Vizita e paralajmëruar e kryeministrit të Serbisë Vojisllav Koshtunica dhe e disa zyrtarëve të kabinetit të tij qeveritar, dje në Kosovë, u krye ashtu sikurse ishte paraparë. Pavarësisht mospëlqimit, mbase sa për sy e faqe që shfaqen disa politikanë tanë, pavarësisht se disa të tjerë u munduan të tregojnë se as që iu bën përshtypje një vizitë private e një serbi në Kosovë, ose deklarimet e disa politikanëve të tjerë arrogantë, të cilët megjithatë e futën kokën në zall, Koshtunica me kohortën e tij qeveritare vizitoi Gazimestanin, la porosi nacionaliste, shoviniste, luftënxitëse dhe rikonfirmoi qëndrimin aktual zyrtar të Beogradit se “Kosova ka qenë dhe do të jetë nën Serbi”.
Dje, me rastin e vizitës së dhunshme që i bëri Kosovës kryeministri serb Koshtunica, në pozitën më të mjerë u gjenden sidomos disa politikanë dhe përfaqësues institucionesh, të cilët zakonisht e kanë gjoksin plot “nishana” të trimërisë, gojën të mbushur me zhargone pompoze patriotike dhe disa të tjerë, që kishin kundërshtuar fuqishëm ardhjen e “vozhdit” serb në Kosovë. Në pozitë qesharake u gjet edhe ndonjë përfaqësues i “zgjedhur” i mjerë dhe i vetmuar i popullit, i cili iu kishte bashkëngjitur përpjekjeve latente të “vetëvendosistëve” për ta penguar rrugëtimin “triumfator” të Koshtunicës.
Natyrisht se Koshtunica dhe përcjellësit e tij kishin llogaritur shumë në mbrojtjen, që do ta kishin, ashtu sikur edhe e patën, nga një segment i SHPK-së dhe i ministrisë të sapoformuar të Brendshme, ku aktualisht mrizojnë ish-nëpunësit e regjimeve serbe. E dinte Koshtunica se kishte sigurinë optimale të lëvizjes, andaj edhe e realizoi qëllimin e tij. E ka kuptuar Koshtunica se trimat e vendosur, që e çliruan Kosovën nuk janë më në mesin e të gjallëve. Sa për të tjerët, të cilët iu kanë nënshtruar bërjes së politikës së moderuar, nuk ua ka frikën dhe i injoron.
Sesa të mjerë dhe profanë janë ndjerë në shpirt disa nga politikanët tanë me rastin e kësaj vizite, këtë e dinë më së miri ata vetë dhe zëdhënësit apo zëdhënëset e tyre, të cilët apo të cilat nuk e çelën gojën, sepse me të vërtetë në raste të tilla, të paktën për disa ditë është pak të futet koka në zall. Kokat e tilla të mjera do të duhej të futeshin në akull, apo do të duhej të balsamoheshin, si relikte të një kohe “mushke”.
Nuk ka më hije trimëria dhe krekosja iluzioniste, se ne e paskemi shtetin tonë dhe aq na bën një vizitë private me karakter fetar e një serbi. Vërtetë cinizmi i tillë naiv tregon gjendjen edhe më të mjerë shpirtërore të këtyre njerëzve, të cilët, sërish do të kreshpërohen dhe sërish do të dalin nga kafazi i heshtjes, pas disa ditësh. Ata nuk do ta përmendin për shumë kohë vizitën e Koshtunicës, do ta injorojnë këtë ngjarje tejet të papëlqyeshme dhe do të nisin ta lavdërojnë procesin politik rreth bisedimeve, do të udhëtojnë sërish për në Vjenë dhe do të kthehen si gjithherë “fitimtarë” nga ndeshjet me ekipin e Beogradit.
Sa për muskujt dhe guximin që treguan disa dhjetëra djem të vendosur të Vetëvendosjes, kjo nuk ka si mohohet. Por a thua janë kaq naivë këta aktivistë, dhe a thua se kanë menduar me gjithë mend se do ta ndalonin marshimin e Koshtunicës në Kosovë me një si barrikadë, me afishimin e parullave për vetëvendosje dhe me përkrahjen e disa aktivistëve të tjerë të dështuar sa e sa herë deri tani, në të gjitha nismat e tyre të mira, por të cilat ja që nuk po i përkrah, ose nuk po i kupton ky popull.
Vizita e Koshtunicës në Kosovë është një ngjarje e cila do të pasohet me zhvillime të tjera edhe më të rrezikshme. Është mbase edhe momenti i fundit që forcat e vërteta liridashëse të Kosovës të mobilizohen për ta pritur Koshtunicën dhe koshtunët, ashtu sikur i kanë pritur trimat e trimëreshat e legjendarit Adem Jashari kokat e tilla të nxehta. Vetëm prej pritjes së tillë Koshtunica e ndal turrin dhe struket atje ku e ka vendin. Sa për protestat paqësore, sa për komunikatat e disa partive, sa për rrahagjokset e disa politikanëve, serbët nuk merakosen fort.
Kontrolloni gjithashtu
Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …