Xhevat Bislimi: Gjithmonë i pa pajtuar me qyqarllekun dhe mjerimin e Rugovës, Albin Kurti u "shtrëngua" të shkonte e të përulej me "nderim" të varri i tij

Xhevat Bislimi: Defaktorizimi i Kosovës shqiptare interes vetëm i Serbisë I

Çlirimi i Kosovës

Veprimtaria politike e çlirimtare e Lëvizjes Popullore të Kosovës kulmoi me organizimin e Luftës së armatosur kundër Serbisë pushtuese. Formacioni i armatosur u emërtua nga Kryesia e LPK-së, më 17 nëntor 1994: Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Me Kosovë, LPK-ja dhe Lëvizja Kombëtare përgjithësisht, kuptonte të gjitha trevat e pushtuara shqiptare nga Jugoserbia. Përpjekjet dhe lufta e UÇK-së fituan simpatinë dhe përkrahjen e mbarë kombit shqiptar pa dallim ideje, partie, krahine e feje. Përjashtim nga ky unitet bënte ndonjëri nga krerët partiak dhe grupe e qarqe me “deformime” të theksuara kombëtare! Ky unitet politik e kombëtar me kohë fitoi simpatinë dhe përkrahjen e botës perëndimore-demokratike. Fuqitë e Mëdha u bindën se Lufta e kombit shqiptar për çlirimin e krahinave të pushtuara të Shqipërisë nuk mund të frenohej dhe as të kornizohej. “Flakët e kësaj Lufte, siç deklaronte edhe Kryetari i Amerikës, Klintoni, rrezikonin ta digjnin edhe Evropën”. Kryetari amerikan e dinte nga teoria e Vattelit, që në ligjin ndërkombëtar “fuqia ose dobësia… nuk do të thoshte gjithçka. Një xhuxh mund të jetë po aq i fuqishëm sa një gjigand. Një republikë e vogël mund të jetë po aq e fuqishme sa edhe një mbretëri e fuqishme”. Teorinë e Vattelit e ka “vulosur” praktikisht Shqipëria e vogël e shek. XV me luftën e saj kundër Perandorisë më të fuqishme të kohës…, por në ballë të saj kishte Kryetrimin dhe Kryestrategun, të famshmin, Gjergj Kastriotin. Kjo teori u bë e saktë edhe në kohën tonë. Republika e vogël e Shqipërisë, e udhëhequr nga Enver Hoxha, u përballë suksesshëm me Perandorinë Ruse dhe me presionet e kërcënimet e ekonomike, politike e ushtarake të fqinjve shovinistë dhe aleatëve të tyre të mëdhenj. Një shembull tjetër ishte edhe lufta e Finlandës së vogël kundër Perandorisë sovjetike-ruse…

   Këtu edhe duhet kërkuar arsyeja dhe shkaku themelor i ndërhyrjes së NATO-s, e cila e “kornizoi” luftën e UÇK-së e të kombit shqiptar dhe e përfundoi atë me largimin e plotë të forcave pushtuese serbe nga ajo që quhej dhe përkufizohejë si “krahina autonome e Kosovës”. Trevat tjera mbetën të pushtuara dhe të copëtuara nga republikat e dikurshme të Federatës jugosllave!…

Po të kufizohemi edhe ne, vetëm në atë që nga Jugoserbia ishte definuar si “krahina autonome e Kosovës”, mund të themi, pa pasur frikë se gabojmë, që fitorja ishte e plotë. Forcat pushtuese serbe dhe administrata serbe ishin dëbuar tërësisht nga territori i Kosovës me kufijtë e imponuar nga Beogradi…

Vendosja e Kosovës nën kontrollin ndërkombëtar

   Hileja iu bë Kosovës dhe kombit shqiptar me vendosjen e Administratës së OKB-së (UNMIK), e cila zëvendësoi administratën serbe me qëllim që të privoheshin fitimtarët e luftës nga e drejta për ta krijuar administratën e Kosovës dhe për ta qeverisur atë. Shkaktare e të gjitha konflikteve dhe luftrave në Iliri ishte Serbia. Këtë e pohojnë dhe “miratojnë” të gjitha vendet demokratike. Nëse ishte kështu, atëherë pse vendosej Kosova nën “tutelën” ndërkombëtare në vend se të vendosej Serbia luftënxitëse dhe përgjegjëse për shkatërrim e djegie të vendeve tjera dhe për krime, gjenocid e holokaust? Kur e kishin pyetur Kryetarin amerikan, Harry Truman, se për çfarë do të donte të mbahejë mend ishte përgjigjur: “Ne mundëm tërësisht armiqtë tanë dhe i bëmë të dorëzoheshin. Më pas i ndihmuam të ngriheshin në këmbë dhe u mësuam demokracinë. Pastaj i ndihmuam të bëheshin pjesë e bashkësisë së kombeve. Vetëm Amerika mund ta bënte këtë gjë” (Cituar sipas librit “Pushtet dhe Parajsë” të autorit Robert Kagan, f. 119). Pse nuk u veprua kështu me Serbinë luftënxitëse, që u mund, u dorëzua, por nuk iu mësua demokracia dhe nuk u ndihmua të bëhej pjesë e bashkësisë së kombeve të qytetëruara!… Apo pse prapa Serbisë qëndronte Rusia e ndonjë vend tjetër i fuqishëm? Mospajtimet dhe divergjencat e faktorit ndërkombëtar për pavarësimin-shkëputjen e plotë të Kosovës nga Serbia ishin maksimale, por më kryesorja dhe më vendimtarja për luftën dhe për proceset e pa luftës ishte polarizimi dhe përçarja e brendshme, mungesa e unitetit politik e kombëtar!…

   Vendosja e Kosovës shqiptare nën kontrollin ndërkombëtar e “problematizonte” shkëputjen dhe pavarësimin e plotë të Kosovës nga Jugoserbia… Hileja e këtij “misioni” ndërkombëtar u pa që në ditët e para. Krahas çarmatosjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zhvillohejë projekti për ndarjen e Veriut (gati një e katërta e territorit) nga Kosova! Forcat ushtarake franceze (me emblemën KFOR!) mbyllën urën që bashkonte Mitrovicën dhe Veriun. Ky ishte sinjal (nëse jo marrëveshje e fshehtë!) që të gjithë serbët e inkriminuar të vendoseshin në Veri, nga njëra anë, ndërsa shqiptarët nuk do të lejoheshin, për shkaqe sigurie(!), të ktheheshin në shtëpitë dhe pronat e tyre në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në vendbanimet tjera në Veri! Për shqiptarët që kishin mbetur andej ose për shqiptarët që kishin “guxuar” të ktheheshin në shtëpitë e tyre rrugëve pa rrugë, në kundërshtim me “vullnetin” e forcave të KFOR-it francez dhe të strukturave kriminale serbe, u organizua terrori për vrasjen dhe dëbimin e tyre! Për ata që kishin dy bërthama në kokë mesazhi dhe projekti ishte i qartë: Veriu, me përkrahjen e pakursyer të KFOR-it, UNMIK-ut dhe OSBE-së (edhe organizata e shërbime tjera të “pa deklaruara!), po (ri)vendosej nën kontrollin e Serbisë! Ky projekt, bashkë me “krijimin e enklavave serbe, që më vonë u bënë komuna e zona të mbrojtura(!), kishte për qëllim, siç u vërtetua e po vërtetohet përditë e më shumë, “bosnizimim” e Kosovës shqiptare, me qëllim të fundit: ndalimin e bashkimit (siç u ndalua formalisht edhe me kushtetutë!) të kësaj krahine me Trungun – shtetin e saj, Republikën e Shqipërisë, dhe mbajtjen e saj të lidhur pas qerres serbe!…

“Bosnizimi” i Kosovës

   Projekti për “bosnizimin” e Kosovës shqiptare po shtyhej përpara me harbutri të paparë nga prania ndërkombëtare dhe nga qendra e qarqe të fuqishme ndërkombëtare, në bashkëpunim të ngushtë me klasën politike vendore! Logjika e presionit dhe shantazhit mbi të dobtin po vepronte pamëshirshëm mbi Kosovën e lodhur nga robëria e gjatë dhe nga mizoritë e pushtuesit! Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte privuar nga drejtimi politik (eliminimi i LPK-së!) qysh gjatë Luftës! Menjëherë pas çlirimit (dëbimit të forcave pushtuese) UÇK-ja u la në “spontanitetin” e saj! Ai që u vetëquajt “kryekomandant” po bredhte nëpër Evropë, ndërsa Shtabi i Përgjithshëm ishte krejt jashtë “loje” dhe nën ethet e fitores! Harruan apo nuk e dinin fare, ata që kishin “përvetësuar” komandimin dhe drejtimin e UÇK-në, se lufta më e vështirë për Kosovën fillonte me të mbaruar Lufta! Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, i “zgjedhur” gjatë kohës së bombardimeve, nuk përfillej ose nuk ishte i zoti ta kontrollonte UÇK-në e pas Luftës! Mbase, sipas mendjes së tij dhe eprorëve tjerë, lufta kishte përfunduar! Komandantët e zonave e të njësiteve ishin të ‘lirë” të silleshin e të vepronin sipas rastit e dëshirës! Për ndjekjen e njësiteve serbe (tashmë në rroba civile) nga Veriu as që mendohej!…

   Kreu i LDK-së, që ishte këmbë e krye kundër Luftës Çlirimtare, me lejen e Milosheviçit-Serbisë, kishte dalur në Evropë të bënte fushatë kundër bombardimeve të NATO-s e tash nuk po kthehej! Ndërkohë, me vonesë, u kthye edhe “kryekomandanti” nga Evropa. Nuk vonoi e në Kosovë mbrrini, pasi mori “garancitë” e duhura, edhe kreu i LDK-së. Mirëpo, Qeveria e Përkohëshme vazhdonte të bojkotohej nga kreu i LDK-së, I. Rugova, i cili duhet të mbahet si përgjegjësi kryesor për përçarjen politike dhe për dëmin e madh që pati populli shqiptar në Kosovë për shkak të kolaborimit të tij e të strukturave të LDK-së me pushtuesin dhe “bojkotimin” e Luftës Çlirimtare. Të dy “krahët”, ai i luftës dhe ky i kolaborimit, nuk ia dolën të merreshin vesh as pas mbarimit të Luftës për pavarësimin e plotë të Kosovës nga Serbia. Mirëpo, të njëjtit, kreu i krahut të LDK-së dhe kreu i krahut të Luftës, po merreshin vesh për bukuri dhe po i nënshtroheshin pa kushte UNMIK-ut, KFOR-it dhe qendrave që kontrollonin Kosovën! Klasa e vjetër politike, e brumosur me ideologji dhe frymë jugotitiste, dhe klasa e re “patriotike”, e trimëruar dhe harlisur me luftën fitimtare, vazhdonin t’i shpenzonin energjitë e tyre në grindje, sherre e përplasje ndërmjet vete, nga njëra anë, dhe duke i shërbyer me “besnikëri” pranisë ndërkombëtare dhe projektit të tyre për një “Kosovë autonome e multietnike”!… Pra, nuk ia dolën të pëmbushnin detyrën historike që shtrohejë para tyre: bashkimin politik për shpëtimin e Kosovës shqiptare, duke i ofruar partneritet të fuqishëm pranisë ndërkombëtare dhe duke u bër mur i pakalueshëm për projektin e “bosnizimit” të Kosovës dhe rikthimit të Serbisë në çfarëdo forme a mënyre qoftë. Prandaj, janë fajtorë e përgjegjës, kush më shumë e kush më pak, para kombit dhe para historisë… Kryetari (Presidenti) Alfred Moisiu e paralajmëronte këtë “fatkeqësi” në gazetën “Tribuna Shqiptare”, të datës 9 korrik 1999: “…në qoftë se politikanët shqiptarë në Kosovë, nuk do të jenë në gjendje të menaxhojnë, me aftësi dhe zgjuarsi situatën atje, qëndrimi i tyre mund të ketë pasoja… e rëndësishme është të dimë të merremi vesh njëri me tjetrin. Përçarjet dhe mosmarrëveshjet vetëm na dëmtojnë. Ato u japin më shumë shanse kundërshtarëve tanë dhe paksojnë tonat”. Një muaj më vonë, në të njëjtën gazetë, Moisiu konkludonte se “Kosova e pavarur është tashmë e vetmja zgjidhje e pranueshme jo vetëm për shqiptarët, por në të njëjtën kohë mundësia më reale e zgjidhjes së problemit”. Në analizën e Tij, Moisiu e vë theksin te domosdoshmëria e marrëveshjes dhe unitetit politik… “Kjo arrihet vetëm duke qenë të bashkuar në qëllime. Ndryshe, duke u marrë me sherre të brendshme, jo vetëm nuk do të jemi në gjendje të ndjekim situatën dhe të drejtojmë problemet tona, por do të bëhemi të bezdisshëm edhe për miqtë tanë më të mirë”. Siç edhe u bëmë të bezdisshëm edhe për miqtë tanë!! “Shansi na ka ardhur duhet shfrytëzuar, vazhdon Moisiu. Këtë nuk e themi vetëm ne shqiptarët, këtë po na e thonë edhe miqtë tanë. Më shumë, më bukur dhe më hapur nuk kanë se ç’të na thonë. T’i urojmë vetes mend, urtësi, bashkim dhe fat, për të mirën e Kosovës, për të mirën e çështjes shqiptare”. Pra, miqtë tanë nuk ishin kundër shkëputjes dhe pavarësimit të plotë të Kosovës nga Serbia pas luftës (dy-tri vitet e para). Rasti më i mirë ndoshta ishte menjëherë ose përnjëherë me shkëputjen dhe pavarësimin e Malit të Zi nga Jugoserbia. Por, politikanët shqiptarë të Kosovës kishin shqetësime tjera më të “rëndësishme”!…

Shpallja e Pavarësisë

   Politikanët e pa mend dhe injorantë, të shndërruar në inatçorë, grindavecë e lakmiçarë, u bënë kërcënim për lirinë e fituar me aq mund, djersë, gjak e flijime! Të lenin përshtypjen se mendja u punonte vetëm për atë copë pushtet që u lëshonte UNMIK-u dhe për pasuri e lavdi! Nga politikanë e luftëtarë u kthyen në uzurpatorë e grabitçarë të pushtetit, pasurisë, lavdisë e lirisë që ishin fituar me përpjekjet e gjakun e mbarë një kombi! Politikanët e vjetër e të rinj (për të vjetrit s’ishte çudi) me zotërinjtë-pushtetarët “ndërkombëtarë” silleshin si pula të lagura, kurse me popullin e tyre si “luanë”! Nuk patën ide dhe as u shkonte mendja të bënin projekte e plane për pavarësimin dhe shkëputjen e plotë të Kosovës nga Serbia dhe as për riorganizimin dhe ristrukturimin e një shoqërie dhe të një sistemi të rrënuar nga pushtimi e lufta me tendenca shfarosëse! Çdo gjë e donin për vete dhe për familjet, farefisin e tarafet e tyre! Nuk u shkonte nëpër mend se mijëra luftëtarë kishin mbetur keq: të papunë, të pastrehë e pa shkollimin-kualifikimin e duhur! Varfëria dhe korrupcioni po rriteshin. Shëndetësia, arsimi, drejtësia, siguria nuk po përmirësoheshin! Pasuria kombëtare dhe ajo pak ekonomi që kishte shpëtuar nga shkatërrimet e Serbisë po vidheshin, po kontrabandoheshin e po kullofiteshin me ligj e pa ligj me shpikjen e quajtur: AKM (Agjencia Kosovare e Mirëbesimit) dhe me rrugë e mënyra tjera ilegale! Kosova dhe pasuritë e saj po trajtoheshin si plaçkë lufte!! Shpresa e popullit shqiptar po vritej përditë! Presioni për “bosnizimin” e Kosovës shqiptare dhe për lidhjen e saj me njëmij e një fije me Serbinë po rritej! Presion i paparë për rikthimin e kolonëve serbë në Kosovë, nga njëra anë, dhe ikje në rritje e shqiptarëve nga Kosova, në anën tjetër! Për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur as që bëhej fjalë! Po iknin nga vatra dhe vendi i tyre ata që ishin kthyer duke rrezikuar jetën nëpër mina! Ndjekja, arrestimi dhe dënimi i luftëtarëve të lirisë po merrte përmasat e gjuestisë së shtrigave, ndërsa politikanët e krahut të luftës, që i ishin bashkuar sundimit të ndërkombëtarëve, deklaratatë: “askush mbi ligjin” dhe “ne i besojmë drejtësisë” i kishin kthyer në refren të tyre tugitës!

   Në këto kushte shpërtheu revolta e madhe popullore… Shkas u bë mbytja e tre fëmijëve në Mitrovicë, por shkaku ishte gjendja e pashpresë për Kosovën. Këtu mori kthesën e vogël Kosova. Prania ndërkombëtare dhe qendrat ndërkombëtare të vendosjes u bindën përfundimisht se populli shqiptar nuk do të pranonte kurrë të mbetej me Serbinë në cilëndo formë a në cilindo variant. Prandaj, me urgjencë nisën bisedimet në Vjenë për statusin e Kosovës. Kuptohet që ndikimi amerikan ishte vendimtar. Por, projekti për “bosnizimin” e Kosovës sonë kishte bërë hapa para në terren në emër të “multietnicitetit” e me qëllim të deshqiptarizimit të Kosovës! Edhe seleksionimi dhe përpunimi i njerëzve të krahut të luftës dhe “piketimi” i tyre për bisedime ishte bërë… Kuptohet më të bindurit, më të pafatit dhe më të nënshtruarit ishin në “sofrën” e bisedimeve në Vjenë. Kujdes ishte treguar edhe për krahun e kolaborimit. Edhe nga ky krah nga servilët ishin zgjedhur më servilët dhe ata që bindeshin pa kushte… Menjëherë pas takimit të parë njëri nga këta puthadorët e skajshëm deklaroi me “pompozitet” se “Serbisë ia bëmë tetë me dy”! I njëjti tha edhe se “ne do të jemi gjenerozë me Serbinë dhe kërkesat e saj”! Tjetri thoshte dhe përsëriste si papagall se “po japim të dhimbshmen për ta marrë të këndshmën”, etj. Kjo ishte “platforma” e grupit mjeran negociator, kjo ishte filozofia e kjo ishte logjika e negocimit me Serbinë! Ky grup mjaftohejë me emrin “pavarësi’, sikur të ishin të gjithë pjellë e LDK-së, që edhe në kohën e pushtimit dhe të luftës ushqente e përhapte iluzione se Kosova ishte shtet i pavarur! Me këtë ekip negociatorësh askush nuk priste rezultate tjera: një Kosovë e pavarur, por e “bosnizuar” territorialisht, me një kushtetutë e sistem politik të dyzuar e të kushtëzuar nga pakica serbe (5%!)-Serbia, me një Mitrovicë të ndarë në dy komuna(!), me një Veri të kontrolluar nga Serbia, me një sovranitet të dyfishtë, etj.. Për ironi Kosovës edhe flamuri shtetëror iu imponua me ngjyrat e Bosnjës! Me këto “zgjidhje” e kushte të rënda Kosova shqiptare u shpallë më 17 shkurt 2008, me shumë vite vonesë, “shtet i pavarur, demokratik e sovran”!

Republika e Kosovës dhe pozita e saj ndërkombëtare

Plani i Ahtisarit për Kosovën, i pranuar krahhapur nga klasa politike e Prishtinës, nuk u pranua, siç edhe pritej, nga Serbia. Ky plan nuk kaloi as në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ky dokument, që rekomandonte super të drejta për pakicën serbe dhe për trashëgimin kulturore e historike “serbe” nuk u bë dokument ndërkombëtar. Për pasojë, ky dokument, Plani i Ahtisarit, nuk e obligonte Kosovën ta zbatonte atë, sidomos në pikat ku dëmtohej rëndë substanca e Pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës… Lëshimet e mëdha që kishte bër grupi negociator i Kosovës ia kishin rritur oreksin Serbisë, e cila mbështetej hapur nga Rusia, edhe nga Kina. UNMIK-u i dalur boje u reduktua në një prani simbolike. Një pjesë e mirë e tij u transformua në EULEX, që ishte misioni dhe dështimi më i madh i Bashkimit Evropian! Në intervistën e datës 14 qershor 2018 për Radion Dojçe Vele, Andrea Lorenzo Capussela, që ishte shef i kontrollit ndërkombëtar në Kosovë, ndërmjet tjerash deklaronte: “Po t`i shohësh ato për vitet para se të shkonte EULEX-i në Kosovë dhe më pas, atëherë sheh se shteti i së drejtës ka ngecur në vend, efektiviteti nuk rritet dhe kontrolli i korrupsionit është keqësuar. Ndërkohë që për të njëjtat periudha në shtete të tjera të Ballkanit shteti i së drejtës është përmirësuar pak po ashtu si edhe kontrolli mbi korrupsionin. Një paradoks, sepse BE-ja harrxhoi 1,5 miliardë dollarë për EULEX-in, misionin më të madh civil të organizuar ndonjëherë nga BE”.

   Po provohej (eksperimentohej) në Kosovë! Në fakt, EULEX-i ishte vazhdimësi e UNMIK-ut. Aty ku e la projektin UNMIK-u do të duhejë, “me energji e forca të reja”, ta vazhdonte misioni i BE-së! U vendosë edhe mbikëqyrja ndërkombëtare për “pavarësinë me kusht të Kosovës”! Vetëm aktorët e bisedimeve në Vjenë (grupi negociator) nuk ndryshoi pozitat! Përveç Ibrahim Rugovës, që kishte vdekur pa u shpallur pavarësia e Kosovës, të tjerët qëndruan të pa lëkundur, me gjithë dështimet e tyre, në krye të politikës së Kosovës, tash shtetit të Kosovës! Madje, paraqiteshin e silleshin edhe më të fuqishëm e vetëbesues! Tamam si etër (baballarë) të pavarësisë e të shtetit!

Për njerëzit që kuptonin diçka nga jeta e nga politika ishte e qartë se ky grupim politikanësh (kolaboratorë e “patriotë” të djeshëm) do ta hanin edhe pavarësinë e lirinë e kushtëzuar… Kurse, ata që besonin verbërisht në “udhëheqësit” e tyre besonin se pavarësia dhe sovraniteti do të bëheshin të plota! Ata besonin se edhe komunat dhe zonat e mbrojtura “serbe” do të zhbëheshin!… Racionalja dhe iracionalja po haheshin e po konfrontoheshin herë me zë e herë nën zë! Pjesë aktive dhe e zellshme e gjithë politikave dhe projekteve antishqiptare për “bosnizimin” e Kosovës ishin bërë shumica e medieve të shkruara dhe elektronike në Kosovë e që financoheshin, sponzorizoheshin e merreshin në mbrojtje nga prania ndërkombëtare dhe nga qarqe e qendra tjera jashtë Kosovës!…

   Në disfavor të një Kosove shqiptare dhe plotësisht të pavarur nga Serbia ishte edhe gjendja kaotike në shtetin tonë AMË, në Republikën e Shqipërisë! Me një klasë politike kozmopolite, të korruptuar, të shitur e të kriminalizuar sa s’bën më, shteti shqiptar edhe pas një çerek shekulli nuk po e merrte veten! Ekonomia e rrënuar, përçarja politike (ndërpartiake), ndërkrahinore e ndërfetare, e financuar, e sponzorizuar dhe e stimuluar nga qeveri, qarqe e shërbime të huaja, po lulëzonte si rrallëherë! “Në këtë tranzicion, shkruante në komentin e saj gazeta elektronike, “Sot News”, e datës 25.12.2013, çfarë pamë dhe çfarë realizuam? Pamë se si politika me grykësi të pangopur u turr për pushtet e për pasuri dhe me të famshmen shpërndarje e privatizime të pasurive vodhi, grabiti dhe abuzoi me to dhe me gjakun, mundin dhe djersën e popullit që i kishte krijuar ato; nën maskën e lirisë morën revanshin liritë negative dhe egoizmi negativ i uzurpimeve, kërcënimeve, dhunës e krimit, të trafikimit të qenieve njerëzore, të drogës, bixhozit, të përgjegjshmërisë dhe pandëshkueshmërisë dhe të ligjërimit të çdo lloj mjeti për pasurim të shpejtë. Ligji dhe drejtësia u prangosën në letër dhe ligjin e bëri e paligjshmja, e palejuara dhe drejtësinë e bëri padrejtësia, politika, korrupsioni dhe paraja”.

   Kundërshtarët dhe armiqtë e kombit shqiptar e kuptonin më mirë se shqiptarët dhe miqtë e tyre se defaktorizimi i Kosovës dhe dobësimi i pozitës së saj bëhej më së miri duke goditur në Tiranë… Ashtu edhe bënë. Që nga viti 1989 nuk e lanë popullin shqiptar në Republikën e Shqipërisë të shikonte një ditë të bardhë! Edhe atje, në Tiranë, në sinkron me Prishtinën, një pjesë e medieve po bënin me përpikëri dhe “profesionalizëm” punën e kundërshtarëve dhe të armiqve të kombit tonë e të çështjes shqiptare!

   Në Kosovë që nga viti 1981 (sidomos), kurse në Tiranë që nga viti 1990, krah i fortë i forcave reaksionare dhe antishqiptare u bë edhe kleri fetar (pjesa dërrmuese) që financohej e po financohet e drejtohet edhe sot nga qendra të huaja kryesisht antishqiptare. Një shërbim të veçantë kësaj gjendjeje dhe këtij projekti antishqiptar po i bënte edhe shtresa e të burgosurve politikë dhe luftëtarëve të lirisë me HESHTJEN ose “pajtimin” në heshtje! Kjo kategori shoqërore e kombëtare, elita e saj, nuk pati guximin politik e intelektual dhe shpirtin e kundërshtimit, aq të domosdoshëm, në partitë ku bënte pjesë, në Kuvend dhe institucione tjera politike e shtetërore!!… Projekti për “bosnizimin” e Kosovës shqiptare, me ndonjë përjashtim, nuk u kundërshtua as nga inteligjencia! Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, e themeluar nga Jugoserbia (LKJ-ja) dhe e “përshtatur” me kushtet dhe rrethanat e reja nuk doli asnjëherë nga korniza partiake e LDK-së! Se në ç’gjendje është Akademia tregon edhe raporti i tetorit të vitit 2018, që organizata “Integra” ka prezantuar para Komisionit Parlamentar për Arsim, pas hulumtimit të bër në Akademinë e Shkencave… Sipas Kushtrim Koliqit, nga “Integra”, “ASHAK-u është në gjumë dhe nuk është llogaridhënës… të gjeturat në këtë hulumtim janë brengosëse dhe neveritëse… kjo akademi ka qenë më produktive në kohën e Milosheviqit se tash. Kur një institucion si Akademia e Shkencave është në këtë gjendje çka presim ne prej institucioneve të tjera”, thotë Koliqi. Kurse, autori i këtij hulumtimi, Shkëlzen Gashi, ka thënë se “Akademia nuk ka asnjë projekt të rëndësishëm për vendin. Shumica e librave të botuara nga Akademia janë vetëm ribotime dhe shumica prej tyre vetëm në gjuhën shqipe”. Pa koment!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …