(Me rastin e ndarjes nga jeta e artistit të madh korçar, Dhimitër Orgocka)
Njashtu siç shkëputen, vdesin apo shuhen yjet në qiell dhe ai mbetet aq i varfër, kur na ikin të dashurit, të njohurit, miqtë apo thjesht njerëzit e mirë, sikur edhe ne varfërohemi, na vijnë kujtimet nga takimet e përjetimet me ta, një ndjenjë e pakëndshme na prek tërë qenien.
Ishte takimi ynë i parë, ne mësonjëtoren e parë shqiptare, në Korçën piktoreske, duke recituar vargje, duke promovuar vepra dhe duke treguar anekdota që falën buzëqeshje shumëngjyrëshe dhe plot ngrohtësi. Pak e përmbaajtur lexova unë vargjet para shumë artistëve dhe publikut në sallë, mirëpo kur erdhi rasti që ai të lexonte, më bëri komplimente të shumta për leximin tim dhe tha se karshi këtij zëri kumbues timin, nuk e di si do të interpretojë tani ai. Të gjithë qeshën furishëm.
Kishte një dashuri të veçantë ndaj mërgimtarëve. Një mendjendritur, me një zë drithërues, ku gjurmën dhe fjalën e penës e gurgullonte në skenat anekënd atdheut dhe në mërgim, me një origjinalitet dhe gjallëri që vetëm ai dinte ta realizonte si aktor dhe po aq bukur si regjisor.
Ai ishte dhe mbetet përgjithmonë tingulli i penës dhe i fjalës në skenë dhe art.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të çmuarin dhe të paharruarin Dhimitër!