Mediat e mirënjohura amerikane, “Associated Press” dhe “Washington Post”, kanë raportuar për mosparaqitjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore. Sipas raportimeve, kjo është hera e dytë që Kurti refuzon të paraqitet në Prokurori, duke kërkuar që dëshmia e tij të merret në zyrën e tij. “Ai nuk është i akuzuar në këtë rast, por zyrtarë të tjerë janë, theksohet në artikullin e AP-së, i cili është publikuar edhe në Washington Post. Në një deklaratë për media, Kurti e cilësoi ftesën e Prokurorisë si politike, duke thënë se ajo po e keqpërdor lirinë për të luftuar Qeverinë, e jo krimin dhe korrupsionin.