leoni

Vlora Çitaku

Vlora Çitaku: Qeveria, jashtëligjshëm, po i përdorë ambasadat dhe burimet e shtetit për fushatë elektorale

 Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, sot, në një konferencë për media, i ka bërë thirrje Kryeministrit dhe Ministres së Punëve të Jashtme të mos i përdorin Ambasadat për qëllime partiake e fushatë elektorale.  “Ditëve të fundit, Kryeministri i Kosovës dhe Ministrja e Punëve të Jashtme po e keqpërdorin hapur pushtetin e tyre politik, paratë e taksapaguesve dhe institucionet tona për të kryer një fushatë partiake në diasporë. Kjo qeveri—e zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve, tani po e kthen shtetin dhe burimet e tij në mjete për përfitime partiake, ka thënë Çitaku.  Sekretarja e PDK-së ka shtuar se Qeveria e Kosovës po tenton që të kamuflojë axhendën partiake si punë zyrtare qeveritare – por qëllimi i tyre i vërtetë është më se i dukshëm.  Sipas saj, kjo sjellje e Qeverisë nuk është vetëm zhgënjyese; është e papranueshme dhe e turpshme.

“Dhe, mbi të gjitha, është një manipulim i diasporës sonë, e cila meriton respekt dhe ndershmëri, jo skema të ulëta politike. Bashkatdhetarët tanë në mërgatë kanë treguar një përkushtim të palëkundur ndaj Kosovës ndër dekada. Ata meritojnë respekt, jo manipulim”, ka thënë më tutje Çitaku. Ajo ka treguar se në fushatën e tyre, Kryeministri dhe Ministrja e Jashtme po e kalojnë çdo kufi, duke ushtruar presion ndaj diplomatëve të Kosovës nëpër botë, duke i detyruar që të organizojnë takime fushate nën petkun e punës shtetërore.

“Diplomatët, të cilët duhet t’i shërbejnë çdo qytetari me dinjitet dhe paanshmëri, po detyrohen të organizojnë takime partiake, duke keqpërdorur detyrën zyrtare dhe burimet shtetërore. Ky manipulim i pushtetit është një abuzim i mirëfilltë. Prandaj sot, u bëj thirrje çdo diplomati që përfaqëson Republikën e Kosovës: Të mos i nënshtrohen këtij abuzimi. Mos lejoni të përdoreni si instrumente në fushatën e kësaj qeverie. Kujtoni, ju jeni përfaqësues të Kosovës, jo përfaqësues të një axhende partiake. Ju keni bërë betimin për t’i shërbyer Kosovës”, ka thënë sekretarja e PDK-së. Në fund të fjalimit të saj, Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së iu drejtua edhe Kryeministrit me një mesazh të drejtpërdrejt:  “Kosova meriton më mirë se ju dhe oborrtarët e tu të paaftë e abuzues. 9 shkurti është fundi i këtij mentaliteti qeverisës dhe fillimi i një epoke të re me Qeverinë Hamza. Kosova mundet ma mirë. Kosovën do ta bëjmë më të mirë”, tha Çitaku.

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …