Se gruaja shqiptare, ka luftuar krah për krah me burrin,kemi dëshmi të shumta, gjatë gjithë historisë tonë kombëtare. Femra shqiptare është dëshmuar për sakrificat më sublime,në të gjitha etapat e historisë tonë, të vjetër e të re për t’u çliruar nga prangat e okupimit shekullor. Shembullin e Shotë Galicës, Marie Shllakut, Hyrije Hanës etj,etj. e kanë vazhduar gratë dhe vajzat tona nëpër demonstrata e protesta, nëpër burgje,e deri te lufta në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës,duke rënë dëshmore të kombit si: Xhevë Lladrovci, Fatime Hetemi, Antigona Hajrizi e shumë e shumë të tjera.
Demonstrata e grave dhe vajzave të Pantinës tronditi okupatorin serb
Më 23 Mars 1989, Kuvendi i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës nën presionin e UDB-ës, serbe, votoi amandamentet për suprimimin e Autonomisë së KSA të Kosovës. Ky veprim antishqiptar, u pasua me protesta e demonstrata të shumta, të cilat u shuan me dhunë, me gjak e me burgje për rininë dhe popullin shqiptar. Po në këte ditë, policia serbe, dëboi me dhunë dhe me gaz lotsjellës dhe nxënësit e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” të Pantinës. E gjithë kjo orgji shoviniste antishqiptare serbo-jugosllave, nxiti një organizim e demonstrim spontan të grave trimëresha të lagjes Shaqiri të Pantinës. Dhe këtij organizimi e demonstrimi po i prinin, grate dhe vajzat sypatrembura të këtij fshati si:; Fatime Shaqiri me kunatën, Zojë Shaqiri (Nailja), Hana Shaqiri, Halide Shaqiri dhe Arife Shaqiri, të cilat iu bënë thirrje të gjitha grave të lagjes për t’iu bashkuar demonstratës.
Kësaj thirrjeje iu bashkangjitën shumica e grave të lagjes Shaqiri si: Luljeta Salihu,Metije Hasani, Rahime Hasani dhe Ganimete Salihu me vajzat e tyre: Lumnije, Nebahate, Sadije, Merita, Selvije, Ardiana e Ferdane Shaqiri.
Gjatë rrugës demonstratës iu bashkuan edhe disa gra të familjeve të Morinëve nga Akrashtica dhe shumë nxënëse e nxënës të shkollës,të cilët ishin ndjekur nga shkolla. Marshimi i grave ka vazhduar mbi 3 km,duke filluar nga Pantina,nëpër Akrashticë,Shtruerë (Shtitaricë). Afër qesmës së Zotnisë”(shtruerë),policia i kishte ndaluar, duke kërkuar shpërndarjen e tyre. Ndërsa turma e demonstruesve kishte arritur të vazhdonte marshimin deri te stacioni hekurudhor i Vushtrrisë. Parullat kryesore të grave dhe vajzave të Pantinës ishin: “Nuk e japim Kushtetutën”, ”Ja vdekje ja Liri”,”Kosova Republikë”etj. Ky organizim i papritur e kishte alarmuar pushtetin e kohës,dhe shpejt e shpejt ishin vërsulur forcat policore serbe,të cilat, për të shpërndar turmën e grave demonstruese, kanë filluar të hedhin dhe gas lotsjellës. Duke hasur në vështirësi për t’i shpërndar demonstruesit,ishin angazhuar dhe udhëheqës të komunës si:Sali Mulaku,Sabit Beqiri Musa Meholli dhe aktivistë të tjerë LKJ. Kjo demonstrate ka zgjatur mbi tre orë (11-14).Të nesërmen filluan arrestimet dhe burgosjet e disa prej grave më të zëshme të Pantinës. Ato u akuzuan dhe u dënuan për vepër penale,”Cënimi kontrarevolucionar i rregullimit shoqëror nga neni 114 i Ligjit Penal të Jugosllavisë”. Gjykata e Qarkut e Mitrovicës në proceset e mbajtura gjygjësore në verën e vitit 1989,i akuzoi se “Në mënyrë aktive kanë marr pjesë në demonstratat armiqësore të organizuara nga nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar” dhe i dënoj si vijon: 1.Fatime Xh Jashari-Shaqiri,nga fshati Sumë (Pasomë),me v.b.në Pantinë, 2 muaj burg, 2.Zoja A Shaqiri,nga fshati Koshtovë, me v.b.Pantinë, 2 muaj burg, 3.Luljeta Q Salihu,nga Mitrovica,me v.b.Pantinë,40 ditë burg, 4.Metullahe (Metije) R Hasani, nga fshati Vërrini,(Vërnica),me v.b.Pantinë,2 muaj burg,5.Rahime Q Hasani,nga fshati Buçaj,(Tërllabuq), me v.b.në Pantinë, 2 muaj burg,6.Sadije Rexha,nga fshati Pantinë, 40 ditë burg.
Gratë e Vushtrrisë, kishin protestuar edhe më 1945, para zyrës së OZN-ës,në Vushtrri
Menjëherë pas luftës së dytë botërore dhe krijimit të RFSJ-së,po zbatohej tradhtia ndaj popullatës shqiptare,e cila ishte rreshtuar dhe kishte luftuar në krahun e koalicionit antifashist,me qëllim të vetëvendosjes pas luftës. Mirëpo ndodhi e kundërta, pasuan, përndjekjet,burgosjet, vrasjet e masakrat e përditshme. Prandaj më 8 Mars 1945,para ndërtesës së OZN-ës, në Vushtrri,rreth 300 gra trimëresha,të komunës së Vushtrrisë,u organizuan dhe protestuan për lirimin e bijve,vëllezërve dhe burrave të tyre nga burgu. Në këtë protestë po prinin këto gra dhe vajza trimëresha:Igballe Fonda, Rukije Saraqi, Xhyzide Badivuku, Hajrie Xërxa, Faire Lutfiu, Haxhere Hoxhaxhiku, Hajrie Nevolani, Shahzade Nevolani, Hamide Buçinca, Nafije Kollari, Nona Gërguri, Myradije Badivuku e Zade Mikullovci me shoqe, të cilat paraqiten kërkesat e tyre,për lirimin e bijve, vëllezërve dhe burrave, që po torturoheshin e po masakroheshin për çdo natë. Me këte rast burgosen: Igballe Fonda,Rukije Saraqi,Xhyzide Badivuku, Hajrie Xërxa,dhe Zade Nevolani,të cilat u hetuan dhe u torturuan,me qëllim të zbulimit të organizatorit.Ndërsa, Igballe Fonda dhe Rukie Saraqi, para burgut iu kishin drejtuar shoqeve të tyre : “Gra, tregoni se organizatore të protestës jemi ne dhe asnjë fjalë tjetër, mos lejoni që t’ju frikësojnë, nuk kanë çka na bëjnë, nëse ka nevojë do të vdesim, siç kanë vdekur burrat, djemtë, vëllezërit dhe baballarët tanë,por u turpëruar e frikësuar”!
Gratë dhe vajzat e Vushtrrisë u dëshmuan,edhe më 1981,1989 dhe në luftën e UÇK-së
Në demonstratat e Pranverës së vitit 1981,vajzat tona iu kanë prirë demonstratave masive të 2 dhe 3 Prillit. Ndër të tjera,më aktive kanë qenë: Dinore Curri,Afërdita Dervishi, Makfire e Hanife Makiqi, Natyra Haziri Miradije Bejtullahu,Myrvete Haliti, Fatime Haliti, Hafije Durmishi, Fatmire Kutllovci, Xhylsheme M. Pllana e shumë të tjera. Në vitin 1981 janë burgosur dhe janë dënuar: Dinore Curri, me 13 vjet burg, Afërdita Dervishi (ish nxënëse), u mbajt për 60 ditë në burg. Në vitin 1989, arrestohet dhe dënohet me 2 vjet burg, Sevdije Shyti – Azemi,e cila mori pjesë aktive në demonstratën e 23 Marsit 1989 në Mitrovicë (motër e dëshmorit Mustafë Shyti, e martuar në Zhabar) dhe Fatmire H Kutllovci, nga fshati Tushilë, me v.b. në Rrafshmir (Dobërllukë), u dënua me 1,5 vjet burg. Me rastin e këtyre demonstratave,shumë gra e vajza të tjera janë burgosur, janë hetuar. Edhe në luftën e UÇK-ës,kemi shembuj të shumtë të pjesmarrjes dhe të luftës heroike të vajzave e grave tona si p.sh.: Myrvete Hasani,nga fshati Shtruerë (Shtitaricë), ishte luftëtare sypatrembur e UÇK-ës,ajo luftoj me guxim e trimëri të pashoqe,deri në çlirimin e plotë të Kosovës.Pastaj gra e vajza,mjeke e infermiere,të cilat kanë shërbyer,kush më shumë e kush më pak në Qyqavicë, në Ashlan e në Shalë të Bajgorës. Të tilla kanë qenë: Dritë Simnica, Fatime Hyseni, Valbona Hajrizi, Shqipe Arifi, Mabere Krasniqi, Resmije Krasniqi, Sanije Krasniqi, Qefsere Bajrami, Flutur Maloku, Shukrije Krasniqi, Vahide Gërxhaliu, Minire Kolludra, Mejreme Ismaili Fikret Shaqiri Pllana etj.