‘Solomon, mos ma pre foshnjen, mos e pre, n’emër t’Zotit,
le të mbetet pjella ime e paprekur, pa cenuar!
Dhe ju, o perëndi të qiellit, ju o perëndi të paqes,
jepjani mollën e sherrit, drejtësisht, kujt i takon.’
Naim Frasheri, Dëshirë e Vërtetë e Shqiptarëve
Fushata e shfrenuar, e kordinuar për të denigruar dhe e sinkronizuar për të qëlluar, për të hedhur gurin e për të fshehur dorën, e paramenduar dhe e dirigjuar mirë nga qarqe te caktuara të politikës së vjetër të mendësisë së tejkaluar, të asaj që në analet politike quhet mjerisht jo rallë si Europa e Vjeter, na ka prekur jashtëzakonisht thellë në krenarinë tonë të ligjshme kombëtare të të qenunit shqiptarë dhe na ka indinjuar po aq thellë për shkak të pavërtetave dhe shpifjeve, të cilat kanë pasur për mentorë arkitektët e gjenocidit ndaj shqiptarëve, si Ilia Garashanini, Vlladan Gjrogjeviqi, Jovan Cvijiqi, Ivo Andriqi e Dobrica Qosiqi, së bashku me zbatuesit e kësaj politike, si Aleksandër Karagjorgjeviqi, Nikolla Pashqi, Josip Broz Tito, Sllobodan Millosheviqi etj.
Një fushatë e tillë e orkestrës simfonike të shpifjeve (me dirigjentët: Karla Dela Ponte, Dick Marty e Shmidt) të qarqeve të caktuara të mendësisë së vjetër anakronike, e që njihet tani në terminologinë e marrëdhënieve ndërkombëtare si Politika e Vjetër e Europës së Vjeter, nuk është zgjedhur rastësisht.
Në të vërtetë, një fushatë e tillë ka ekzistuar që më parë ndaj kombit shqiptar në përgjithësi, e tani mjerisht po përsëritet dhe po shafqet në veçanti në format dhe në metamorfozat e saj më të shëmtuara, si vetë metastazat e kancerit.
Kjo fushatë, sa tinzare aq edhe qyqare, sa e padrejtë aq edhe e rrezikshme, sa mjerane po aq edhe trumpetonjëse, e drejtuar kundër kombit shqiptar, kundër dinjitetit të tij, kundër lirisë dhe pavarësisë shqiptare, kundër kulturës dhe traditës sonë liridashëse dhe demokratike, e në mënyrë të veçantë si një mynxyrë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën synon dhe mëton me çdo kusht ta shpallë si heretike dhe si kriminale, te cilën synon me cdo kusht ta demonizojë, ta satanizojë, ta linçojë, ta denigrojë, ta degradojë dhe ta delegjitimojë luftën e saj te drejtë dhe heroike, ka për qëllim të vetëm rrezikimin e paqes edhe ashtu të brishtë në hapësirën ballkanike të luftërave dhe fushëbetejave të përgjakshme e të panumërta, ka për synim të vetëm prishjen e paqes dhe të stabilitetit, dhe përfundmisht ka për objektiv çekuilibrimin e balancës politike të cilën bashkësia ndërkombëtare, e ka arritur me aq mund, përpjekje dhe investime të mëdha.
Jo rastësisht këto qarqe anakronike, zgjodhën ndofta momentin më të gëzuar në historinë e shqiptarëve si komb, Liberalizmin e Vizave për Shqipërinë. Pa iu gëzuar mirë festës, fill pas këtij evenimenti kaq të rëndësishëm për ne si komb dhe për atdheun tonë të shumëvuajtur, me qëllim që të na prishnin harenë dhe kremten, gazin dhe gëzimn e kësaj feste të madhe, për të cilën breza dhe gjenerata të tëra të shqiptarëve kishin pritur dhe ëndërruar me shekuj, një gjuhë gjarpri derdhi helm e vrerë mbi krenarinë dhe dashurinë tonë të përmasave sa reale po aq edhe mitike: Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Kur Shqipëria po shijonte për herë të parë në historinë e saj si shtet, më në fund, dorën e ngrohtë te Europës mëmë, prej prehrit të së cilës, politika e ftohtë e ansambleve të mjekrrave të thinjura të qarqeve hipokrite të padrejtësive historike të së kaluarës, e kishte mbajtur aq larg, padrejtësisht larg, dhe kur Kosova – firmamenti i përgjakur i shqiptarëve ndër shekuj, populli i saj dhe shteti i porsalindur e i pagëzuar nga bota përparimtare liridashëse me të drejtë aq simboliksiht si Newborn, po shpallnin fituesin e zgjedhjeve, mjerisht historia u përsërit kundër nesh.
Dick Marty me një gur synoi të vriste dy zogj: shtetin e Republikës së Shqipërisë dhe shtetin e posaformuar të Republikës së Kosovës: Merrini, ua solla, ishte një terren i vështirë dhe vazhdimsht binte shi! Kështu do të shprehej Gjenerali i ushtrisë së vdekur, në romanin me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë. Kështu bëri edhe ky Gjeneral i Ri me një mision tepër të vështirë – si vetë Guri i Sizifit; herë avokat dhe herë prokuror ky që me veprimet e tij na kujton thënien e moçme latine se padrejtësinë e urrejnë edhe ata që e bëjnë, e që në qëllimin e vet dinak e perfid na kujton gjithashtu thënjen e shquar të Denis Didëros, se kur e keqja mbërrin kulmin, zëron të kthehet në të mirë, sepse po këtë politikë e ka pohuar edhe vet Dobrica Qosiqi kur thoshte se gënjeshtra po të përsëritet njëqind herë, ajo bëhet e vërtetë: “Ne gënjejmë…Ne gënjejmë, e kemi gënjyer veten, se ngushëllojmë veten; ne gënjejmë se na vjen keq për veten, ne gënjejmë kur themi se nuk kemi frikë, se jemi të guximshëm, sepse fshehim fatkeqësinë tonë dhe të tjerëve. Ne gënjejmë kur themi se e bëjmë këtë nga dashuria dhe mirësia njerëzore, ne gënjemë për hir të nderit, për hir të lirisë. Gënjeshtra është lloji ynë i patriotizmit dhe rrëfimi i intelektualeve tonë të degjeneruar. Ne gënjejmë me qëllim, me këmbëngulje dhe vazhdimisht. Të gënjyerit është një aspekt i patriotizmit tonë dhe një prapambetje e intelegjencës sone të lindur”.
E në qoftë se është e vërtetë se historia është mesuesja e jetës, në qoftë se është e vërtetë se Eva është nëna e njerëzimit, në qoftë se është e vërtetë se liria ështe bija e fitores, në qoftë se është e vërtetë ajo që e ka thënë Napoleon Bonaparta se në perehër të nënave lindin kombet, në qoftë se është e vërtetë se shtypshkronja është nëna e të gjitha revolucioneve, në qoftë se është e vërtetë se Europa është nëna e lirisë dhe e arteve, ashtu siç e ka cilësuar ate aq bukur poeti romantik gjerman e me origjinë hebreje Hajnrih Hajne, atëherë s’ka se si të mos jetë e vërtetë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është bekimi më myjnor me te cilin Zoti i madh e i plotfuqishem ia ka dhënë misionit dhe vizionit njerëzor, e njekohesisht përmes urdhërit të tij dhe bekimit të tij hyjnor na e ka dhënë atë neve, pikërisht për lirinë, për pavarësinë, për begatinë dhe lumturinë e një kombi të cilit ne e kemi tepër për nder dhe për krenari të ligjshme që i takojmë.