Krijimi i komunave “serbe” në Kosovën shqiptare
Puna e parë, me përparësi e urgjencë, e institucioneve të shtetit të sapo shpallur të Kosovës, që kontrolloheshin qindpërqind nga ata që negociuan (pranuan) “bosnizimin” e Kosovës, ishte krijimi i komunave “serbe”! E nisën me pesë e i bënë dhjetë! Ka shenja se mund të bëhet edhe ndonjë komunë nga këta që po ia marrin frymën Kosovës shqiptare! Komuna e parë “serbe” u krijua aty ku nuk kishte asnjë problem, në zemër të komunës së Vitisë me miratimin dhe nënshkrimin e një kryetari të mjerë, që ishte dorëzuar para presionit dhe shantazhit të “udhëheqësve” të tij partiakë! Zbatimi i Planit të Ahtisarit po niste në Viti e jo në Veri, ku kishte probleme të mëdha në vendosjen e sigurisë, rendit, rregullit, qeverisjes dhe ligjshmërisë e kushtetutshmërisë! Me këmbëngulje e fanatizëm të paparë po zbatohejë plani i Ahtisarit që nuk ishte pranuar nga Serbia! Dhe atë, po zbatohejë vetëm në territorin që kontrollohej nga qeveria e Kosovës, por jo në Veri! Naivitet, padituri apo politikanë të korruptuar, të shitur e të shantazhuar?! Krijimi i këtyre komunave “serbe” krijoi avantazhe të mëdha për Serbinë, e cila sa vinte e shtonte fushatën dhe presionin e saj diplomatik, ekonomik, politik e me rrugë tjera kundër Kosovës! Lëshimet e pa fund të Kosovës po e trimëronin Serbinë. Njohjet e Kosovës nga shtetet tjera në njëfarë mënyre ndaluan pas njohjeve të para “euforike”! Shtetësia e Kosovës po sabotohejë edhe nga brenda! Në krye të Kosovës i erdhi radha të “zgjidhejë” Kryetar (president) njeriu pro serb e pro rus, B. Pacolli! Ky njeri edhe sot mban postin më të rëndësishëm pas Kryeministrit, postin e Ministrit të Jashtëm! Si ky, por më pak të njohur, janë me shumicë në partitë politike, në institucionet shtetërore, në medie, në arsim, drejtësi, polici, e kudo! Në Kosovë as pas pavarësisë nuk pati drejtësi tranzicionale… Salto mortale!
Rinisja e negociatave me Serbinë, për Kosovën, në Bruksel
Politikat dhe projektet antishqiptare u intensifikuan me hapjen ose rinisjen e negociatave me Serbinë në Bruksel, për Kosovën!! Ky ishte lajm i keq për pozitën ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe për sovranitetin e saj të kushtëzuar! Për fat, në kohën e defaktorizimit të Republikës së Kosovës erdhi edhe një lajm i mirë: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha plotësisht të drejtë Kosovës që kishte shpallur pavarësinë e saj… Kjo ishte ngjarje e dorës parë që legjitimoi dhe vulosi shpalljen e Pavarësisë. Ky opinion ose mendim i Gjykatës, që ishte përgjigjie në pyetjen e Serbisë, e përmirësoi pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe e vulosi Pavarësinë. “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, tha GJND-ja, është plotësisht në përputhje me Rezolutën 1244, me Kornizën kushtetuese dhe me të drejtën ndërkombëtare”. Me këtë opinion edhe Rezoluta 1244 u deklarua e vdekur… “Opinioni i GJND-së i dha fund betejës ligjore të Serbisë dhe pretendimeve serbe duke e bërë të qartë për të gjithë botën, siç do të shprehej ministri i jashtëm i asaj kohe i Francës, Bernard Kushner se “tani është e qartë për të gjithë botën se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, pavarësisht se si ndihet njëra palë apo tjetra”. Apo ashtu si do ta përcaktonte Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton se: «GJND-ja vendosi për pavarësinë e Kosovës», – e cila e vizitoi Prishtinën në vjeshtë si provë e përkushtimit amerikan në Ballkan e Kosovë”, shkruante Elida Buçpapaj, më 31 dhjetor 2010, në VOAL (Zëri i Shqiptarëve).
Mirëpo, si për inat të këtij OPINIONI të GJND-së, krerët e Republikës së Kosovës e ringjallën Rezolutën 1244 dhe e bën Republikën e Kosovës me “FUSNOTË”! Kësaj radhe goditja iu dha shtetit të Kosovës mu në zemër nga drejtuesit e saj! Bota mbeti gojëhapur nga ky “gjenerozitet” dhe lojalitet i klasës politike të Prishtinës ndaj Serbisë, që kishte kryer krime monstruoze, kishte bër gjenocid e holokaust në Kosovën shqiptare! Akoma nuk ishte tharë mirë gjaku i viktimave të Serbisë, era shkrumb i vinte ende Kosovës! Por, krerët e “krisurë” nuk ndaleshin! Revani i tyre ishte i papërmbajtshëm!
Të gjendur me “shpatën” e raportit të Dik Martit (BE-së) mbi kokë (pjesa “patriotike” e politikës) dhe duke qenë me hipotekën e kolaboracionistit të djeshëm në shpinë (pjesa e vjetër jugotitiste e politikës) politikanët dhe krerët e shtetit të Kosovës vazhduan ta degradonin Pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës me marrëveshjet që nënshkruanin në Bruksel! Marrëveshja e parë u nënshkrua nga Hashim Thaçi, kurse marrëveshja e dytë u nënshkrua nga Isa Mustafa! Ndërhyrja e padukshme e ndonjë miku të fortë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës e rrëzoi marrëveshjen që ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës dhe me vetë sovranitetin dhe pavarësinë e saj! Megjithatë, Serbia dhe miqtë e saj këmbëngulin që marrëveshja të zbatohet siç është nënshkruar në Bruksel… Me këto marrëveshje të nënshkruara nga krerët e Republikës së Kosovës, Serbisë i hapej rruga për krijimin e një “Serbie të vogël”, një minishteti serb në Republikën Shqiptare të Kosovës! Parakushtet për një entitet të tillë serb tashmë ekzistonin! Ishin krijuar dhjetë komuna “serbe” e dhjetra zona të mbrojtura “serbe” në Kosovë! Këtyre komunave e zonave u ishte lënë në administrim (me kufij kadastral e administrativ) rreth 30% e territorit të Republikës së Kosovës! Një çmenduri, do të thoshte dikush. Më shumë se kaq: një tradhti e madhe, thotë ndokush sot, e më shumë do të thonë nesër. Ata që kishin hapur këtë hulli nuk po ndaleshin me kaq! Mbase nuk i lenin “padronët” të ndaleshin!
I njëjti brum, e i njëjti grup politikanësh e qeveritarësh pranuan si pa të keq krijimin e Gjykatës Speciale për dënimin e Luftës së UÇK-së dhe të kombit shqiptar me “votën e lirë” të Kuvendit të Republikës! Arsyetimi për ta themeluar këtë gjykatë, sa raciste aq antihistorike, ishte sa absurd aq idiotesk: “Më mirë ta bëjmë ne se sa të bëhet nga Këshilli i Sigurimit, ku është edhe Rusia”, thoshte kryeprotagonisti i themelimit të kësaj Gjykate!! Për ta votuar Gjykatën Speciale antishqiptare u shantazhuan e dhunuan burra e gra deputetë! U dhunua Kuvendi i Republikës, u dhunuan krenaria dhe ndërgjegjia e një kombi që luftoi për lirinë e tij! O tempora, o mores!
Presion, shantazh e dhunë e paparë u ushtrua edhe për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, me të cilën Kosovës i shkëputeshin 8 200 hektarë tokë! E njëjta klasë politike e njëjta logjikë, i njëjti rezultat! Kjo qeverisje arbitrare e autoritare dhe kjo qeverisje e korruptuar dhe kriminalizuar, që kishte e vazhdon ta ketë mbështetjen e qarqeve e qeverive jo fort miqësore për Republikën e Kosovës, prodhoi zhgënjim e dëshprim masiv… Shumica e të rinjve dhe e popullatës shqiptare kërkojnë rrugë e shtigje për të ikur nga shtëpitë dhe vendlindjet e tyre!! Nuk ka statistika të sakta, sepse këtyre qeverive e tarafeve nuk u interesojnë statistikat për shqiptarët e shpërngulur(!), por mund të them pa frikë se po ekzagjeroj, që gjysma e popullatës shqiptare është shpërngulur tashmë për këto gati njëzetë vite lirie e 11 vite pavarësie! Më shumë të shpërngulur shqiptarë pas luftës se para saj!! Kurse këta vazhdojnë të qeverisin e zhgarravisin këtë vend pa mos iu skuqur faqja!…
Vetëkënaqësia me transformimin e FSK-së dhe me taksën 100%
Miratimi i ligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë dhe vendosja e taksës 100% për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje-Hercegovinës po përjetohen si (vetë)përmbushje e vetëkënaqësi e një shkalle të lartë dhe po shiten si të arriturat më të mëdha të viteve të Pavarësisë… Këto dy veprime të institucioneve të dominuara e më shumë të kapura nga grupi i “patriotëve” (të mbështetura nga LDK-ja) janë kryesisht rezultat i dështimeve të qeverisjes së këtij grupi brenda e jashtë se sa rezultat i një logjike dhe politike konsekuente shtetërore! Me këtë koalicion qeverisës, njësoj si edhe me qeverisjet e mëparëshme, defaktorizimi i Republikës së Kosovës vazhdoi dhe u thellua deri në atë shkallë sa s’mbante më! Shteti i Kosovës ishte buzë falimentimit! Fushata e Serbisë dhe aleatëve të saj, ndërhyrjet dhe prania në rritje e Serbisë në Kosovë po e shkërmoqnin sistemin dhe shtetin… Tërheqja e njohjeve, dështimi i pranimit në Interpol dhe në UNESCO, etj., nga njëra anë, dhe lidhja e Serbisë këmbë e krye me Rusinë, në anën tjetër, sikur e “kthjellën” klasën politike që po sundon Kosovën me arbitraritet e autoritarizëm! Edhe miqtë tanë të mëdhenj (dikush thotë të përhershëm e të përjetshëm!) u bindën se Serbia nuk mund të ndahet-shkëputet nga Rusia! Bënë mjaft përpjekje e investime për ta joshur Serbinë, por të gjitha shkuan huq! Janë edhe këta faktorë që shpjegojnë “dritën e gjelbërt” që mori Kosova për transformimin e FSK-së dhe për vendosjen e taksës…
Këto masa e veprime të qeverisë së Kosovës patën mbështetjen e të gjitha partive kuvendare dhe të një populli mbarë. Çështja është se a janë të mjaftueshme këto masa e veprime ad hoc të qeverisë për të siguruar e garantuar pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës? Jo, nuk janë të mjaftueshme. Për të dëshmuar se jemi shtet i pavarur dhe sovran do të duhej të ndërmerreshin edhe një varg masash tjera kundrejt Serbisë. Taksa është shumë e vonuar. I vonuar është edhe transformimi i FSK-së ose themelimi i forcave të armatosura. Se jemi vonuar po e thotë edhe njeriu më përgjegjës (fajtor) për këtë vonesë! Le që jemi vonuar, por ka shenja se po vonohemi përsëri! “Dhjetë vjet, thonë qeveritarët, na duhen për përmbylljen e transformimit, krijimin e ushtrisë së Kosovës” në kohën që Serbia kishte gjithë atë armatim të paprekur dhe po shpenzon milionat edhe sot për armatim! Shumat e parave që po ndahen për FSK-ne janë qesharake! Ato para nuk do të mjaftonin as për kulturë e lëre më për mbrojtjen e vendit…
Vendoset taksa 100%, kurse jo më larg se 2 km nga Prishtina, në Graçanicë, edhe sot funksionojnë e veprojnë organet e administratës serbe, të organizuara dhe të varura nga Serbia! Dhe jo vetëm në Graçanicën tonë, por edhe në qendra tjera të Republikës së Kosovës!!…
Politikat ekonomike (nëse ka politika ekonomike!) të qeverisë bëhen dhe zbatohen me logjikën e hajdutëve të pyjeve… Ata i presin pyjet e Kosovës e pastaj, për të humbur gjurmë, i djegin! Ndërsa qeveria së pari i vjedhë e i rrënon ndërmarrjet publike e pastaj i nxjerr në pazar: kush sa jep! Vendimi i fundit me këtë logjikë është ai për privatizimin-shitjen e PTT-së, të cilën e kanë zhvatur, plaçkitur e mbytur në borgje! Tash duhet falur edhe këtë pasuri kapitale të Kosovës! Këtë fat pati edhe rrjeti i shpërndarjes i KEK-ut! Ishte njëra prej kontratave më kriminale!… Këtë fat pati edhe “Trepça” dhe gjithë ekonomia e pasuria e Kosovës shqiptare!
Mos e fajsoni Amerikën për dështimet tuaja!
Amerika, SHBA-të, në Kosovë janë bërë referencë për mirë e për keq! Të gjitha të arriturat dhe fitoret e popullit shqiptar në Kosovë i faturohen “mikes së përjetshme”, Amerikës… Njësoj, edhe për të gjitha politikat, qëndrimet, projektet, marrëveshjet dhe vendimet e dëmshme politikanët e Kosovës fshihen pas Amerikës, duke aluduar e duke deklaruar hapur se “kështu e ashtu kërkonte, porosiste a rekomandonte Amerika mike”! Fshehja pas Amerikës për të gjitha dështimet nuk është e ndershme… E ku ta gjejnë ndershmërinë këta politikanë?! Këtë po e bënë kjo klasë politike për të ruajtur “simpatinë” dhe përkrahjen e elektoratit e për t’i ruajtur pozitat, pasuritë dhe privilegjet e fituara në rrugë e me mënyra të paligjshme!
Amerika e ka ndihmuar Luftën e UÇK-së dhe të kombit shqiptar në momente të vështira, por jo të pa shpresë. E kemi thënë më lartë se ndërhyrja e NATO-s, me insistimin e Amerikës, ishte bër edhe për ta “kornizuar” Luftën Çlirimtare të kombit shqiptar dhe çështjen shqiptare… Sidoqoftë kombi shqiptar i është mirënjohës Amerikës dhe përkrahjes së saj. Këtu nuk ka dilema. Por, pa sakrificën shqiptare as NTO-ja s’do të ndërhynte… “Nuk mund të kërkojmë, shkruante Kryetari Alfred Moisiu, që djelmoshat e Amerikës dhe të Evropës të sakrifikojnë pa qenë të gatshëm ne, të parët, të sakrifikojmë për të drejtat tona”. Krahina autonome e Kosovës, e pushtuar nga Serbia, u çlirua tërësisht. Kjo ishte fitore e plotë për Kosovën me kufijtë që kishte imponuar Beogradi. Është përgjegjëse-fajtore klasa politike shqiptare (pa përjashtuar praninë ndërkombëtare) që nuk e kapitalizoi në dy-tri vitet e para (vitet më të mira) shkëputjen e plotë nga Serbia dhe shpalljen e Pavarësisë! Për fajin kryekëput të kësaj klase politike (qëndrimi i UNMIK-ut dhe disa vendeve nuk duhet të na habiste…) Kosova nuk u shkëput nga Serbia menjëherë pas Luftës, nuk u bashkua me shtetin e saj AMË dhe as nuk u shpallë shtet i pavarur (me kushtëzime!) deri në vitin 2008!
Kjo klasë politike nuk dëshmoi pjekurin që priste populli shqiptar! Ajo ra në provimin e historisë! U përfshin nga dalldia e fitores, nga lakmia për para e për pushtet! “Vullnetet e ndërgjegjet e reja, do të thoshte Jakov Milaj në librin e tij, “Raca shqiptare”, që ishin të domosdoshme për t’i dhënë jetë një shteti të pavarur jo vetëm politikisht por edhe shpirtërisht, nuk u krijuan dot”. Amerika dhe miqtë tanë prisnin më shumë nga Kosova dhe klasa e saj politike… Amerikës nuk i pëlqenin “allishverishet” e kësaj klase politike me UNMIK-un dhe me Serbinë. Kur politikanët dhe qeveritarët e Kosovës menduan ta krijonin një Kuvend-parlament me dy dhoma (një dhomë për pakicat, sidomos atë serbe!) ndërhyri Amerika dhe nuk lejoi. Ndërhyrja e Amerikës ishte pa diplomaci (u detyrua nga pazaret që bënte kjo klasë politike në Bruksel) dhe e drejtëpërdrejtë edhe kur u bë marrëveshja për drejtësinë në Bruksel: “Kujdes, tha Amerika publikisht, se po krijoni një republikë serbe”! Si mund ta thotë një shtet,-Fuqia më e madhe botërore,- ndryshe? Më qartë e më hapur se kaq s’bëhet e s’thuhet. Amerikën e “fajsonin” edhe për marrëveshjet në Bruksel! Amerika u “fajsua” edhe për marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi! Amerikën po e “fajsojnë” edhe për taksën 100%! Ata që po kërkojnë t’i hiqet taksa Serbisë po fshihen pas “kërkesës” amerikane për heqjen e kësaj takse! Jo zotërinj qeveritarë! Po t’i bënit detyrat e shtëpisë siç duhej e siç ia kërkonte interesi edhe Amerikës, Kosova tash do të festonte 15 a 16 vjetorin e pavarësisë dhe sot do të ishte në pozitë shumë më të mirë ndërkombëtare, por edhe e konsoliduar mirë përbrenda: pa komunat e zonat e mbrojtura “serbe”, pa Veriun e ndarë, pa këtë korrupsion e kriminalitet, me ekonomi e stabilitet solid… Mirëpo, ju zotërinj kishit “objektiva” dhe interesa të ndryshme nga ato të Kosovës! Prandaj, është koha t’i thirrni mendjes e të ktheheni në shtratin e interesave të Kosovës dhe të kombit shqiptar, nëse nuk është bër vonë, ose të tërhiqeni e ta leni të qetë Kosovën dhe popullin e saj shqiptar! Kjo e dyta do të ishte më e mira për ju dhe për Kosovën shqiptare. Defaktorizimi i mëtejmë i Kosovës është interes vetëm i Serbisë…