Do ta duam gjuhën shqipe, sepse kjo gjuhë për mijëra vjet shprehu mendimin e sa e sa miliona njerëzve të një gjaku me ne, sepse fati i saj qe fati i Shqipërisë, jeta e saj historia jonë, mbretërimi i saj madhështia jonë. Ta duam, sepse fjala e saj na del nga fundi i shpirtit bashkë me çdo njësi tonën, trazohet me mendimet tona që prej burimit të tyre e më thellë, dhe nuk është vetëm trajtë, kumbim, ngjyrë, por krejt jeta e mendimit tonë. Do ta duam, sepse është ushqim mendor yni, fryma e mendjes dhe e shpirtit tonë, sepse është shprehja e vetisë më të madhe të cilësive të veçanta të kombit tonë, fytyra më e gjallë dhe më fisnikja, gati-gati natyra vetë e racës sonë. Do ta duam, sepse është lidhja më e fortë e njësisë sonë si popull, ushtima e së kaluarës sonë, zëri i ardhmërisë sonë, jo vetëm fjala por qenësia e shpirtit të Atdheut. Do ta duam gjuhën shqipe, sepse është e bukur, shumë e vjetër dhe shumë e fuqishme. (K. Gurakuqi, publicist dhe iluminist shqiptar, Dashunija për gjuhën shqipe, 1942)
Koha e Artë e Arbërisë
Vizioni dhe Misioni i Breznive Orëmira:
Përcëllimi drejt shqipes i zjarrit të shenjtë të ilirishtes
Arbresha Kelmendi-Ramadani i pret me ngrohtësi dhe i përcjellë me përzemërsi të ftuarit e saj. E folmja e saj, nuk ka sesi të mos na e përkujtojë thënien e De Radës së madh, se: ‘Bukuria e gjuhës shqipe rrejdh e kulluar dhe e pastër….Bukuria tërheqëse e fjalëve është veshja më emblemtaike e një gjuhe.’
Qartësia e mendimit dhe aftësia e artikulimit të ideve, janë para së gjithash e mbi të gjitha dhunti. Në fushën e fjalëve të sferës abstarkte mendimore (siç do të shprehej Eqrem Çabej Për pastërtinë e gjuhës shqipe, 1979), Arbresha shquhet për një ligjërim të përzemërt me simotrat e saj, ligjërim-përkatësisht bashkëbisedim që shpalos fisnikëri dhe bujari, çiltërsi dhe ngrohtësi komunikimi. Kjo e bën bisedën e saj të veçantë, kjo u jep kolorit intervistave që ajo zhvillon, kjo i bën të ftuarit e saj të ndihen komod në hapësirën e bisedës që u ofron ajo, në rrafshin e intervistave të cilave ajo u prin.
Pra, vihen re ca ‘fjalë mrekullore e magji imazhesh ylberore’ nga bota arbërore deradiane në rrjedhat e bashkëbisedimit që simotrat zadrimore kanë të përbashkët mes tyre të folmen e veçantë. Tek këto simotra, fjala merr një tingëllimë të veçantë, por edhe paraqitje të hijshme e fisnike.
Në një intervistë të fundit që Arbresha ka pasur në Klan Kosova, me të drejtë është thënë se ajo ka një zë dallues. Por edhe fjala e saj e ka peshën e mendimit dhe si e tillë ajo është një fjalë e fisme.
Studiuesi Tomor Osmani ka thënë me të drejtë se pena e Gjergj Fishtës i dha gjuhës dritë. T’i japësh gjuhës dritë do të thotë t’i japësh fjalës shpirt, do të thotë ta rigjallërosh atë.
Bernard Bilota, poet dhe folklorist arbëresh, do të vargëzonte: Dritëro me dritë të re…/Të ngrejmë gjuhën tonë/Ç’ësht gjuhë më e dritësuar. Shqiptaro-amerikani Nelo Drizari (në Fjalor shqip-inglisht dhe inglisht-shqip, New York, 1934) do ta përdorte epitetin: Zonja shqipe, për të cilën mëmedhetari Jani Minga (në Gramatikë e gjuhës sqhipe, Vlorë 1925) do të shprehje me shumë elegancë, se ajo është zana e vjetër e kohëve prehistorike, mëmëzonjë e hijshme gjuha shqipe. ‘Po ti, gjuhë e bekuar/Gjuhë e vjetër, gjuhë e luftuar/Gjithmonë je e gjallë,/Je pjesa e shpirtit të Arbërit’ do të shkruante një poet tjetër arbëresh Karmeli Kandreva, në vjershën e tij Gjuhë e fuqishme. Ndërkaq, poeti tjetër arbëresh Xhuzepe Skiro di Modika, në poezinë Gjuha ime, do të shkruante: Gjuhë e të gjithëve/Shqiptarë,/Arbëreshë e kosovarë,/Ti je gjuha ime…/Gjuhë e përgjakur/Gjuhë e përjetshme.
Tek e dëgjon Arbreshën duke folur, tek i përcjell intervistat e saj të shumta, tek i vë re bashkëbisedimet që bën ajo, tek e analizon rrafshin e bisedave që zhvillon ajo, të bie në sy të folurit e rrjedhshëm, të bukur, të dlirë, të qartë e të kulluar. Padyshim një të folur që s’ka sesi të mos na e kujtojë thënien aq të qëlluar të poetit arbëresh Gavril Dara i Riu, në Parathënie të arbreshvet, më 1897:
‘Gjaku ynë i shprishur nëpër katundet e arbëreshëvet të Italisë e në dhe të huaj, qysh prej katërqind vjetësh jo vetëm se ka ruajtur gjuhën, por edhe të folurit e kulluar e të bukur, ashtu si flitej në kohën e artë të Arbërisë, në kohën e Skëndërbeut’.
Padyshim edhe një dhunti më shumë, dhunti e cila e shquan aq shumë zërin e saj specifik radiofonik. Gjithsesi, një dhunti që ka të bëjë edhe me një lidhshmëri të vetvetishme me sfondin e emrave që del nga poemat e mëdha të poetit të madh Jeronim De Radës.
E s’do mend se në poemat e tij të mëdha, poeti i madh i kombit si dhe krijuesi me zemër të madhe, ka ëndrruar që atdheu i të parëve të tij, ta kishte sërish shkëlqimin e kohës së artë të Arbërisë, njëlloj siç do të ëndrronte Faik Konica më vonë, që shqiptarët një ditë t’ia kthenin Shqipërisë: shkëlqimin që kishte në kohët e Ilirisë.
E përderisa Gavril Dara i Riu bënte fjalë për të folurit e bukur dhe të kulluar, ashtu si në kohën e artë të Arbërisë Faik Konica në trajtesën e tij Letërsia shqiptare (1897) vinte në pah se në përkthimet gjeniale të Kristoforidhit, gjuha shqipe ‘ka një fuqi hyjnore dhe një hijeshi prekëse e bindëse që të mahnit’. Shtjefën Konstantin Gjeçovi thoshte se gjuha e pastër dhe e bukur asht n’gojë t’komit. Gjuha shqipe është një gjuhë luftare, gjuhë që ka ditë dhe që din me preftë heshta e shigjeta e jo pupla’ (Agimi i gjytetnis, Shkodër, 1910), kurse më 1930 Hafiz Ali Korça, në shkrimin e tij Rubajinat e Umer Khajamit, gjuhës shqipe do t’i falte epitetin: gjuhë engjëllore.
Poeti e poligloti Ndre Mjeda do të shkruante vargun e famshëm se gjuha shqipe është një diell pa hije (në vjershën Gjuha shqype), stolia më e shkëlqyeshme, kunora më e çmueshme në ballë të nanës sonë (Vrejtje mbi artikuj e mbiemna prones të gjuhës shqipe, 1934). Gjuha është veriga e artë, do të përkujtonte Gjergj Qiriazi, në Parathënie për ‘Krestomacinë’ e Gjerasim Qiriazit (Sofje, 1902). Zvetënimi dhe prishja e gjuhës asht nji shenjë e tatpjetës edhe të jetës kulturore të kombit’, do të vinte në pah Aleksandër Xhuvani (Mbi thtjeshtësinë e gjuhës, 1921), Fjala shqipe, shkruante Ernest Koliqi ‘asht drita e panjehun e syve që e shqyptuene, loti e gazi i njiqind gjeneratave të sosuna. Gjuha shyipe asht e bukur, pse asht e njerzishme (në Misjoni i letrarve të rinj shqiptarë, 1931). Ndërkaq, në shkrimin At Leonard Martini, Koliqi theksonte: ‘Gjuha e katundve shqiptare ka mbetun gjithkund e pastër, e thjeshtë, harmonioze dhe e fuqishme. Sidoms gratë kanë shpëtue mënyrën e shprehjes së tyne nga përdhosja e fjalëve të huaja. Zadrimoret janë të hijshme e të squeta. Veshja e tyne asht plot me ngjyra, ashtu si edhe mënyra e shprehjes së tyre.’
Studiuesi i shquar Shaban Demiraj (në Një bisedë për gjuhën shqipe, gazeta ‘Drita’, prill 1987) e ka përmbledhur më së miri rëndësinë që ka gjuha për kombin tonë: ‘Në rastin e popullit shqiptar, faktori vendimtar që e ka penguar romanizmimin e stërgjyshërve tanë ka qenë dashuria e madhe për gjuhën amtare, që nënat ua mëkonin fëmijëve të tyre bashkë me qumështin e gjirit.’
Ky mendim është shprehur po aq bukur edhe nga poeti i thelpinjve të hollë lirik Lasgush Poradeci, për të cilin është thënë me të drejtë se e ka përcëlluar drejt shqipes, zjarrin drithërues të ilirishtes:
‘Po edhe unë s’do të isha sot t’ju flas këtu po t’mos kisha patur një stërgjysh me emrin Kastriot, që i qëndroi për njëzet e pesë vjet me rradhë të njëzet e shtatë ekspeditave të sultanëve më të tmerrshëm të Turqisë dhe jo vetëm që s’i la ta merrnin Kryeqytetin e Trimërisë-Krujën, por mbrojti edhe Qytetin e Muzikës-Vjenën, edhe Qytetin e Dritës, Ville de la Lumiere-Parisin, dhe s’i la t’i jepnin tagji kalit të tyre në Altarin e Shën Pjetrit, në Citta Eternal, në Romë…
Ilirët. Magnum Ilirikum, i tha romaku, se kjo Iliri shtrihej që nga burimet e Danubit e gjerë në Greqi. Perandoria e tmerrshme e Romës, të tërë popujt që i nënshtroi, i romanizoi. Francezët, spanjollët, u romanizuan. Dakët u romanizuan. Ilirët – jo! As u nënshtruan, as u romanizuan. Prandaj ne sot flasim shqip!’
I përmasave të njëjta është edhe mendimi që ka shprehur historiani Aleks Buda (Për gjuhën letrare kombëtare dhe epokën tonë, në ‘Gjuha jonë’, 1985):
‘Ishte pikërisht kjo gjuha jonë e lashtë lidhja në mos e vetme, por nga më të fortat, që ka bashkuar, pavarësisht nga ndarjet krahinore e fetare, në një unitet të pavdirshëm nga motet, të gjithë ata që e flisnin – sa kohë që munguan hallkat e unitetit shteëror-politik, një unitet që gjeti shprehje në atë trinomin aq domethënës: shqip-shqiptarë si folës të saj – Shqipëri si truall që i bashkon bijtë e një trungu historik.
Gjuha shqipe – e vetmja pasuri që nuk mundën t’ia grabitnin këtij populli; në të u shkruan kryevepra të poezisë popullore, por edhe abetaret e para që u lanë me gjakun e mësuesve dhe nxënësve të tyre.’
Ndërkaq, udhëpërshkruesi anglez Henri Swinburn në kronikat e udhëpërshkrimeve të tij, të titulluara Udhëtime në dy Sicilitë (Londër, 1875), thoshte se gratë arbëreshe të Sicilisë gjuhën e tyre ‘e shqiptojnë me ëmbëlsi të madhe theksimi’.
F. Giroliamo Marafioti, humanist e historian italian, në librin e tij Kronika dhe lashtësi të Kalabrisë (Padova, 1601), shkruante në mes tjerash se arbëreshët e Kalabrisë ‘kur vallëzojnë, të gjithë këndojnë në gjuhën e tyre arbëreshe’. Kurse albanologu danez Holger Pedersen shprehej me një admirim edhe më të madh për gjuhën tonë: ‘Një gjuhë e bukur dhe e fuqishme, e cila lipset të jetë mburrje për folësit e saj dhe një vegël e shenjtë për rritjen mendore dhe arsimore të kombit të vjetër shqiptar (në Gjuha shqipe, botuar tek ‘Ylli i mëngjesit’ Boston, 1917).
Në këtë vistër nuk kanë munguar as vlerësimet e tjera si: Forca e qëndresës së gjuhës shqipe dëshmon ngulmësinë e kombit (Paul Meillet, gjuhëtar francez, në Gjuha Shqipe, 1915); Vetëm ajo bëri që të mbijetonte fati i kombit, edhe atëherë kur dukej sikur ndjenja kombëtare po errësohej më tepër. (Eugenio Vaina, publicist Italian, n. kombi shqiptar, 1917); Nga njëri skaj i Shqipërisë në tjetrin, nga Çamëria në Shkodër, flitet një gjuhë e vetme: shqip. Njësia gjuhësore e Shqipërisë është më e madhe se ajo e Francës. (Jacques Bourcart, gjeolog francez, Shqipëria dhe shqiptarët, Paris, 1922).
Rishfaqja e binomit Parashqevi e Sevasti në sfondin e kulturës sonë kombëtare
Ardhja e Arbreshës domosdo kontribon shumë në sfondin e rishfaqjes së një binomi të njohur në gazetari, si Parashqevi e Sevasti. Pra, ardhja e saj është risi por jo rastësi. Nuk është rastësi, sepse në shtëpinë prej së cilës vie Arbresha, gjithmonë ka pasur një adhurim për historinë, për traditën dhe për artin, një dashuri për kulturën dhe për gjuhën shqipe. Gjithsesi, ky adhurim është shfaqur jo rrallë edhe si pagëzim, herë si Adriatik, herë si Arbresha, e herë si Adonis. Por, po ky adhurim, nuk ka munguar as në shtëpinë ku është Arbresha tani. Ajo është vatra ku Bacë Rexhep Uka-Ramadani, shtratin e të birit-Bacë Hetemit, ia lëshonte Bacë Ademit-Adem Demçit. Nuk ka dyshim se ky adhurim dhe kjo dashuri për shkronjën A, nuk ishte thjesht një rastësi. Më shumë se kaq, shkronja me të cilët fillonte emri i atdheut tonë Arbëria, ose siç do e quanin të tjerët Albania, do të kthehej në një gjakim deri në përjetësi, sërish përmes pagëzimit si një formulë aq e qëlluar e përjetësimit të adhurimit ndaj kësaj shkronje: që nga Arbeni e deri tek Arba dhe Arisi.
Nuk është pra rastësi pse në një sfond të tillë po shfaqet sërish një emër prej një embleme të lashtë ilire. Nuk është pra rastësi, pse në këtë portë mediale në veçanti, por edhe në portën e madhe të kulturës shqiptare në përgjithësi, Arbresha ka hyrë me këmbë të mbarë.
Nuk do mend se kjo portë mediale, në të ardhmen do t’i ofrojë asaj edhe një hapësirë tjetër më të madhe në kuadër të programeve të veta të larmishme, jo vetëm në radio por edhe në television. Nuk do mend se një gjë të tillë do ta kërkojnë edhe teleshikuesit e shumtë të këtij mediumi, sepse si kënaqësia ashtu edhe krenaria është e të dyja palëve, si e udhëheqjes mediale ashtu edhe e auditorit.
Gjithsesi, Arbresha Kelmend-Rramadani, e meriton sa falenderimin po aq edhe respektin, sa mirënjohjen e thellë po aq dhe komplimentet më të mira. Sepse të përhapësh privilegjin e dritës së fjalës, do të thotë ta çosh tutje misionin dhe vizionin e breznive orëmira si dhe të pararendësve tu, sot e mot.
Përmbi çdo gjë, falë Arbreshës, po rishfaqet sërish në sfond binomi i mirënjohur, binomi i nderuar dhe i adhuruar aq shumë në kulturën kombëtare shqiptare: Parashqevia e Sevastia. Pra, Arbresha është motra e Parashqevisë. Edhe një arsye më shumë për respektin dhe mirënjohjen, edhe një privilegj më shumë në sfondin me flatra të fjalës shqipe. Pikërisht ashtu siç do të thoshte doajeni i gazetarisë tek ne, kreshniku i fjalës së ëmbël shqipe Ramiz Kelmendi, me shprehjen e tij të famshme ‘Mbajeni mend këtë emër’:
Arbresha Kelmendi-Ramadani.