Planet e Serbisë për vendosjen e kolonëve serbë në pjesën veriore të Mitrovicës nuk do të ndalen vetëm me krijimin e vendbanimit ‘Lugina e Diellit’ në pjesën strategjike midis Zveçanit dhe Mitrovicës. Zëvendësdrejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Dushan Kozarev ka shpalosur planin serb për ndërtimin e dhjetë lagjeve të reja me kapacitet për vendosjen e 15 mijë serbëve në veri. Bujar Voca, përfaqësues i Iniciativës Qytetare për Veprim, alarmon se në lagjet shqiptare në veri të Mitrovicës si Kroi i Vitakut, Kodra e Minatorëve, 7 Shtatori e Lugina e Doktorëve, kanë mbetur fare pak familje shqiptare. Në një bisedë për Radion ‘Kosova e Lirë’, ai përkujton se para vitit 1999, në këtë pjesë shqiptarët përbënin 75% të popullatës. “Pas vitit 1999 Sebia ka filluar spastrimin etnik të veriut duke vrarë, plagosur e dëbuar shqiptarët nga atje. Sidomos në ngjarjet e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 brenda dy ditëve ndodhën shumë masakra, vrasje, plagosje dhe u dëbuan me dhunë rreth 11 mijë shqiptarë”, shprehet Voca. Sipas tij, në shtëpitë e shqiptarëve në veri të qytetit janë vendosur mijëra serbë, të cilët nuk kanë qenë asnjëherë banorë të Mitrovicës, por janë ardhës nga vise të ndryshme të Serbisë. Ai shton se “shumica e serbëve që jetojnë sot në veri të Mitrovicës janë të vendosur nga Serbia”. Voca, më tej, ankohet se Qeveria e Isa Mustafës nuk po e konsideron veriun si pjesë të Kosovës, por më shumë si territor të Serbisë. “Qeveria e Serbisë ka të drejtë që të investojë në një shtet tjetër, të ndërtojë shtëpi, banesa e lagje të tëra, e qeveria e Kosovës nuk ka vullnet që t`i kthejë shqiptarët në shtëpitë e tyre të djegura dhe në banesat e uzurpuara. Rreth 400 shtëpi janë të djegura dhe 500 banesa të uzurpuara”, ka thënë Voca. Ai shpreh bindjen se vendi ka nevojë për një Qeveri, e cila sipas tij, i kundërvihet seriozisht Serbisë dhe arrin t’i bind serbët që të integrohen në Kosovë. rkl/
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …