Xheladin Brahim Asllani (23.8.1970 – 23.5.1999)

Xheladin Brahim Asllani (23.8.1970 – 23.5.1999)

Fshati Makermal i Drenicës është i njohur për luftë dhe rezistencë kundër pushtuesve. Luftës së UÇK-së ky fshat i ka dhënë dëshmorët: Zymer Goxhuli, Faik Goxhuli, Nasuf Goxhuli, Ilir Asllani, Islam Asllani dhe Xheladin Asllani (nga lagjet Goxhuli e Asllani), ndërsa nga lagja Gjinovci: Safet Gjinovci dhe Ajet Gjinovci.
Brahim dhe Dudije Asllani nga Makërmali kanë lindur dhe kanë rritur, bijtë: Xheladinin, Bekimin, Besimin, Fidanin dhe Habibin, si dhe bijat: Afërditën, Linditën, Shotën, Valentinën dhe Besartën.
Gjyshi i Xheladinit, emrin e të cilit e ka trashëguar nipi – dëshmor i UÇK-së, ka qenë bashkëluftëtar i Shaban Palluzhës. Në kohën kur forcat partizane e çetnike jugosllave kishin rrethuar Kullën e Azem Aruçit, ku në shkurt të vitit 1945 ndodhej Shaban Palluzha, kishte marrë pjesë në luftime, i kishte udhëhequr ato dhe kishte rënë trimërisht në ballë të luftës.
Traditën atdhetare të qëndresës dhe luftës kundër pushtuesit kjo familje e ka ndjekur edhe në luftën e UÇK-së, kur Brahim Asllani së bashku me bijtë e të afërmit iu bashkuan radhëve të çlirimtarëve dhe e ndihmuan në çdo formë luftën në zonën e Drenicës.
Xheladin Asllani u lind më 23 gusht të vitit 1970, në Makërmal. Mësimet e para i mori në shkollën e fshatit të vendlindjes. Edhe pse kishte regjistruar shkollën e mesme, për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe me qëllim për ta ndihmuar familjen, që ishte në shënjestër të regjimit, ai së bashku me dajën e tij shkon për të punuar në Rjekë të Kroacisë. Një kohë ka punuar edhe në Slloveni ku asokohe punonin për të mbajtur familjet edhe shumë shqiptarë nga Drenica e mbarë Kosova.
Me rastin e fillimit të luftës në Drenicë, Xheladin Asllani ishte kthyer në shtëpi dhe së bashku me babanë, vëllanë, Besimin dhe shumë të afërm të tjerë i bashkohen dhe e ndihmojnë luftën e UÇK-së.
Në fillimvitet e ‘90-ta të shekullit njëzet, bashkëluftëtarët e legjendarit Adem Jashari shpeshherë frekuentonin odën e Brahim Asllanit (Hamez Jashari, Beqir Meha, Xhemë Kodra, Fadil Kodra, Sami Kodra etj).
Në Rezallë, Makërmal e Morinë ishte i angazhuar sidomos Ilaz Dërguti nga Rezalla, bashkëluftëtar i legjendarit Adem Jashari. Në maj të vitit 1998 kishte themeluar pikën në vendin e quajtur “Te Shkalla”.
Në radhët e UÇK-së që në fillim ishin angazhuar: Zenel Goxhuli, Zymer Goxhuli, Besim Asllani, Gani Goxhuli, Demir Asllani, Nasuf Goxhuli, Faik Goxhuli, Shaqir Asllani, Sahit Goxhuli, Muhamet Goxhuli, Bali Goxhuli, Mustafë Goxhuli, Fadil Goxhuli, Mustafë Asllani, Enver Asllani, Milazim Asllani, Islam Asllani, Januz Goxhuli, Haki e Musli Ahmeti, Sokol Goxhuli, Beqir Ahmeti, Safet Goxhuli e të tjerë.
Xheladin Asllani një kohë, së bashku me babanë e tij, Brahimin, në pajtim me eprorët ka qenë i angazhuar në logjistikën e UÇK-së, meqë luftimet në zonën e Drenicës gjithnjë kanë qenë të rrepta e të pandalshme, kështu që nevoja për furnizim me ushqime e veshmbathje ishte detyrë mbi detyrat.
Në pranverën e vitit 1999 Xheladini së bashku me disa bashkëluftëtarë dhe me babanë e tij ishte pozicionuar në fshatin Dashec, në lagjen Xani të këtij fshati të Skënderajt.
Më 23 maj 1999 rreth mesditës, forcat ushtarake e policore serbe, nga fshati Shtuticë ishin nisur drejt fshatit Dashec dhe kishin rrethuar shtëpinë ku gjendeshin disa nga luftëtarët e lirisë.
Fazli Jakupi me luftëtarët e tjerë dhe me Xheladinin, u kundërvihen forcave serbe duke i goditur me bomba dore. Në përpjekje për ta ndërruar pozicionin bie trimërisht, ndërsa brenda shtëpisë së tij gjendeshin edhe vëllezërit e prindërit e tij, si dhe disa banorë të tjerë.
Atë ditë bie edhe babai i Fazliut, Haxhiu, si dhe Muhameti, vëlla i dëshmorit, kurse ishte plagosur rëndë edhe xhaxhai i dëshmorit, Osmani, te cilin forcat serbe e marrin dhe fillimisht e dërgojnë në Burgun e Lypjanit e më vonë në burgjet e Serbisë.
Po më 23 maj 1999, gjatë luftimeve ka rënë edhe Xheladin Asllani, ndërsa është plagosur rëndë babai i tij, Brahimi. Ndërkohë kishte intervenuar një njësit i UÇK-së në krye me komandantin e Zonës, Sami Lushtaku dhe i kishin marrë trupat e të rënëve e të martirëve. Ndërkohë i kishin organizuar bashkëluftëtarët për varrimin e tyre, ndërsa Brahimin e marrin me vete për shërim te mëtutjeshëm në Prekaz, pastaj në Lalushë.
Xheladin Asllanit iu ka pranuar statusi i dëshmorit të luftës së UÇK-së, me ç’rast familja Asllani e Makermalit ka marrë mirënjohje nga Shoqata e Familjeve te Dëshmorëve, gjithashtu familja Asllani ka marrë mirënjohje edhe nga komuna e Skënderajt për sakrificën e “Tri Gjeneratave”. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …