Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, ka deklaruar se themelimi i Gjykatës Speciale ishte një mashtrim, pavarësisht qëllimeve të mira fillestare. Çitaku tha se akuza të rënda dhe monstruoze kërkonin hetim, por se rezultatet deri më tani kanë qenë zhgënjyese. Qëllimi ka qenë i mirë, por ne jemi mashtruar. Kërkojmë vetëm drejtësi, por fatkeqësisht kemi parë shumë pak drejtësi deri tani, u shpreh ajo. Çitaku theksoi se ish-presidenti Hashim Thaçi ishte i vetëdijshëm që miratimi i Gjykatës në Kuvendin e Kosovës do ta vinte atë në shënjestër. “Ai e dinte që do të ishte caku i parë, por për të, ashtu si në luftë dhe në paqe, fati i Kosovës ishte më i rëndësishëm sesa fati i tij personal,” tha ajo. Sa i përket thirrjeve për zhbërjen e Gjykatës Speciale, Çitaku tha se është tepër vonë për një veprim të tillë.
