Rastësisht, duke shfletuar Fjalorin e gjuhës shqipe, u ndala te fjala “Absurd”, që vjen në kundërshtim me arsyen e shëndoshë e me logjikën, që është jashtë mendjes. Mendimi apo gjykimi absurd.
Seç më pushtoi një mllef i madh, i pafund. Dhe e pyeta veten, vallë në cilën kohë jetoj? Një mjegull e pafund që i ngjan absurdit. Nuk kam përgjigje për këtë. Thashë me vete, absurdi vepron, dikush duhet ta ndalojë…
Po kush ta ndalojë?!
Dikur na mbante hovi rinor gjallë, vrulli, ideali i pashembullt për liri dhe nuk na frikësonin as tanket armike, as bajonetat e tyre dhe as bishat vrastare të veshur me hekur. Një ideal titanik e mbajti popullin tonë në këmbë dhe ky ideal i pashuar nëpër kohë lindi shpëtimtaren e këtij vendi, me tri shkronja të arta: UÇK.
Shpëtimtarja e Kosovës lindi nga gjiri i popullit dhe e tillë do të mbetet përgjithmonë. Erërat dhe furtunat me mjegull do të bëjnë çmos që ta trandin, por nuk do të arrijnë kurrë një gjë të tillë, sa të ketë shqiptarë e gjuhë shqipe.
Liria e vendit tonë i ka rrënjët thellë-thellë në gjakun dhe sakrificën e bijve dhe bijave më të mirë.
Prapë fjala “Absurd” nuk më lë të qetë. Më kujtoi kryepersonazhin Jozef K. të Franc Kafkës (Franz Kafka), te romani “Procesi”. Kur e pata lexuar për herë të parë, mu duk shumë i vështirë për t’u kuptuar. Sa më shumë që përpiqesha ta kuptoja, aq më i vështirë bëhej kuptimi, i cili largohej tutje dhe futej në mjegullën e pafund.
Më vonë, kur e rilexova për herë të dytë, e kuptova që “Absurdi” dhe “Abstrakti” e pengojnë ndriçimin e së vërtetës, duke sajuar pastaj një kompleks të madh errësire, për të mos u dukur e vërteta, sepse vetëm kështu do të arrihej qëllimi ogurzi kundër Jozef K.
Kushedi sa të vështirë e pati Kafka kur e krijoi një roman të tillë, që mbase po paragjykoj, ia shkurtoi jetën. Eh, zgjodhi rrugën e hidhur dhe të vështirë, sepse dy rrugë kishte: të bëhej derr i kënaqur apo të bëhej Sokrat i vuajtur.
Ai zgjodhi më të vështirën, të dytën. E vërteta është vuajtje, sakrificë që dhemb deri në vetëflijim, por që rilind si feniksi, nga hiri i vet.
Dhe nëse nuk do të kishte njerëz të tillë, e vërteta do të shembej dhe do të zhdukej dhe hienat do ta pushtonin botën.
Kthehem në aktualitet.
Padyshim, gjyqi maratonik që po zhvillohet ndaj luftëtarëve të lirisë dhe njëkohësisht heronjve tanë të gjallë të UÇK-së, në Gjykatën Speciale në Hagë: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve, është gjyqi më absurd dhe më i padrejtë që ka parë bota ndonjëherë.
Këta burrështetas të Kosovës, të luftës dhe të paqes, të sakrificës dhe vetëmohimit, nuk e meritojnë të mbahen atje, peng, larg familjes dhe popullit të vet. Presidenti Thaçi është arkitekti i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës, dhe ditën kur u mor peng atje, mu duk se edhe lirinë, edhe pavarësinë na e mban peng ajo gjykatë e njëanshme, padyshim absurde. Sot, si një jehonë e pambarim, më kumbojnë fjalët e tij, që nuk mund t’i largoj kurrë nga mendja dhe nga zemra “…Shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”. Dikur ishte veç një ëndërr, ai e bëri realitet.
Dikush po mundohet ta shtrembërojë historinë, por historia e vërtetë nuk mund të ndryshohet dhe nuk mund të rishkruhet. Kosova po pret krahëhapur që t’i kthehen bijtë e vet nga kjo ‘betejë’ e fundit, e gjatë dhe stërmunduese, si gjithherë, fitimtarë dhe me kokën lart.