Sekretarja e Përgjithshëm e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi ministri në detyrë e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë një vizite në Tajvan ka kritikuar Evropën për dështim në fushën e mbrojtjes. Ajo ka bërë me dije se konstatimi i Maqedoncit, se Franca s’ka fabrikë municioni, ishte qesharak. Ministri i Mbrojtjes, ende në detyrë, ka vizituar Tajvanin dhe ka mbajtur një fjalim që, në rrethana të tjera, mund të na dukej qesharak po të vinte nga dikush pa peshë dhe përgjegjësi politike. Por kur një ministër, i cili drejton një prej dikastereve më të ndjeshme të Republikës, viziton një vend, me të cilin nuk kemi marrëdhënie diplomatike për arsye të njohura dhe aty flet për dështimin e Evropës në fushën e mbrojtjes, ndërsa pretendon se Kosova do të ndërtojë një fabrikë që as Franca – eksportuesja e dytë më e madhe në botë e armatimit – nuk e ka, kemi të bëjmë me diletantizëm dhe papërgjegjësi, ka saktësuar, Vlora Çitaku.
