Xhavit Hazir Kelmendi (13.3.1977 - 1.4.1999)

Xhavit Hazir Kelmendi (13.3.1977 – 1.4.1999)

Xhavit Hazir Kelmendi lindi më 13 mars 1977 në fshatin Karaçicë të Drenicës së Epërme. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në Pjetërshticë, ndërsa shkollën e mesme në Therandë (ish-Suharekë). Ai rrjedh nga një familje ekonomikisht e varfër, e cila mezi siguronte kafshatën e gojës, por me traditë të pastër atdhetare. Kur trokiti ora e historisë nga kryekomandanti Adem Jashari, për t’i shporrur prangat e robërisë shekullore, Xhaviti së bashku me të vëllanë, Shaipin, Sejdi Elezin, Naser Kelmendin e bashkëvendas të tjerë, pa hezituar, iu bashkohet luftëtarëve të lirisë.

Që në fillim pati fatin të angazhohet në njësitet luftarake të komandant Kumanovës, trimit të mirënjohur Ismet Jashari. Duke parë trimërinë dhe shkathtësitë luftarake të Xhavitit, komandant Kumanova e angazhon në shumë luftime, që zhvilloheshin atëbotë, sidomos në Grykën e Carralevës, grykë kjo strategjike, që ishte bërë ferr për forcat kriminale serbe.

Pas ofensivave të korrik-gushtit të vitit 1998, ushtarët e fshatrave Karaçicë dhe Dukë, që vepronin në njësitet e komandant Kumanovës, iu bashkuan Batalionit II “Ruzhdi Salihu” të Brigadës 121 në Grykën e Krojmirit.

Xhavit Kelmendi, Shaip Kelmendi, Sejdi Elezi e luftëtarë të tjerë të Karaçicës vëzhgonin dhe ruanin pozicionet mbi Grykën e Krojmirit, ku më 26 korrik të vitit 1998 ishte zhvendosur popullata civile e fshatrave: Krojmir, Karaçicë, Dukë, Pjetërshticë, etj. Xhaviti shpeshherë depërtonte deri në afërsi të forcave armike për të hulumtuar numrin e pjesëtarëve dhe sasinë e municionit që e dispononin. Falë vëzhgimit që ai me bashkëluftëtarë e tij i bënin terrenit, forcat okupatore asnjëherë nuk arritën të befasojnë popullatën civile.

Më 12 nëntor të vitit 1998, Xhavit Kelmendi së bashku me Basri Krasniqin nga Duka, te vendi i quajtur Gurra e Balës, në fshatin Dukë, sulmojnë policët serbë, të cilët kishin ngarkuar një traktor me plaçka. Sulmi ishte kryer në befasi. Me atë rast Xhaviti me Basriun kishin vrarë pesë policë serbë dhe kishin plagosur një tjetër. Këtë humbje e pranojnë edhe vetë forcat serbe. Në emisionin e lajmeve të RTS-së, atë natë, u njoftua për humbjet që kishin pësuar. Në shenjë hakmarrjeje, bandat e uniformuara serbe kishin goditur me predha të shumta minahedhësish fshatrat: Pjetërshticë, Dukë dhe Karaçicë, Caralevë dhe Krojmir. Për shkak të granatimeve të pareshtura, popullata e Pjetërshticës, e sapokthyer nëpër shtëpitë e shkatërruara e të djegura, detyrohet të zhvendoset në drejtim të Krojmirit e të Shalës.

Duke vërejtur angazhimin, guximin, zhdërvjelltësinë dhe trimërinë e treguar në shumë aksione luftarake, në nëntor të vitit 1998 Xhaviti inkuadrohet në Njësitin Special Diversant-Vëzhgues të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Gjatë stërvitjeve kishte epror, oficerin e ushtrisë shqiptare, të mirënjohurin Tahir Sinani nga Tropoja, dëshmor. Në kohën e intensifikimit të sulmeve serbe në Drenicën qendrore, Xhaviti me disa luftëtarë të tjerë të Njësitit Special, si Milaim Beha, Vezir Kolshi, Fatmir Maliqi angazhohet në përforcime ushtarake. Ai merr pjesë në shumë sulme kundër forcave serbe kudo në Drenicë, duke filluar që nga Likoci, Rezalla e deri në Açarevë.

Më 31 mars të vitit 1999, Xhaviti së bashku me shokun e tij të pandarë, Vezir Kolshi, kthehet në Drenicën e Epërme. në selinë e Shtabit të Përgjithshëm në fshatin Divjakë. Edhe pse kishte leje të pushonte një natë dhe ta merrte veten nga rrugëtimi i pandërprerë, Xhaviti pa vonuar rikthehet në front, meqë forcat armike vazhdonin ofensivën kundër bedeneve të pathyeshme të Rrafshnaltës, ku ndodhej SHP i UÇK-së, Selia e Qeverisë së Përkohshme, Radio Kosova e Lirë, Agjencia KosovaPress, Spitali ushtarak në Divjakë dhe rreth 100 mijë banorë të zhvendosur në malet e kësaj rrafshlarte.

Të nesërmen, më 1 prill, kur forcat serbe ndërmarrin ofensivën e quajtur “Patkoi” dhe kishin vënë në rrethim të hekurt fshatrat e Drenicës së Epërme, Xhaviti, së bashku me disa luftëtarë të njësisë diversante-vëzhguese u bashkohet njësiteve mbrojtëse në fshatin Tërpezë të Malishevës.

Atë ditë zhvillohet përleshje e ashpër dhe luftëtarët e UÇK-së  me vetëmohim e sakrificë pamundësojnë depërtimin e forcave serbe në rrafshnaltë. Në përleshje frontale me armikun atë ditë kishte qëndruar dhe kishte rënë heroikisht në fushën e nderit luftëtari, ushtari sypatrembur Xhavit Hazir Kelmendi dhe Vezir Kolshi nga Baica. Pas luftimeve të ashpra, shokët e tij kishin arritur ta tërheqin trupin e pajetë të Xhavitit, të cilin pa vonuar e dërgojnë te Shtabi lokal i Krojmirit, ku edhe iu bënë homazhet dhe nderimet ushtarake.

Natën e asaj dite, të mbushur me shqetësime, vrasje, sulme të pareshtura, zhvendosje të dhjetëra e mijëra banorëve në drejtim të Grykës së Krojmirit, disa ushtarë e bashkëfshatarë, trupin e Xhavitit e nisin në drejtim të varrezave të fshatit Karaçicë.

Edhe pse fshatin Karaçicë e kishin djegur e rrënuar barbarët serbë, luftëtarët çlirimtarë, me propoizimin e vëllait të dëshmorit dhe bashkëluftëtarit dhe bashkëluftëtarit, Shaip Kelmendi, vendoset që varrimi të bëhej me nderime ushtarake në varrezat e fshatit.

Atë natë me terr e mjegull, te Varrezat e fshatit. pë t’i dhënë lamtumirën e fundit shkuan qindra ushtarë dhe pjesëtarë të popullatës civile. Ceremoninë mortore e kishte organizuar komandanti i Kompanisë së Caralevës, Naim Ismajli me togen e tij ushtarake. Në varrim morën pjesë edhe komandanti i Batalionit “Ruzhdi Salihu”, eprori Elez Durmishi, redaktori i Radios Kosova e Lirë, Nezir Myrtaj, përgjegjësi i radios, Ahmet Qeriqi e shumë liridashës të tjerë.

Derisa nata e zezë sterrë dhe mjegulla e dendur kishin kapluar vargmalet jugore të Drenicës. Ndërsa, në vendluftime nëpër frontet e luftës po dëgjohej gjëmimi i topave të armikut, krismat e pushkëve të bashkëluftëtarëve të Xhavit Kelmendit i dhanë pëshëndetjen e fundit, luftëtarit të përkushtuar të luftës çlirimtare.

Mirënjohje familjes së dëshmorit Xhavit kelmendi i dha Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme, SHP i UÇK-së dhe instanca të tjera të shoqatave të dala nga lufta. (Sh. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …