Xhavit Ragip Kozhani (19.3.1966 - 26.5.1999)

Xhavit Ragip Kozhani (19.3.1966 – 26.5.1999)

Tradita liridashëse e banorëve të fshatit Ribar i Madh i Lypjanit, tani Ilirias, është përcjellë nga brezi në brez, qysh nga koha e sundimit turk. Janë shquar për trimëri, luftë dhe rezitencë kundër okupatorit serb: Salih Rexha, Kadri Beba, Rexhep Salih Rexha, Rifat Rexha dhe disa trima të tjerë të NDSH-së, që ranë në përpjekje për të mos lejuar ripushtimin serb të Kosovës. Luftës së Usbrisë Çlirimtare të Kosovës, Iliriasi i ka dhënë dëshmorin: Xhavit Kozhani, ndërsa janë martirizuar nga forcat okupatore serbe: Ajet Kozhani, Nuhi Kozhani, Vahide Kozhani, Beqir Duriqi, Rrahim Hoti, Hamdi Hoti, është plagosur nga forcat okupatore, Enver Hamdi Hoti.

Xhavit Kozhani lindi më 19 mars të vitit 1966 në fshatin Ribar i Madh, komuna e Lypjanit, në familjen e Ragip dhe Mirishahe Kozhanit, të cilët rritën bijtë: Milaimin, Xhaviti n e Nexhatin dhe tri bijat: Mevliden, Fatimen e Ajkunën. Xhaxhai i Xhavitit, Ibrahim Kozhani ishte dalluar për veprimtari atdhetare. Në vitet 60 të shekullit të kaluar për veprimtari të cilësuar antijugosllave, dënohet me 4 vjet burg të rëndë.

Mësimet e para, Xhaviti i mori në vendlindjen e tij. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike, drejtimi i xehetarisë, në Qendrën e Mesme Shkollore “Ulpiana” në Lypjan, në vitin 1985.

Për të ndihmuar dhe për ta ngritur ekonomikisht familjen, Xhaviti shkon për të punuar në qytetin Pazin të Kroacisë, ku bëri punë të ndryshme fizike. Dy vjet më vonë kthehet në vendlindje dhe zë punë në Minierën e Magnezitit në Golesh-Magurë, ku ka punuar deri në vitin 1990, deri në kohën kur regjimi okupator serb fut masat e dhunshme dhe largon nga puna të gjithë liridashësit shqiptarë në tërë territorin e Kosovës.

Asokohe Xhaviti martohet me Feride Osmanin nga Magurja. Nga kjo martesë dhe jeta e harmonishme bashkëshortore rritën dy bijat: Arbnoren e Mirishahen dhe dy djemtë: Qëndrimin e Shkëlqimin.

Pasi kishte krijuar familje, Xhaviti detyrohet të punojë edhe më me zell për ta ngritur atë. Asokohe bën punë ndërtimtarie në vendlindje dhe në vende të tjera të Kosovës.

Kishte dijeni lidhur me aktivitetin atdhetar të grupeve të para të armatosura të UÇK-së, që vepronin në Drenicë, meqë në fshatin Fushticë kishte të martuar edhe motrën e vet, të cilën asokohe edhe e vizitonte shpesh.

Në maj të vitit 1998, Xhavit Koxhani, vendos përfundimisht për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kishte një pushkë personale gjuetie. Me atë armë, por me besim të patundur në fitore, pranohet në radhët e UÇK -së në fshatin Llapushnik. Qysh prej zënies së Grykës së Llapushnikut, më 9 maj të atij viti, Xhaviti do të qëndrojë i patunduar në barrikadat e kësaj gryke historike të luftës së UÇK-së.

Duke parë shkathtësinë dhe përkushtimin e tij, komanda e armatos me një mitraloz të markës “PKT”, të cilin nuk e lëshoi nga dora, nga pika në pikë, nga fronti në front, deri në rënien e tij heroike.

Ka marrë pjesë aktive në luftimet që janë zhvilluar në hyrje të fshatit Fushticë, kundër forcave serbe më 24 korrik 1998. Ishte në radhët e para edhe në luftimet që u zhvilluan po atë ditë, kur forcat serbe po përgatiteshin përfundimisht për ofensivën e 25 dhe 26 korrikut të vitit 1998, ku në mbrojtje të Grykës së Llapushnikut, ranë dëshmorë luftëtari emblematik, Imer Alushani nga Komarani, pastaj Ali Zogaj nga Lladrovci, ndërsa qenë plagosur lehtë e rëndë disa dhjetëra luftëtarë të lirisë. Me rastin e tërheqjes së popullatës së fshatrave të Drenicës jugore në drejtim të grykave të Kizharekës e Berishës, të Nekocit e Baicës, Xhavit Kozhani me njësitin e tij mori pjesë aktive në evakuimin e kësaj popullate, e cila u strehua në Gykën e Kizharekës e të Berishën, në grykat malore të Nekocit, Baicës, Shalës, Krojmirit e Pjetërshticës.

Me rastin e ristrukturimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u bazuar në përkushtimin, meritat dhe aftësinë e treguar nëpër frontet e luftës, Komanda e Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova” e cakton komandant të Skuadrës së Tretë, Toga e Parë e Kompanisë së Katërt të Batalionit të Dytë të kësaj brigade.

Rrezja e veprimit për luftë dhe vëzhgim të terrenit, e skuadrës së Xhavit Koxhanit përfshinte një territor të caktuar në kompleksin pyjor të Blinajës në fshatrat: Magurë, Ribar i Madh, Rreze etj.

Mori pjesë aktive në luftimet e kohëpaskohshme që zhvilloheshin në vendluftime të ndryshme, ku shtriheshin pozicionet e Brigadës 121, “Ismet Jashari-Kumanova”.

Ka marrë pjesë aktive në luftimet për mbrojtjen e bedenit më të rëndësishëm të UÇK-së, te Shkëmbi i Gradinës, më 18 prill të vitit 1999, me ç’rast kanë rënë dëshmorë: Halim Bajraktari, Mentor Morina, Islam Kastrati, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi.

Në ditët vijuese Xhavit Koxhani me bashkëluftëtarët e tij, pozicionohet në njësitet luftarake të fshatit Shalë (ish-Sedllar) të Drenicës.

Skuadra e tij ishte pozicionuar përballë forcave serbe në hyrje të fshatit. Atje ndodhej edhe ish – mësuesi i tij, eprori i UÇK-së, Heset Sahiti nga fshati Poturoc i komunës së Lypjanit, shumë luftëtarë të fshatit Shalë dhe disa luftëtarë të tjerë të fshatrave përreth Blinajës.

Në maj të vitit 1999, Xhavit Koxhani me disa bashkëluftëtarë mban nën vëzhgim pyjet e Blinajës, ku ishin futur mijëra forca të këbmësorisë okupatore serbe. Asokohe, në pjesën lindore të kompleksit pyjor të Blinajës, ishin zhvendosur edhe banorët e fshatit Ribar i Madh dhe të shumë fshatrave të tjera rreth Blinajës. Xhaviti shkon me qëllim për të ndihmuar popullatën dhe për ta parë familjen, e cila jetonte në tenda plastmasi, në kushte tejet të rënda ekzistenciale, në pjesën lindore të këtij kompleksi pyjor.

Më 25 maj, Xhavit Kozhani, meqë kishte njohuri për përgatitjet që bënin forcat serbe për të sulmuar pozicionet e UÇK -së dhe popullatën e strehuar në pyjet e Blinajës, depërton me disa luftëtarë te popullata civile ku kishte edhe familjen e tij.

Më 26 maj, forcat serbe fillojnë granatimin e fuqishëm në drejtim të fshatit Ribar i Madh, me ç’rast, në rrethana të caktuara, sidomos duke u tërhequr me traktorë dhe automjete, vritën nga forcat policore serbe: Ajet Kozhani, Nuhi Kozhani, Vahide Kozhani, Beqir Duriqi, Rrahim Hoti, Hamdi Hoti, ndërsa plagoset Enver Hamdi Hoti.

Në momentet kritike, Xhavit Koxhani ndodhet në mesin e popullatës, duke ndihmuar evakuimin. Kishte nxjerrë nga mesi i popullatës një grup të rinjsh, të cilët donte t’i strehonte në një vend të sigurt, sepse me të drejtë mendonte se do t’iu rrezikohej jeta, po qe se binin në duart e kriminelëve serbë. Për ta realizuar planin e tërheqjes së grupit të të rinjve, ishte nisur në drejtim të Zborcit, ku ndodheshin njësitet e UÇK-së. Duke qenë se depërtonte në një terren i cili nuk ishte nën vëzhgim, Xhaviti si ushtar me përvojë .nuk merr me vete asnjë prej shokëve, me qëllim për të mos i rrezikuar.

Në hyrje të fshatit Zborcit, në anën lindore të telave të Blinajës, hetohet nga forcat serbe të cilat godasin pa paralajmërim. Xhaviti merr pozicion sulmi dhe zbraz në tërësi karikatorin e automatikut në drejtim të forcave policore serbe. Bie në altarin e atdheut me armë në dorë.

Disa ditë më vonë, pas tërheqjes së forcave policore e ushtarake serbe, bashkëluftëtarët e tërheqin trupin e Xhavitit dhe e varrosin me nderime.

Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Kuvendi Komunal i Drenasit dhe nga instanca të tjera organizative.

Arbnorja e Mirishahja, Qëndrimi e Shkëlqimi, prore e kujtojnë dhe ndihen krenarë për babanë dëshmor. Ata po rriten nën përkujdesjen e nënës së tyre, Ferides, xhaxhallarëve dhe të afërmve. (A. Q)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …