Xhavit Sadrijaj: Intervenimi i NATO-s në Kosovë ishte rasti historik i kësaj aleance që nga themelimi

Fjala e kolonel Xhavit Sadrijajt në përurimin e  Librit  “INTERVENIMI I NATO-S NË KOSOVË”,  i autorit Nusret Pllana. Libri  u promovua edhe në Berlin

I nderuari z. Fadil Ismajli, Ministër i zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës

I deruari Ambasador i Republikës së Kosovës, z. Skender Xhakaliu

Të nderuar përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Shqiperisë

I nderuar Prof. dr. Afrim Hoti

Të nderuar të pranishëm,

Ndjehem i privilegjuar që në cilësi të mikut të autorit Dr. Nusret Pllana, më është dhënë rasti t’i them para jush disa fjalë për librin e tij,  Intervenimi i NATO-s në Kosovë, i botuar në shqip në vitin 2010, ndërkaq në versionin anglisht më 2011.

Ju flet Kosova e lirë, Ju flet Kosova e lirë….” ishte ky zëri i shpresës i cili transmetohej çdo ditë jo më larg se 100 metra vijë ajrore nga vendkomanda ime, në atë kohë si Ndihmës Komandant i Brigadës 121 “Ismet Jashari KUMANOVA” dhe nga pozicionet luftarake të cilat fuqishëm dhe me shumë sukses i mbronin trimat e kësaj Brigade të Lavdishme, duke mbrojtur kështu edhe selitë e të gjitha institucioneve udhëheqëse dhe mediatike të UÇK-së dhe duke ua shpëtuar jetën mbi 70.000 qytetarëve të strukur në grykat e vargmaleve të Berishës.

Njeriu që i fliste  këto fjalë  ishte z. Nusret Pllana – tani Doktor Shkence, i cili sonte është me ne këtu në Berlin, dhe para nesh sjell librat e tij shumë domethënëse dhe historike njëkohësisht, mbi terrorin dhe tmerrin që përjetoi populli ynë si dhe përfundimin e atij tmerri i cili u arrit duke iu falënderuar përjetësisht punës dhe veprës së madhe të UÇK-së e cila bashkë me Aleancën Veriatlantike përgjithmonë dëbuan pushtuesin shekullor nga trojet tona.

Do e vazhdoj këtë fjalim sonte me një faqe nga ditari im i luftës që është shkruar mu në vendin ku unë për herë të parë takova dhe njoha z. Pllana dhe tërë stafin e Radios Kosova e Lirë, ku kaluam goxha kohë së bashku, shkëmbim mendimesh dhe përvojash interesante në ato rrethana të jashtëzakonshme lufte.

Është shkruar natën e fillimit të sulmeve ushtarake ajrore të NATO-s:

Edhe pse nuk mendoja se do arrihet konsensus i shpejt për ndërhyrje kjo ndodhi. Sonte është krejt ndryshe mbi malet e Berishës. Jam këtu me ca bashkëluftëtar, Muharremi, Fadili, Izeti, Elmiu ….. është një çast i papërshkrueshëm ky, shpresë, gëzim dhe frikë njëkohësisht. Mbi ne ushton qielli, natë është, asgjë nuk shihet, të gjithë shikojmë lartë drejt ushtimave të aeroplanëve, papritmas dy flakë ndriçuan qiellin, pas disa sekondave eksplodim i fortë mbi fshatin Tërpezë, mu para nesh, një aeroplan u rrëzua, athua mos qëlloj dikush nga popullata afër. Disa qindra metra edhe një eksplodim  tjetër, është aeroplani i dytë i rrëzuar. Të nesërmen mësuam, ishin këta dy MIG 29 të forcave serbe. NATO qëllon, është e saktë…. Veç po e shoh horizontin e fitores. Jam i sigurt se forcave armike kjo nuk është duke u pëlqyer dhe ndjej njëfarë frike si ethe në vete, athua si do ja kaloj popullata e pa mbrojtur tani, a do jetë cak hakmarrjeje. Kjo më është një pyetje e vështirë  tani e që gëzimin e mëparshëm në frikë ma shndërron.

Tërpezë 24. 03. 1999, 21.30

Të Nderuar te pranishëm:

Intervenimi i NATO-s në Kosovë është rasti më historik i kësaj aleance që nga themelimi i saj. Pas luftës së Ftohët apo “Rënies të Perdes së hekurt” që ndërlidhet shumë edhe me Berlinin ku ne sonte gjendemi, në njëfarë mënyre NATO-ja humbi kuptimin e të ekzistuarit pasi që arsyeja e themelimit të saj nuk ekzistonte më. Ngjarjet në dallgën Ballkanike të fundshekullit XX gjegjësisht Lufta Çlirimtare e  Kosovës, fuqishëm e rikthyen Aleancën në skenë, duke dëshmuar nevojën e madhe për ekzistencën e saj dhe duke përcaktuar dimensione dhe koncepte të reja strategjike të mbrojtjes dhe sigurisë për Aleancën në lëmshin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Intervenimi i NATO-s në Kosovë ka shpëtuar shumë jetë…. Jamie Shea

Të nderuar te pranishëm, pse NATO-ja ndërhyri ne Kosovë?

  • Ndërhyri pas sulmeve të diktatorit serb Sllobodan Milosheviq dhe përkrahësve të tij kundër një popullate të pambrojtur,
  • Ndërhyri pas mësimeve të mësuara në Bosnjë dhe Hercegovinë
  • Ndërhyri pasi u harxhuan të gjithë mekanizmat e mundshëm të diplomacisë,
  • Ndërhyri kur u kuptua se me Millosheviqin nuk mund të bëhet paqe,
  • Ndërhyri për të mbrojtur mijëra civilë të pafajshëm nga një ofensivë ushtarake që kërcënonte t’i gllabërojë ata.
  • Ndërhyri për të mbrojtur stabilitetin në Ballkan dhe për të çuar përpara kauzën e paqes.
  • Ndërhyri për mbrojtjen e viktimave të pafajshme nga një tiran brutal.
  • Ndërhyri për të parandaluar operacionin famkeq PATKOI të hartuar nga gjeneralët e Millosheviqit

Ndërhyri siç shkruan autori Dr. Nusret Pllana në librin e tij, për të parandaluar gjenocidin, apo zhbërjen e një pjese të tërësisë së kombit shqiptar dhe, për pasojë, zhbërjen të  një pjesë të gjeografisë sonë kombëtare.

Analiza e rëndësisë historike të rolit të NATO-s në Kosovë ka rëndësi jo vetëm historike njohëse, por para së gjithash për të kuptuar rolin dhe karakterin e NATO-s, misionin dhe aftësinë e saj implementuese.

Pa NATO-n as parimet universale të Kartës së San Franciskos, as Parimet Euro-Atlantike të Helsinkit, as paqja e stabiliteti në Ballkan dhe as zgjidhjet e mëtutjeshme nuk do të mund të arriheshin.

Prandaj ndërhyrja e NATO-s në Kosovë është baza e një  vlerësimi të lartë për Aleancën dhe përcaktues i vendit dhe rëndësisë historike të saj për sot si dhe koncept i ri për të ardhmen në rendin e ri botëror.

Rasti i ndërhyrjes së NATO`s në Kosovë është më rëndësi të veçantë dhe si i tillë ka impakt të dyfishtë  në marrëdhëniet ndërkombëtare:

Me Kosovën mbyllet kapitulli i rendit të krijuar gjatë Luftës së Ftohtë si dhe i hapet rruga rendit të ri botëror që  është duke u krijuar.

Në librin Intervenimi i NATO-s në Kosovë autori Dr. Nusret Pllana ka përmbledhur dhe forcuar lidhjet e pa shmangshme argumentuese në mes të intervenimit te NATO-s në Kosovë dhe koncepteve klasike doktrinare të intervenimit humanitar si segment i ri në politikat dhe konceptet strategjike të Aleancës për mbrojtje dhe siguri ndërkombëtare.

Me Ndërhyrjen në Kosovë NATO ka nisur një kapitull të ri dhe ka vendosur standarde të përhershme mbi intervenimin humanitar duke marrë si bazë vlerën më të shejtë, atë të jetëve njerëzore, bazë e cila vuri dhe përforcoi themelet e luftës përtej kufijve kombëtarë dhe gjeografik.

Përmes gjashtë kapitujsh autori sqaron situatën në Evropën juglindore duke filluar nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, zhbërjen e dy dinosaurëve federativ – BRSS dhe RSFJ, luhatjet në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhembjet dhe tragjeditë që ky proces shkaktoi, posaçërisht në rastin e shpërbërjes së RSFJ, gjenocidin në Bosnjë dhe Kosovë, të shkaktuar nga forcat kriminele fashiste serbe, duke vazhduar pastaj me zhvillimet politike të fundshekullit XX, me theks te veçantë rrjedhën dhe ndikimin  e tyre në Kosovë, më pastaj autori shtjellon në mënyrë gnoseologjike, kronologjinë e lindjes dhe zhvillimit të aleancës më të fuqishme në botë, samitet dhe kongreset në disfavor të shqiptarëve të Kosovës si arsye e nxitjes se Evropës për të përmirësuar gabimet pas një shekulli e që sipas autorit shërbyen si parakusht për ndërhyrje ndaj forcave serbe në Kosovë nga NATO-ja, sukseset dhe dilemat e kësaj ndërhyrjeje, posaçërisht kundërthëniet e ndërhyrjes të cilat kanë ndarë në dysh opinionin publik ndërkombëtarë.

Autori kurrsesi nuk i ikë faktit se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ka hasur në përplasje të mëdha në mes të disa shteteve që fuqimisht ishin kundër kësaj lufte të drejtë të NATO-s e që edhe sot janë kundërshtarë të Pavarësisë së Kosovës, të cilat për arsyet e tyre bënë dhe e bëjnë edhe më tutje një gjë të tillë, duke mos tradhtuar kurrsesi miqësinë e përhershme me Serbinë.

Në fund autori mëton rëndësinë e themelimit, rritjes dhe efikasitetin e ushtrisë më të suksesshme guerile në botë UÇK –së , Ushtri e cila përfundimisht ndryshoi realitetin në tokën e vuajtjeve shekullore, duke kthyer lotët në buzëqeshje dhe shpresë për popullin e vuajtur shqiptarë dhe duke realizuar amanetin e lënë brez pas brezi.

Luftën e bënë djemtë më idealistë dhe vajzat më të mira të këtij populli, të radhitur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka thënë autori, e unë kësaj po ia shtoj thënien time që, parim e kam në çdo hap “ I mallkuar për jetë qoftë ai që për përfitime personale shkelë mbi gjakun e dëshmorëve”.

Lavdi e përjetshme të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë, paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe krijimin  e një realiteti shpresëdhënës në shtetin më të ri në botë.

Faleminderit Dr. Pllana për librat që do t’u shërbejnë aq shumë brezave që do të vijnë, për të mësuar për themelet e shtetit tonë të dashur shume të çmueshëm e shumë të shtrenjtë, Republiken e Kosoves, që po ndërtohet mbi gjakun e djemve dhe vajzave tona më të mira.

Ju faleminderit

Kolonel, Xhavit Sadrijaj

Berlin, 11. 04. 2014

P.S.  Adelina Sadrijaj – vajza 17 vjeçare e luftëtarit të lirisë, Kolonel Xhavit Sadrijaj, e cila prezentoi me një pikë muzikore në promovimin e veprave të Dr.Pllanës, para se të filloi interpretimin e një këngë me kitarë, me titull:

 “Kur do pushoj kjo këngë…” nga Jericho, e prekur nga skenat e filmit dokumentar “Rrugëtimi i një libri nëpër botë”, u shpreh kështu:

Para se me ia fillu këngës, pata dëshirë edhe unë me i thënë disa fjalë, edhe pse ndoshta mua më  së paku më takon me folë, po besoj qe secili prej nesh, pas përcjelljes së këtij dokumentari dhe fotografive rrënqethëse ndjen diçka thellë në shpirt që ke dëshirë me e shprehë.

Mua  babi gjithë m’ka folë për historinë si dhe në nje masë edhe si ka qenë lufta çlirimtare në Kosovë, por mu s’ma ka marrë mendja kurrë që ka pasë kësi gjana kaq të tmerrshme, që as nuk kam mund  me i paramendu. Kah i shikoja këto  fotografi i paramendojsha moshatarët e mi, veten në ato situata, edhe një  pikëpyetje n’trurin tim vetëm  shkonte duke u ba më e madhe, dhe  e pyesja veten se, çka kisha ba unë në ato situata?!! Për mendimin tim ky libër është pasuri për popullin tonë dhe vuajtjet e tij. Këtë libër duhet ta shfletojmë dhe debatojmë, ta kemi si një pasqyrë  për të shiku se çfar gjenocidi ka bo nji regjim kaq barbar mbi neve, se fatkeqësisht populli ynë vetëm  po shkon duke u asimiluar në mërgim, sepse është shumë  larg të së vertetës. E këtë libër duhet me e bajtë  brez pas brezi, që historia jonë e dhimbshme kurr mos me u harru.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …