Vuk Drashkoviq

Vuk Drashkoviq: Në luftën kundër NATO-s e humbëm Kosovën, në një luftë të re, do ta humbnim edhe Serbinë

E pyeti mësuesja Pericën e vogël: “Sa bëjnë dy plus dy?” “Trembëdhjetë”, u përgjigj ai. “Pericë, i ke dy molla, pastaj mami t’i jep edhe dy. Sa molla do t’i kesh pastaj?” “Trembëdhjetë”, përsërit Perica. “Mami t’i jep dy molla, ndërsa tezja edhe dy të tjera. Sa molla do t’i kesh gjithsej”, këmbëngulë mësuesja, ai sërish bërtet dhe shanë. “Dialogu” i kësaj anekdote gjithnjë e më shumë të kujton “dialogun e brendshëm për Kosovën”, i cili në Serbi po zhvillohet mes fakteve të pamohueshme dhe atyre, të cilët faktet dhe realitetin kosovar nuk e pranojnë.

Lufta e shkurtër e Serbisë kundër aleancës së NATO-s përfundoi më 9 qershor 1999, me kapitullimin e pakusht të ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë së atëhershme, Serbia dhe Mali i Zi, të nënshkruar në Kumanovë. Të gjitha formacionet ushtarake, paraushtarake, policore, para policore dhe të gjitha formacionet e tjera të armatosura të shtetit të mundur, e braktisën përgjithnjë territorin e Kosovës, deri atëherë krahinë nën sovranitetin e Republikës së Serbisë. Me kapitullimin në Kumanovë, Kosova është shkëputur nga Serbia, thonë faktet. “As që na intereson kjo, Kosova është Serbi, thonë disa të tjerë!”

Por, kapitullimin në Kumanovë të nesërmen e vulosi Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Rezoluta 1244 është miratuar, sipas Kapitullit të Shtatë të Kartës së OKB-së. Jemi përshkruar si shtet që ka fshehur krimet dhe katastrofën humanitare mbi shumicën shqiptare në Kosovë, që ka kërcënuar paqen rajonale dhe botërore, e në raste të tilla intervenimi i armatosur ndërkombëtar është i lejueshëm. Kështu me Rezolutën 1244 u legalizua bombardimi i NATO-s. Me atë Rezolutë tërë pushteti dhe administrata e Serbisë u dëbua nga Kosova dhe u përcaktua procedura, udhërrëfyesi, për t’i dhënë fund protektoratit të OKB-së në Kosovë dhe arritjes së pavarësisë së Kosovës. Rezoluta 1244, po ashtu ndaloi “kthimin në gjendjen e paraluftës, përkatësisht kthimin e Kosovës nën administrimin e Serbisë. Ndaloi edhe ndarjen e Kosovës dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Për të gjitha këto vendime ka votuar edhe Rusia. Kanë votuar edhe të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Vetëm Kina ka abstenuar”,-kështu thonë faktet. “ Ne themi Nuk na intereson, Kosova është Serbi!”

Duke u thirrur në Rezolutën 1244, Kosova e ka shpallur pavarësinë, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ka gjykuar se ai vendim nuk është në kundërshtim as me të drejtën ndërkombëtare, as me Kartën e OKB-së, as me Rezolutën 1244”,-kështu thonë faktet kokëforta. “Ajo është gjykatë antiserbe, Kosova është Serbi!”-kjo është përgjigja që dëgjohet. “Shumica e shteteve anëtare të OKB-së dhe pothuaj të gjitha shtetet e BE-së dhe NATO-s, e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës”,-kështu flasin faktet. “S’janë gjë ato shtete.

Me neve janë Surinami dhe Burundi. Kosova është Serbi!” “Por, në Kosovë më shumë se 90 për qind janë shqiptarë dhe vetëm rreth 6 për qind serbë, dhe numri i tyre po bie me shpejtësi”,-thonë faktet. “Edhe pa serbë, Kosova është Serbi”,-jehon përgjigja. Perica i vogël nga anekdota, me gjasë nuk e ka ditur sa bëjnë dy plus dy. Mohuesit e realitetit kosovar dinë gjithçka dhe nuk pranojnë asgjë. Ata bëhen qëllimisht të shurdhër para fakteve dhe të verbër para realitetit. Ata janë peshkatarë të shpirtrave dhe ndjenjave të shumicës së serbëve, të cilët, me të vërtetë, nuk e dinë çka është nënshkruar në Kumanovë, as çfarë shkruan në Rezolutën 1244, as në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Nuk e dinë sepse, që nga kapitullimi në Kumanovë e deri më sot, të vërtetën për humbjen e Kosovës popullit ia fshehin të gjithë. Kisha, parlamenti, partitë, mediat.

Gjithnjë e më hapur gazetat bulevardeske, me tirazh të madh dhe televizionet me frekuencë nacionale, çdo ditë, si mbrojtës të Kosovës i promovojnë njerëzit, të cilët para dy dekadave kanë nxitur represionin dhe krime ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe luftën e çmendur të Serbisë kundër aleancës së NATO-s.

E verbojnë popullin me përralla duke thënë se, Millosheviqi e fitoi luftën dhe kërkojnë që për shkak të mbrojtjes së Kosovës t’i ngrihen përmendore. Përbetimi i Preambulës së Kushtetutës së Serbisë, se Kosova edhe sot është krahinë nën sovranitetin e Serbisë, është kurora me të cilën mbulojnë mashtrimet e tyre dhe kundërshtimin agresiv të Marrëveshjes së Brukselit dhe të çdo dialogu serbo-shqiptar mbi Kosovën.

Populli i Serbisë nuk e di se teksti i Preambulës së Kushtetutës nuk e obligon askënd. Sepse thuhet “norma e pamundshme nuk është e obligueshme”. Kjo mësohet që në vitin e parë të Fakultetit Juridik. Për shembull, kur themi se njerëzit duhet të fluturojnë. Ose që kali është senator romak, siç e ka përcaktuar Kaligula. Serbia sot nuk ka sovranitet në asnjë metër katror të Kosovës. Forca dhe gjithë pushteti në atë territor janë në duart e shqiptarëve. Ky është realiteti. Mohimi i realitetit është “normë e pamundshme”.

Është e dhimbshme ta pranosh këtë, por duhet të pranohet. Alternativa është ndryshimi i realitetit, e ai mund të ndryshohet vetëm me luftë, madje me luftë me epilog fitues.

E drejta kurrë nuk është në anën e të mundurve.

Në luftërat e viteve ’90 kemi humbur shtetin në të cilin jetonin të gjithë serbët. Në luftën kundër NATO-s e humbëm Kosovën. Në luftën e re, kjo është e qartë, do ta humbnim edhe Serbinë. Vetëm duke pranuar realitetin kosovar dhe në miqësi me popullin shqiptar, Serbia mund t’i ruajë dhe forcojë popullin serb të mbetur në Kosovë, kishat dhe manastiret serbe, pronat e tyre, tokën e tyre, territorin e tyre. Asgjë prej këtyre nuk është humbur as me kapitullimin në Kumanovë, as me Rezolutën 1244, as me dokumentin e Ahtisaarit, i cili është themeli i pavarësisë së Kosovës. Fitoret kurorëzohen me lavdinë e fitimtarit, ndërsa humbjet me dinjitetin e të mundurve. Në Luftën e Parë Botërore, para 100 vitesh, kur na priu Aleksandar Karagjorgjeviqi kemi qenë fitues të mëdhenj. Hungarisë ia kemi shkëputur tërë Vojvodinën dhe ia kemi bashkuar Serbisë. Me rastin e nënshkrimit të kapitullimit, në Pallatin e Trianonit, delegatët hungarezë erdhën të veshur me kostume të zeza. Nënshkruan, vajtuan dhe kënduan himnin kombëtar! (Shekulli)

Vuk Drashkoviq shkrimtar dhe politikan serb. Ai dikur ishte bashkëpjesëmarrës në regjimin e Milosheviqit dhe ka mbajtur një qëndrim shumë shovinist kundër shqiptarëve, por më vonë ka ndërruar qëndrimet. Aktualisht  është kryetari i Lëvizjes Rilindase Serbe, ka qenë deputet, Kryeministër i Republikës Federale Jugosllave dhe Ministër i Jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi, në vitet 2004-2007.

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Qeverisja ekonomike në shifra

Një përshkrim i asaj çfarë ka  në ekonomi brenda këtyre katër viteve : Po fillojmë …