Sekretarja e PDK, Vlora Çitaku, ka pritur sot një delegacion nga Mbretëria e Bashkuar, i përbërë nga deputeti britanik Alex Sobel dhe anëtarja e “City Leaders”, Cllr Helen Hayden. Në takim morën pjesë edhe Kryetarja e Rinisë Demokratike dhe deputetja e sapozgjedhur, Arbnora Salihu, si dhe shefi i kabinetit të Kryetarit të PDK-së, Ardian Arifaj. Ata vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit politik, mbështetjes institucionale dhe përkrahjes për rininë dhe gratë në politikë. Çitaku shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e shtetit ligjor në Kosovë. Jemi thellësisht mirënjohës për partneritetin e fortë me Mbretërinë e Bashkuar. Mbështetja e tyre ka qenë jetike në rrugëtimin tonë demokratik. Takime si ky na japin mundësinë të thellojmë bashkëpunimin dhe të ndërtojmë ura të reja miqësie dhe mirëkuptimi, tha Çitaku.
