Ish-emisari i Bashkimit Evropian, për Kosovën, ambasadori Wolfgang Petriq, e ka cilësuar propozimin franko-gjerman si një hap të ndërmjetëm drejt njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se rruga evropiane e Serbisë është e kushtëzuar me njohjen e Kosovës dhe njëkohësisht i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq që përfundimisht ta marrin vendimin politik për ta mbështetur dhe zbatuar propozimin gjermano-francez. BE-ja do që të përshpejtojë negociatat me Beogradin, por njëkohësisht që ta shtyjë përpara edhe aplikimin e Prishtinës për anëtarësim në BE. Bashkimi Evropian po kërkon themelimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe që nuk ka fuqi ekzekutive dhe as legjislative dhe që nuk është një lloj i Republikës Serbe, një shembull sipas tij shumë i keq. Kanë kaluar 10 vjet që kur kjo është nënshkruar. Sikundër e dimë në marrëdhëniet ndërkombëtare, marrëveshjet duhet të zbatohen dhe secila qeveri duhet t’i përmbahet asaj që një qeveri e mëparshme ka nënshkruar. Pastaj duhet të flitet për atë se si në terme konkrete ky asociacion duhet të duket. Kjo është ajo që duhet të bëhet, ka saktësuar, Volfgang Petriq.
