Xhafer Zenel Nurkasa (24.7.1969 – 25.7.1998)

Xhafer Zenel Nurkasa (24.7.1969 – 25.7.1998)

Me t’u hapur lajmi se komandantët e Batalionit të Rahavecit: Xhelal Hajda – Toni, Selajdin Mullabazi – Mici, Gëzim Hamza – Piktori, Abdullah Bugari, Mizahir Isma, Bekim Isma e Bekim Sylka, Asllan Kleçka, Xhevat Kasapi e Sadedin Hajda, të gjithë sot dëhsmorë të kombit, prej fshatrave Drenaj e Zatriq kaluan dhe vendosen në shkollën fillore të fshatit Astarzup të Malishevës, dhe se aty, në “Zonën e Lirë”, krahas formacioneve: “Lumi”, “Pëllumbat” e “Çelikët”, atyre ditëve të qershorit, po formohej edhe Batallioni i Rahavecit; Xhafer Nurkasa, me djalin e axhës, Samirin, me Gëzim Mullabazin e Nysret Cenën, ngarendi që t’u bashkohet “Djemve të Rahavecit” dhe t’u bëhet edhe një pushkë më tepër Jasharëve e Haradinajve krismat e të cilëve dëgjoheshin edhe në fshatrat e Anadrinit.
Krismat çlirimtare të djelmoshave që “Kosovës do t’ia falin jetën dhe do t’u duket pak” jehuan anembanë trojeve etnike, prandaj edhe Xhafer Nurkasa nuk hamendej fare sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës i “kishte ardhur në oborr”, patrullat e para të komandantit legjendar Adem Jashari, veç po dukeshin në lagjen e Nurkasëve, Xhelal Hajda – Toni me Daut Haradinajn – Davidin shumë shpesh patrullonin deri te “Rrasat e Rahavecit”, prandaj edhe Nurkasët e Rahavecit, Xhaferi i Zenelit e Samiri i Selimit bashkarisht e nisën këngën e lirisë për ta mbaruar në Betejën te “Lugu i Shqipeve” më 25 korrik kur në pavdekësi kalojnë edhe: Habib Berisha i Gurbardhit, Ramadan Morina i Çupevës, Ruzhdi Xhuliqi i Maralisë, Xhevat Kasapi, Gëzim Mullabazi e Samir Nurkasa, të Rahavecit, por nuk u thye Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk u thyen Anadrinasit e as Llapushasit, nuk ra “Maja e Zatriqit”, nuk ranë “Arat e Dulës” e nuk ra “Lugu i Shqipeve”, sepse nga Maja e Zatriqit këndonin “gulinovët” dhe “mitralozat” e legjendave të Majës; komandant Gjermanit, prof. Idriz Vehapit e të Agim Spahiut të cilët breshëronin nga “Maja e Zezë” vetëme vetëm për ditët më të bardha të Kosovës.
Dëshmori i kombit, Xhafer Nurkasa, djalë i nënës Habibe, bijë e Ramëve të Rahavecit, është i lindur më 24 korrik të vitit 1969. U lind dhe u rrit në një familje të varfër bujqësore e me punë krahu. Shkollën fillore e mbaroi në “Isa Boletini” të Rahavecit duke ëndërruar që ta përfundojë edhe gjimnazin në Rahavec për t’i filluar studimet në Fakultetin e Bujqësisë. Por shtypjet e dhunat serbe që u hetuan edhe tek bujqit e Anadrinit, në njërën anë e skamja në të cilën katandisej familja e Zenel Nurkasës, e detyruan Xhaferin të pushojë së ëndërruari për shkollim e t’i rreket bujqësisë për ta siguruar ekzistencën. Megjithatë, edhe si bujk i vyeshëm, Xhaferin nuk ndahet prej shokëve dhe përherë rrinte i gatshëm për pjesëmarrje në demonstrata dhe protesta kundër dhunës policore që ushtrohej në Kosovë e në Rrafshin e Anadrinit. Merr pjesë në Demonstratat e 27 janarit të vitit 1990 kur edhe zuri fill veprimtaria e organizuar rinore patriotike të cilën Xhaferi e Samiri e nisën në fshatin Hoçë e Vogël me formimin e Unionit të Pavarur të Nxënësve të Shkollave të Mesme. Në Rahavec organizohet me Abdullah Bugarin, Mizahir Ismën, Sadedin Hajdën e Nysret Cenën dhe kështu gjendet në vorbullën e vlimeve patriotike në Rrafshin e Anadrinit. U lakmonte shokëve që studionin në Universitetin e Prishtinës, por nuk i kishte mundësitë materiale, ashtu si djali i axhës Samiri, që u përjetësua vetëm pak metra larg Xhaferit. Kështu, duke u marrë me bujqësi, Xhaferi u bë bashkëprodhues i vyeshëm i rrushit në kodrinat idilike të Rahavecit.
Për herë të parë Xhaferi takohet me luftëtarët e lirisë më 27 maj të vitit 1998, në fshatin Burim i Epërm gjatë ceremonialit ushtarak për prëcjelljen e fundit që iu bë dëshmorëve: Sakip Bellaqa, Feim Gashi e Përparim Thaçi që ranë më 26 maj 1998 në “Udhën e Përudhës”, ndërmjet fshatrave Fortesë e Xërxë të Anadrinit. Atë ditë Xhafer Nurkasa u takua me legjandat e rezistencës, Xhelal Hajdën – Tonin të cilin e kishte mik familjeje dhe Selajdin Mullabazin – Micin që ishte idol i Nurkasëve, Xhaferit e Samirit. Këtu, te “Lisat” e Burimit të Epërm Xhafer Nurkasa betohet se do t’u bashkohet luftëtarëve të lirisë, dhe “e thone, e bone”, thotë populli.
Me daljen e Batalionit të Rahavecit në fshatin Astarzup, Xhafer Nurkasa sistemohet në këtë formacion dhe me formimin e skuadrës “Dallëndyshet” vepron në sektorin e logjistikës. Me urdhërin e Gëzim Hamzës-Piktorit, Xhaferi shtegton kah Shqipëria me grupin e dytë së bashku me shokët: Selami Merxha, Selami Hajrullaga, Ilvi Salihmusa, Hasan Rexha, Selim Shabandula, Bilall Durguti, Jahja Danuza, Dritan Hamza, Mehmed Tara, Shaban Jupa, Sabit Jupa, Fazli Hasani, Behar Haxhimustafa, Fadil Durguti e Samir Nurkasa. Xhaferi merr shtegun me këngë, dukej i hareshëm dhe shtegtonte si në dasëm sepse për luftëtarët e lirisë, shkuarja për armatim nëpër Malishevë, Shqiponjë e Gllogjan, Junik e Hoxhaj, ishte me të vërtetë dasëm e madhe për Kosovën e cila kërkonte që luftëtarët e lirisë të furnizoheshin me zjarr për beteja e fitore të reja, andaj edhe Xhafer Nurkasa përherë ishte i gatshëm për rrugë, për furnizim dhe armatim.
Me t’u kthyer “Dallëndyshet” nga Shqipëria, edhe Batalioni i Rahavecit, braktis “çerdhen” ku kishte lindur; prej Shkollës fillore të Astarzupit avancon kah “Rrasat e Rahavecit” duke u kazermuar nën “Kërshin e Keq”, pranë “Arave të Dulës” e bri “Lugut të Shqipeve”, buzë aksit rrugor Malishevë-Rahavec ose vetëm 2 kilometra larg “Rrasave të Rahavecit”.
Gjatë luftimeve përreth Rahavecit (17 – 21 korrik) Xhafer Nurkasa gjendet në pikat më të zjarrta si: “Rrasat e Rahavecit”, “Vorri i Bab-Agushit”, “Vorret e Shkijeve”, “Kroni i Gurit”, “Vuçaku”, “Mahalla e Sahatit”, “Gardhina”, “Qendra” e deri në “Rrihjet” e Rahavecit. Në këto luftime, brenda në qytet e në lugjet margjinale të Rahavecit, Xhaferit i përjetësohen shokët: Abdullah Bugari, Gëzim Hamza, Faik Rama e Bajram Veliu, i përjetësuan bashkëluftëtarët që kishin arritur në këtë betejë prej viseve të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërinë që t’u ndihmojnë anadrinasve në Fortesë e Rahavec: Agim Kelmendi, Tafil Zyberaj, Gani Paçarizi, Skënder Jahë Kastrati, Agim Çelaj, Sadik Shala, prof. Hamdi Berisha, Afrim Fazli Krasniqi e Liman Gegaj ndërsa në luftimet për “Majën e Shkodranit”, i ranë shokët: Mizahir Isma, Bekim Isma, Arian Brahimi-Shkodrani dhe Eshrafedin Kastrati, por edhe forcat serbe u dëmtuan e u thërrmuan totalisht dhe u paralizuan deri në ofensivën në “Lugun e Shqipeve” më 25 korrik të vitit 1998 kur u zhvillua “Koncerti i kanonadave” në “Lugun e Shqipeve”.
Pas tërheqjes së luftëtarëve të lirisë dhe të banorëve të Rahavecit në drejtim të fshatrave të Llapushës, në krye të Batalionit të Rahavecit arrin Xhelal Hajda-Toni me Selajdin Mullabazi-Micin dhe kështu vendoset “Gardhi defansiv” në krye të “Lugut të Shqipeve” me qëllim të mbrojtjes së popullsisë e cila ishte tërhequr dhe qe strehuar nëpër fshtrat e Llapushës, madje deri në Senik, Divjakë, Javor, Fshati i Ri, Malet e Berishës e në Kleçkën legjendare.
“Gardhi defansiv” në formë harku fillonte prej fshatit Zatriq, nëpër “Lugun e Remnikës”, “Krua të Asmanikës”, nën “Kërshin e Keq” bri “Arave të Dulës” e kah fshati Shkozë në mënyrë që të sigurohet mbrojtja prej këmbësorisë serbe e cila vërsulej në trajtë bandash të çmendura prej drejtimeve: Zaçisht, Hoçë e Madhe, Rahavec, Burim i Epërm, drejt Drenajt, drejt Zatriqit dhe “Lugut të Shqipeve”. Xhafer Nurkasa i ka istikamet së bashku me Gëzim Mullabazin, Xhevat Kasapin, Nysret Cenën e Sabit Jupën për Kurrizi të “Tepsijeve” ose bri “Lugut të Shqipeve” dhe deri anash “Majës së Shkodranit”. Deri në kthesën e parë te “Lugu i Shqipeve”, forcat serbe me këmbësori të madhe e me batalionin e blinduar të divizionit të Prizrenit, lëviznin në avantazh mirëpo paralizohen që në kthesën e parë kur edhe breshërohen prej “Majës së Zatriqit” kurse afër “Kërshit të Keq” nga sulmet e sinkronizuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, forcat ushtarake, policore e paramilitare pësojnë disfatë difinitive me ç’rast në fushëbetejë bien edhe komandantët e forcave serbe. Tanksat serbe i ndal duke i hedhur në ajër Mic Sokoli e Vojo Kushi i këtyre betejave, luftëtari i lirisë Habib Berisha i njohur si “Hoxha i Gurbardhit”, legjendë e luftimeve të Rahavecit, sot të dëshmor i kombit. Luftimet ishin të ashpëra, të vrazhda e të afërme që zhvilloheshin në bjeshkët e Rahavecit, të njohura për thatësi e shkurishte, luftime këto nën temperaturë ekstreme të 25 korrikut të vitit 1998, kur filloi “Koncerti i kanonadave”.
Në këto luftime marrin përjetësinë: Habib Berisha i Gurbardhit të Llapushës së Malishevës, Gëzim Mullabazi i Rahavecit, Xhevat Kasapi i Rahavecit, Samir Selim Nurkasa, Ruzhdi Xhuliqi i Maralisë dhe Ramadan Morina i Çupevës.
Rënia e këtyre luftëtarëve ishte një goditje e rëndë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, veçanërisht për luftëtarët e Malishevës, por as në këtë ditë nuk ra Malisheva, nuk u thyen “Lumët”, nuk u thyen “Pëllumbat”, nuk u thyen “Çelikanët” dhe nuk u thy Batalioni i Rahavecit, i cili më luftimet dyorëshe arrin për t’i tërhequr trupat e pajetë të Xhevatit, të Gëzimit e të Samirit të mbetur në “Qafën e Tepsijeve” pranë “Arave të Dulës”.
Xhafer Zenel Nurkasa me kurshëririn Samir Selim Nurkasa, me Xhevat Kasapin e me Gëzim Mullabazin, me nderime ushtarake u nxorën prej morgut të improvizuar të Malishevës dhe nën përcjelljen e bashkëqytetarëve të larguar te Rahavecit, u varrosën në “Zemër të Zonës së Lirë” në Malishevë. Në krye të kortezhit marshonin me respekt komandantët: Musë Jashari, Xhelal Hajda, Selajdin Mullabazi, Fadil Nimani e Ibrahim Mazreku, të cilët mbetën legjenda për betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përgjithësi dhe të Anadrinit në veçanti.
Pas përfundimit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëluftëtarët e Samir Nurkasës, të prirë nga Fahredin Hajda, Xhafer Kadiri e Arsim Durguti, organizojnë ceremonialin e rivarrimit të dëshmorëve të “Lugut të Shqipeve” dhe të gjithë vendosen në “Shtëpinë e Përjetshme” në krye të “Lugjeve të Verdha” të Rahavecit. Sot, mbi këto shtëpi që flasin për pavdekësinë e trimave, për t’i thënë fjalët burrërore gjendet edhe motra Sheribe e cila ligjëron për trimëritë e të vëllait Samirit, të kushëri Xhaferit e të kunetëve Xhelal e Sadedin Hajda. Pranë gjysheve, nënës Xhylë e nënës Hilmije ri edhe Samira, bijë e Samirit, dëshmor i kombit, e cila nuk e njeh të anë, por dëgjon rrëfime e kujtime për trimëritë e t’et Samir Nurkasa e të axhë Xhaferit. Këta mbetën krenari për nënat dhe motrat anembanë trojeve etnike të cilat i ndau Evropa për t’i bashkuar gjaku i samirëve e i xhaferëve anembanë shqiptarisë, të cilët e nisën por nuk e mbaruan “Këngën për Harenë e Madhe Kombëtare”, mirëpo e ekzekutuan me mjeshtëri “Koncertin në Lugun e Shqipeve”.
Dhe sot, në cepin e majtë të rrugës Prishtinë-Rahavec, bri lugut shkëlqen një lapidar për dëshmorët e “Majës së Shkodranit” e të “Lugut të Shqipeve” i cili ruan në vete krenarinë për t’ua përcjellur pasardhësve se këtu u zhvillua një luftë çlirimtare, se në korrik të vitit 1998 ranë 30 dëshmorë, se në cep të “Lugut të Shqiponjave” ra Xhafer Zenel Nurkasa i cili sot prehet pranë Tonit e Micit në “Lugjet e Verdha” të Rahavecit. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …