Harrojeni Kosovën. Integriteti i saj nuk preket! Mesazhi i zëvendësndihmëssekretarit amerikan të shtetit Hoyt Brian Yee në takimin e javës së kaluar me kryetarin serb Aleksandar Vuçiç nuk kishte nevojë të lexohej mes rreshtash, sepse ishte mjaft i qartë. Vetë Vuçiq i bëri publike vetëm tani detajet e bisedës së përpara disa ditëve gjatë intervistës së paralajmëruar për televizionin serb “Pink”. Perëndimi, tha ai, nuk do të heqë dorë nga Kosova dhe se Beogradi duhet të gjejë një zgjidhje për marrëdhëniet me shqiptarët. Takimi me Yee “nuk ishte i këndshëm, por nuk pati fjalë të rënda”, tha Vuçiq.
“Yee më tha se nuk mund të prekni tërësinë tokësore të Kosovës, ndërsa unë i thashë, ju keni mundur të prekni tërësinë e Serbisë nëntë vjet më parë. Atëherë vlenin rregulla të tjera. Këtë ia thashë në fytyrë. Ai më bëri të ditur se më përcolli mesazhin e Amerikës. Duhet ta respektosh, nëse nuk e bën… dihen pasojat…”, janë fjalët e kryetarit serb.
Vuçiç përsëriti edhe një herë mesazhin e tij të mëparshëm se Serbia duhet të provojë të gjejë “një marrëveshje historike me shqiptarët për hir të së ardhmes së fëmijëve”. Të hënën atje u çel zyrtarisht dialogu i brendshëm për Kosovën me mbledhjen e parë të grupit të punës që duhet të bashkërendojë debatet. Moska vazhdon të mbetet gjithashtu një shqetësim për Uashingtonin.”Ajo çfarë po ndodh në Amerikë ka sjellë probleme të reja”, vazhdoi Vuçiq.
“Ndonëse pa faj, edhe ne mund ta pësojmë. Të gjithë ata që kanë çfarëdo marrëdhëniesh me Rusinë do të pësojnë”, u shpreh ai. Shtetet e Bashkuara, kujton VOA, kanë shprehur shqetësim për një qendër të emergjencave që Rusia menaxhon në qytetin e Nishit në Serbinë jugore. Disa grupe perëndimore dhe analistë ushtarakë e shohin si një baze ushtarake të kamufluar që Kremlini e ka ngritur për të mbikeqyrur interesat amerikane në Ballkan.