Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës zbritjen e pagës së saj nga rreth 3 mijë 800 euro me shtesa, në 2 mijë e 800 euro, ose 12 mijë euro më pak në vit. Kërkesa për caktimin e pagës për auditorin e përgjithshëm, e shqyrtuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfer, është vlerësuar nga deputetët e opozitës si pozitive, por kritikuan Qeverinë që nuk po miraton Ligjin për Pagat, i cili sipas tyre rregullon pagat e të gjithë punonjësve në sektorin publik. Me propozim të kryetarit të Komisionit, Armend Muja, është shtyrë aprovimi i kërkesës së auditores, Spanca deri në javën e ardhshme, kur të bëhet edhe një analizë e pagave për institucionet e ngjashme sikur ZKA.
Kërkesa për zbritjen e pagës, nga një zyrtare që merr pagë mujore aq sa marrin për një muaj 22 veteranë të luftës së UÇK-së, është një gjest, më tepër politik, sesa social e human, sikur pretendon ta paraqesë zonja auditore, sepse edhe 2.800 euro nuk janë para e vogël për një familje dhe janë më shumë sesa ka të hyra mujore, Radio-Kosova e Lirë me stafin prej 10 gazetarëve.
Ja cilat janë kontrastet, dhe përpjekjet për të prodhuar humanizëm, në njërën anë, ndërsa në anën tjetër duke akuzuar komandantët e luftës, invalidët e veteranët se po e zhvasin buxhetin e Kosovës.