Të shtunën mbrëma, më 17 shkurt 2018 në Thun të Bernës janë tubuar shqiptare e shqiptarë, të rinj dhe të reja, burra dhe gra me fëmijët, nipërit dhe mbesat e tyre për të festuar vitin e 10 të Pavarësisë së Kosovës. Ne manifestim morën pjesë edhe mysafir zviceran. Me vallëzime, këngë dhe fjalime u përkujtua kjo ditë e madhe e historisë më të re e popullit shqiptar.
Dy data në vit, qytetarët shqiptar të Thunit me rrethinë i kanë të shënuara në kalendarët e tyre: në shkurt festohet Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, kurse në nëntor festohet Dita e Flamurit. Këtë vit, festa e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte e veçantë, sepse festohej përvjetori i dhjetë. Anëtarët e Shoqatës Atdheu edhe kësaj radhe kishin përgatitur diçka të veçantë: recitim nga nxënësit e mësimit plotësues në gjuhën shqipe të shkollës së Heimbergut, këngë me sharki dhe çifteli, valle nga veteranet e Grupit të Vallëzimit dhe një referat, të përgatitur nga mësuesja, Artila Berisha.
Me Himnin e Kosovës dhe dy valle nga grupi i valltareve u hap kjo festë tashmë tradicionale. Të pranishmëve në fillim ju drejtuan veterani dhe nënkryetari i shoqatës Ramë Tetaj dhe Hilmi Gashi, drejtor i Sindikatës Unia. Në fjalimin e tij Hilmi Gashi u përkujtoi të pranishmëve se Kosova këto ditë ishte dhe është temë në mediat zvicerane. “Kësaj radhe për të mirë dhe jo, si në vitin 1992 kur ne u përballëm me paragjykime të mëdha dhe me një diskriminim”, u shpreh Gashi në fillim. Sipas tij, shqiptarët sot janë pjesë vitale dhe kontribuuese e kësaj shoqërie dhe të njëjtën kohë edhe ura më e mirë lidhëse mes Kosovës dhe Zvicrës. “Për ditën, të cilën e festojmë sot kanë kontribuar të gjitha gjeneratat. Kjo më e reja ka shfrytëzuar mirë shanset e ofruara nga prindërit e tyre dhe sistemi demokratik zviceran, për t’u shkolluar dhe kështu edhe depërtuar në shumë lami, të cilat për gjeneratën e parë kanë qenë të mbyllura”. „Mërgata ka mbështetur Kosovën në çdo çast dhe ka dëshmuar se ka vetëdije të lartë kur lypet angazhimi dhe marrja e përgjegjësisë në të mirë të vendit“.
Veterani dhe nënkryetari i shoqatës Atdheu, Ramë Tetaj në uratën e tij për pavarësinë apeloi edhe njëherë te mërgata e Thunit me rrethinë të mbështetë shoqatën dhe aktivitetet e saja: “Ne mundohemi të bëjmë shumë dhe organizimet tona janë shembullore, por duhet punë dhe angazhim” u shpreh z. Tetaj. Duke u falënderuar bashkëveprimtarëve në shoqatë ai apeloi te të pranishmit t’i bashkëngjiten shoqatës dhe të japin kontributin e tyre. “Sa më shumë që jemi, aq më shumë dhe më mirë do të mund të bëjmë”, përfundoi Ramë Tetaj fjalën e tij përshëndetëse.
Nxënësit e Shkollës Shqipe nga Heimbergu recituan disa nga vargjet më të bukura të poeteve tanë të shquar, ndërsa fëmijët e grupit të valleve Atdheu kërcyen valle tradicionale të krahinave të ndryshme. Drejtori i shkollës, Stefan Bähler, i cili ishte prezent e ndau gëzimin me të gjithë të pranishmit, jo vetëm gjatë recitimeve por edhe duke vallëzuar me të pranishmit.
Festa vazhdoj deri në orët e vona të mbrëmjes me këngë dhe valle, nën tingujt e bukur të muzikës shqiptare.
Referatin kryesor, të paraqitur nga Shkëndije Neziri, e cila në mënyrë profesionale edhe ka udhëhequr programin e përgatitur nga shoqata Atdheu, mes tjerash thuhet:
“Të dashur vëllezër dhe motra.
Jemi mbledhur këtu për të festuar dhjetëvjetorin e Kosovës tonë dhjetëvjetorin e shpërblimit të sakrificave tona shekullore, të gjakut të fëmijëve, prindërve, motrave dhe vëllezërve tanë, sakrificë e cila do ti shërbejë ardhmërisë së brezave të rinj, të fëmijëve tanë. Republika e Kosovës më 17 shkurt feston 10- vjetorin e pavarësisë, duke mbyllur kështu etapën e vendosjes së themeleve të shtetit, e duke nisur një etapë të re të madhe – atë të zhvillimit ekonomik dhe prosperimit drejt integrimit në institucionet euroatlantike.
Tashmë Kosova ka ndryshuar ka shtetin e saj ka organet e saj, ka ekonominë e saj. Një numër korporatash të huaja operojnë në vend. Pavarësisht se është një nga vendet më të vogla të Evropës, vendi jonë ka burime të rëndësishme minerale, duke përfshirë nikelin, linjitin, plumbin, kromin, aluminin dhe magnezin. Pjesa më e madhe e pasurisë së qymyrit në Evropë qëndron në Kosovë. Ndaj të gjithë bashkë motra e vëllezër ta bëjmë Kosovën tonë ta begatojmë atë.
Këtë 10 vjetor të pavarësisë në dallim nga vitet tjera festimet janë më madhështore se asnjëherë tjetër. Ato karakterizohen me festime në ambientet familjare me muzikë dhe valle tradicionale. Kurse, në kryeqytetin do të mbahet edhe një koncert madhështor ku performon superylli botëror, Rita Ora. Pjesë e këtyre festimeve jemi edhe ne.
Por, përveç gëzimit ne kemi edhe detyra e obligime për ata që dhanë jetën për këtë ditë, për këtë moment Dhjetë vjet që ne jemi të pavarur, por pavarësia ende është proces i papërfunduar. Nuk jemi ende anëtar të Kombeve të Bashkuara, domethënë shtet sovran që i ka të gjitha të drejtat si shtetet tjera sovrane. Ndaj motra vëllezër ju bëj thirrje që secili nga ju të ndihmojë sadopak për Kosovën me emrin e tij të mirë, me imazhin e tij të mire. Kështu ne ti tregojmë botës se ne jo vetëm dimë të fitojmë lirinë tonë por ne dimë edhe ta mbajmë atë, të jemi një komb si gjithë kombet e tjera me standardet e perëndimit, që ne jemi të denjë të jemi pjesë e Evropës pavarësisht pengesave që na nxjerr përpara shkjau.”
Ky ishte mesazhi që Shoqata Atdheu nga qyteti i Thunit përcolli tek bashkatdhetarët qe kishin mbushur plot sallën ku u mbajt kremtimi i 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.