”.

Si e kujtoni hyrjen në cirk, atë masë gjigante me litarë, hekura, tavolina, rrathë e shumë sende të tjera? A kishe emocione në numrin e parë dhe ishe vetëm apo numër të përbashkët??

 

Unë në shtëpi vetë bëja lloj-lloj numrash. Bëja çka mendoja vetë, pa hyrë thellë në perfeksionin e cirkut. Ndërsa kur hyra si profesioniste, e mbaj mend si sot. Ka qenë viti 1952 dhe numrin e parë e kam luajtur me mjeshtrin Ali Xhixha. Konkretisht, kam ecur mbi tel dhe bashkë me të kam bërë edhe ushtrime plastike. Ai ushtrim ishte një art që unë e kisha të trashëguar. Pra, ishte konstrukti im që i kishte të gjitha të dhënat absolute të cilat nuk ka mundësi t’i ketë gjithkush. Me Aliun kam realizuar disa numra që bënë të më kërkonin  në Estradën e Shtetit. Nuk isha veçse 10 vjeç. Një fëmijë që kishte shumë ëndrra. Zura vend të sigurt në Estradë dhe si e domosdoshme ndaj më lidhën dhe rrogë. Që në moshën 10 vjeç kam dhënë shfaqje dhe që në atë moshë unë jam paguar me rrogë. Kjo ishte cilësi e artit të akrobacisë, që në moshë të vogla mund të paguhesh si të rriturit. Në Estradën e Shtetit kam ardhur në vitin 1956. Kurse në vitin 1972, u nda cirku nga Estrada si një institucion më vete.

Pra, dhe pse me biografi jo të mirë, regjimi i kohës ju la hapësira për specializime jashtë shtetit?

 

Po, është e vërtetë. Kam shkuar si në Rusi, edhe në Kinë. Mund të them se ndaj njerëzve me aftësi të veçanta dhe korrektë, regjimi bënte përjashtime. Një ndër ta, isha dhe unë. Sigurisht, kam shumë rezerva për atë kohë, por s’e mohoj që shumë gjëra ishin pozitive. Pas ish-BS, kemi qenë një vit bashkë me Skënderin në Kinë për specializim. Pra, jemi specializuar si në Moskë ashtu edhe në Kinë, ku  kemi punuar me specialistët më të mëdhenj të kohës. Prandaj edhe rezultatet tona në Shqipëri ishin edhe të mira. Në Shqipëri ka ardhur edhe drejtori i Përgjithshëm i Cirqeve të Evropës që ishte italian. Kur erdhi këtu, atë e shoqërova unë. E quanin Roberto Mani. Unë i bëra prezantimin e punës sonë. Roberto u çudit me arritjet tona dhe tha: “Ju keni arritje shumë të mira pasi keni pasur fatin të punoni me artistë më të mëdhenj të botës si në Rusi dhe në Kinë dhe keni futur shpirtin shqiptar brenda që u keni dhënë një bukuri të veçante lëvizjeve”.

Kur ka ndodhur kjo ngjarje?

Kjo vizitë e tij ka qenë në vitin 1971. Ishin vitet e kulmit tonë. Ka qenë viti 1971 kur ne u kthyem nga Kina dhe pikërisht në atë kohë, erdhi edhe Roberto në Shqipëri. Ne në atë kohë kemi dhënë premierën e parë këtu dhe në të treguam një cilësi shumë të lartë. Ishim shumë të organizuar. Boshti i të gjithë shfaqjes ka qenë Skënderi. Cirku ka numra  shumë të vështirë që emocionojnë edhe publikun, ku spikatnin pantonimat e Skënderit. Në fund, Roberto shumë i emocionuar tha: “Të të kisha në Itali, me turnetë në Evropë do të bëja një vagon me para’. Nuk besoja se do gjeja një trupë të tillë në Shqipëri. Trupa të tilla janë të rralla në Evropë”. Nuk kishte artist në Shqipëri që të bënte pantonimët akrobatike si Skënderi. Këtë e kanë thënë edhe artistë të mëdhenj të tjerë si në Moskë dhe në Kinë se Skënderi është një Çarli Çaplin i vërtetë shqiptar. Por dua të them se trupa ka qenë e vogël rreth 15-16 veta. Ne mbanim shfaqjen me dy puntata. Edhe estrada jepte me dy pjesë shfaqjen ku bëhej pushim në mes. Dhe pastaj fillonte pjesa tjetër.

Të veçantat e shkuarjes suaj në Kinë?

Në cirkun qendror të Pekinit ne shkuam vetëm për specializim për cirkun. Ishim 8 veta: Telati, Tina Shkurti, Vitore Sallaku, Skënder Sallaku, Bujar Bodinaku, Arjan Miluka, Bajram Kurti. Ne në Kinë shkuam si delegacion kulturor dhe atëherë qëndruam 4 muaj. Pamë dhe morëm shumë eksperiencë. Kishim çfarë të shikonim. Por mbi të gjitha, pamë një popull të disiplinuar që Mao Ce Dunin e kishin më shumë se Perëndia.

Pengu juaj?

 

Ah, pengu, Më kishin zgjedhur që do isha pjesë e filmit “Cirku në fshat”. U gëzova. Filmi ishte tjetër magji dhe kisha kohë që e dëshiroja një gjë të tillë. Por ja, ajo çështja e biografisë, ah biografia. Kur nuk e prisja, ditën që prisja të filloja xhirimet më thanë “nuk do shkosh”. U mërzita shumë. Por Skënderi bëri çmos që të mos e ndjeja këtë largim.

Kur e keni fituar çmimin “Mjeshtre e madhe e Punës”?

Unë të gjithë titujt, duke filluar nga “Artiste e merituar” dhe të tjerët, i kam marrë vetëm mbas ndërrimit të sistemit.

EPISODI

“Si rashë gjatë një numri të vështirë në cirk. Doktori: Për mua, ti kishe vdekur

“Sot kur i mendoj çastet e vështira, rrëqethem. Ishin numra të cilët ata që i shikonin, shpesh mbyllnin sytë apo vinin duart para syve dhe i  shikonin me gjysmë syri. Disa herë kam menduar për momentin që kam humbur edhe jetën. Konkretisht, po ju them një moment. Sapo ishim kthyer nga Kina. Ishte dita e parë e punës pas ardhjes.  Do jepnim shfaqje për të parë avancimet tona pas stërvitjes në Kinë. Kina atë kohë kishte marrë një vrull të madh në cirk, madje ia kishte kaluar dhe Rusisë në disa drejtime. Salla ishte mbushur plot me miqtë tanë që kishin ardhur për të parë sesi ishim përgatitur ne në Kinë. Unë ndërmjet ushtrimeve të tjera kam pasur një numër ekuilibri me bambu, që e mbante Telati në ballë. Bambuja ishte shume e gjatë. Telati e hap bambunë që ishte e paketuar, por skena nuk e nxinte sepse ishte shumë e lartë. Kishim dhe një tjetër që ishte pak më e shkurtër dhe e nxorëm në skenë. Në kohën finale, ku do të zbrisja unë, do të zbrisja me kokë poshtë pa mbrojtëse dhe do hiqja mjetin mbrojtës dhe e vendosja tek bambuja. Kur punonim, Telatit i lëvizte shumë ekuilibri. Në kohën që unë heq mjetin mbrojtës llonxhën, Telatit i ikën bambuja dhe i bie në tokë dhe unë rashë në tokë. U vrava! Atëherë më kanë çuar në spital. E mora veten shpejt. Ishte një rënie e rëndë, shumë e rëndë, disa mendonin se mbarova. Mbas 20 vjetëshn kam takuar  doktorin që më ka dhënë ndihmën e parë dhe tha: “Çuditem, për mua ti kishe vdekur!”. Mbas tre javëve, u ktheva përsëri në cirk”.

Vizita në ish-BS: “Cirku ynë, më i miri në Ballkan”

“Atë kohë, cirku ynë ishte në fillimet e para dhe po ecte mirë, por ne nuk kishim një histori cirku, një trashëgimi. Babai i cirkut tonë mbetet Telat Agolli. Ishte një njeri i mirë, energjik, i talentuar që hodhi bazat e një cirku modern, bashkëkohor. Kur kisha disa muaj që kisha filluar punë, unë kam qenë për 4 muaj me Telat Agollin në ish-BS. Aty pashë vërtet diçka tjetër. Në atë kohë, cirku rus ishte ndër më të mirët në botë. Kushtet ishin shumë të mira. Aty mësova shumë gjëra nga ana teknike. Ishte një mrekulli që më shërbeu shumë. Mbas specializimit kemi zgjedhur dhe përgatitur artistë shumë të mirë. Kështu filloi që cirku ynë të ecte para duke qenë më i miri në Ballkan. Kemi pasur artistë që kanë dhënë kontribut shumë të mirë, duke filluar nga Telati, Skënder Sallaku, Arjan Miluka. Kur u prish sistemi, ai u largua nga Shqipëria dhe shkoi në Belgjikë, ku u bë një nga iniciatorët që cirku belg të bëhej famoz. Sot ai është një qytetar i nderuar në Belgjikë e “Mjeshtër i madh i Punës” siç jam edhe unë”.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …