Me ftesë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, Gjeneral Metin Gürak, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë. Gjatë takimit me Gjeneral Gürak, u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së përmes trajnimeve, stërvitjeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave. Gjenerallejtënant Jashari u takua gjithashtu me Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, z. Yaşar Güler, me të cilin u rikonfirmua partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, si dhe mbështetja e vazhdueshme për zhvillimin profesional të FSK-së. Në takim u trajtuan edhe çështje të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, përfshirë blerjet ushtarake dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes. Gjatë vizitës, Komandanti i FSK-së vizitoi forcat speciale turke, zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve dhe industrisë së mbrojtjes, si dhe pati rastin të takojë kadetët e FSK-së që ndjekin studimet në akademitë ushtarake në Turqi.
