Do ta duam gjuhën shqipe, sepse kjo gjuhë për mijëra vjet shprehu mendimin e sa e sa miliona njerëzve të një gjaku me ne, sepse fati i saj qe fati i Shqipërisë, jeta e saj historia jonë, mbretërimi i saj madhështia jonë. Ta duam, sepse fjala e saj na del nga fundi i shpirtit bashkë me çdo njësi tonën, trazohet me mendimet tona që prej burimit të tyre e më thellë, dhe nuk është vetëm trajtë, kumbim, ngjyrë, por krejt jeta e mendimit tonë. Do ta duam, sepse është ushqim mendor yni, fryma e mendjes dhe e shpirtit tonë, sepse është shprehja e vetisë më të madhe të cilësive të veçanta të kombit tonë, fytyra më e gjallë dhe më fisnikja, gati-gati natyra vetë e racës sonë. Do ta duam, sepse është lidhja më e fortë e njësisë sonë si popull, ushtima e së kaluarës sonë, zëri i ardhmërisë sonë, jo vetëm fjala por qenësia e shpirtit të Atdheut. Do ta duam gjuhën shqipe, sepse është e bukur, shumë e vjetër dhe shumë e fuqishme. (K. Gurakuqi, publicist dhe iluminist shqiptar, Dashunija për gjuhën shqipe, 1942)
Aida Baro: Tung për të gjithë kosovarët
Sërish një bisedë tjetër dhe një prelud akoma më intereant:
Është koha të prezentoj Aida Baro, Kryeredaktore e Shtëpisë Botuese ‘Pegi’ por edhe një përkthyese mjaft e njohur, me të cilën do të flasim për prezantimin e librit ‘Jeta shpirtërore’ të autorit Alberto Moravia.’
Është kjo një prezantim përmbledhës që ngërthen pikat kryesore rreth të cillave do të shtjellohet biseda: ‘Ajo na tregoi, për çka bën fjalë ky libër, a është e përfshirë gruaja edhe në këtë libër, si në shumë romane të Moravias që personazh kryesor ka gruan, sa ishte i vështirë përkthimi i librit ‘Jeta shpirtërore’, në kuadër të kujt u bë ky prezantim i kësaj vepre dhe pse vendosi Aida që prezantimin e këtij libri ta bëjë pikërisht në Prishtinë, pastaj edhe në Tiranë. Të gjitha këto i kuptoni përmes intervistës së mëposhtme.’
Nga biseda që zhvillojnë mes tyre, nuk është e vështirë të kuptohet se Arbresha ka një kërshëri të gjallë për botën e librit, kurse Aida ka njohuri të shumta rreth Moravias dhe prirjes së tij krijuese. Ajo e shpjegon bukur dhe qartë aspektin shumëdimensional të librit në linjat e ndërthurjes së shtresave shpirtërore dhe pushtetit, duke hequr paralele përkatëse: ‘Viola me pretendimin e pushtetit përpiqet t’i blejë këto gjëra.’
Përdhosja e dashurisë dhe vajtja në ekstrem është një dimension tjetër në të cilën Aida Baro e kundron veprën letrare të Moravias, padyshim një romancier nga më të shquarit e Republikës së Letrave të Italisë. Është një libër vërtet shumë kompleks, shumë i bukur. Moravia ka deklaruar se është një antikomunist dhe një antistalinist, thotë Aida. Ndërkaq, Moravia kundrohet në parabolat e krijuara në libër edhe nga aspekti i krahasimit të diktaturës së Enver Hoxhës.
Në vijim, pyetjet e reja i japin shtysë të re bisedës: Sa ka qenë i vështirë përkthim i këtij libri, sa kohë ju ka marrë përkthimi i këtij libri? Bashkëbiseduesja përgjigjet se përkthimi i një libri të tillë nuk ka qenë fare i lehtë dhe se përkthimi në vete është sfidë, duke e vënë më tej theksin tek veçoritë që ngërthen libri i Alberto Moravias:
‘Ka një gjuhë shumë intelektuale por e ka mendimin shumë të vështirë. Kemi pafundësi sinonimesh për të denigruar një grua por jo për profesionin, nuk i kemi të ngritur në një strukturë profesionale.’
Biseda në mes të Arbreshës dhe Aidës është një bashkëbisedim në rrafshin e mirëfilltë intelektual, bisedë e cila shpalos anë të shumta të jetës komplekse, të cilat Moravia i ka shtejlluar me një mjeshtëri të rrallë:
‘Moravia është një nga shkrimtarët më të njohur të shekullit XX-të në Itali. Një shkrimtar përfaqësues si Alberto Morvia ishte ideal për Javën e Kulturës Italiane në botë. Një shkrimtar që unë e dua shumë’- përfundon Aida.
Biseda me Lejla Pulën
Prologu tjetër që Arbresha vë në krye të bisedës ka të bëjë me një figurë të shquar nga fusha e muzikës: ‘Lejla Pula, drejtoreshë e festivalit ‘Chopin Piano Fest Prishtina’, na tregoi se çka do të prezantohet këtë vit në festival, çka i tërheq artistët të performojnë edhe përkundër kushteve jo të duhura dhe a është arritur qëllimi i këtij festivali. Znj. Pula, gjithashtu tregon, se ka interesim për masterklasë, gara për instrumentiste e kompozitore, por edhe aktivitetet të tjera. Për fund shprehet, se a e kanë menduar këtë sukses, që kur ka filluar festivali.’
Depërtimi në botën e muzikës, sfidat e mungesës së liberalizimit të vizave që praktikisht e rrëgjon mundësinë e shkëmbimit të përvojave, është një nga aspektet ku përqëndrohet biseda.
Mikpritja si një mrekulli e jashtëzakonshme që ofron Kosova, është një dëshmi tjetër se ‘arti depërton në shqisat dhe emocionet e çdo dëgjuesi’ gjë që e ka impresionuar drejtoreshën e festivalit, e cila ka kënaqësinë të vë në pah se: ‘Vërtet u mrekullova me reagimin e publikut’, ndaj të cilit ajo shpreh me të drejtë falenderimin dhe mirënjohjen e saj, veçmas për duartrokitjet dhe ovacionet e tyre të shumta.
Z. Pula përmend një varg pjesëmarrësish, talentesh e aktivitetesh, si maratonën pianistike të talenteve, duke përfshirë edhe Liceun Artistik nga Tirana, tingujt e flautës dhe pianos, Mbrëmja e Italianëve si rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me Ambasadën e Italisë; Bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës, shënimi i Përvjetorit të Çesk Zadesë dhe 60-të vjetori i Universitetit të Tiranës; kurse lidhur me shpërblimin Çmimi i Festivalit ‘Pianisti’, thekson se ‘dëshirojmë ta nxisim krijimtarinë artistiko-muzikore për piano nëpërmjet një konkursi gjithëkombëtar. ‘
Në fund ajo shton se mbi të gjitha duhet të vihet në vend rendi i mirëfilltë i vlerave: ‘Duhet një punë ekipore. Ndihmën nuk duhet ta marrim sipas asaj sesa jemi të gjindshëm, por sipas vlerës.’
Gjithsesi, edhe një bisedë plot takt, njohuri, përkushtim e dashuri ndaj muzikës dhe madhështisë së saj, të cilën me të drejtë kompozitori Hektor Berlioz në memoaret e tij e krahasonte me një kështjellë në qiell.