Përfaqësues të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës kanë kryer të gjitha obligimet për themelimin e Gjykatës Speciale. Është bërë gati edhe infrastruktura juridike për Gjykatën kundër UÇK-së, duke përfshirë këtu edhe aprovimin nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, tha se të gjitha veprimet për formimin e kësaj gjykate janë ndërmarrë, duke respektuar ligjet e Kosovës dhe rregulloret e veçanta dhe sipas tij nuk ka asnjë arsye që institucionet e Kosovës të mos bashkëpunojnë me këtë gjykatë. “Në Kosovë nuk ka ndonjë çështje të pazgjidhur. Deri tash të gjitha çështjet janë miratuar në Kuvend dhe janë dërguar në Bruksel. Tani ka mbetur që Brukseli të bëjë rekrutimin e gjyqtarëve”, tha Haliti.
Edhe në Qeverinë e Kosovës thonë se obligimet e tyre karshi Gjykatës Speciale kanë përfunduar. Besnik Berisha, këshilltar i Jashtëm për çështje të Drejtësisë në zyrën e kryeministrit të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo çështje tash është e përfunduar dhe se qeveria nuk ka dhe nuk do të duhej të përzihej në punët e sistemit të drejtësisë. Ideja për themelimin e një Gjykate Speciale raciste, antishqiptare sipas Besnik Berishës buron mbi bazën e hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, lidhur me akuzat e Dik Martit, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dyshimet e tilla janë hedhur edhe mbi ish-udhëheqës të lartë të UÇK-së, të cilët aktualisht mbajnë poste të larta në institucionet e Kosovës, që nga presidenca e deri te dikasteret tjera të qeverisë, por edhe të partive politike. Gjykata pritet të hetojë vrasjet e bashkëpunëtorëve të Serbisë në periudhën 1999-2000 nga pjesëtarë të UÇK-së për sikur thuhet vrasjen e kundërshtarëve politikë. Gjykata Speciale pritet të fillojë punën gjatë këtij viti. Selia e saj do të jetë në Hagë të Holandës. Të arrestuarit dhe të burgosurit do të ekstradohen nga Kosova në vende të ndryshme të BE-së.