(Për Isa Mustafën)
Këto ditë kemi parë e dëgjuar se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, po e kushtëzon Vetëvendosjes dhe krijimin e qeverisë së Republikës Shqiptare të Kosovës me “dëshirën” e tij për t’u bërë kryetar shteti (ose siç u pëlqen të vetëquhen “president”)! E çuditshme dhe neveritëse për mendjet normale, por e “kuptueshme” dhe e miratueshme për mendjet e çoroditura nga ideologjia jugo-titoiste.
Koncepti i LDK-së për Kosovën, i përfaqësuar “denjësisht” nga Ibrahim Rugova (“kryetari historik” i LDK-së), në thelb është koncept për një Kosovë në gjunj e të nështruar, për një Kosovë as mish e as peshk (“kosovare”), për një Kosovë të lidhur me një mijë fije, para lufte me Serbine, kurse pas Luftës së Madhe Çlirimtare, për një Kosovë të lidhur me shumë fije me Serbinë, me “ndërkombëtarët” dhe me dreqin e të birin, por me asnjë fije (po të ishte e mundur) me Trungun e saj, me vendin e saj e me kombin e saj, pjesë organike dhe kurrë e ndashme e të cilit është.
Për fatin e keq të saj e të Kosovës, LDK-ja nuk ia doli asnjëherë të shkëputet nga ky koncept vasalist e kosovarist… Madje, konceptin e saj vasalist (pse jo edhe kolaboracionist) e kosovarist (shqiptarmohues) u përpoq dhe me mjaft sukses ua imponoi edhe forcave të reja politike “patriotike”!
Pati mjaft sukses, sepse pati dhe e ka mbështetjen e vendeve dhe qarqeve mjaft të fuqishme në botë, që nuk janë të gatshme (për një mijë arsye historike, politike, gjeopolitike, ekonomike…) të miratojnë e të mbështesin të drejtën e shqiptarëve për të jetuar në një shtet e në një Shqipëri… Për të penguar dhe për ta shtyrë me sa të munden këtë të drejtë të natyrshme dhe të ligjshme (historike dhe aktuale) po bëjnë çmos e nuk po lënë gur pa lëvizur që Kosova shqiptare, si hallka më e rëndësishme e më vitale, të “deshqiptarizohet”, të shpopullohet e të zhvishet nga ndjenja kombëtare e nga DËSHIRA legjitime për t’u bashkuar me Trungun, vendin dhe kombin e saj. Projektit për “deshqiptarizimin” e Kosovës po i ndihmon me sa po mundet edhe Turqia, e mbështetur nga politika, nga politikanët dhe kleri turkofil e i korruptuar, duke ndërtuar xhamia turke në çdo fshat e në çdo lagje qyteti!!
Bashkimi i Kosovës shqiptare me shtetin-trungun e saj do ta bënte të mundshme dhe do ta afronte ditën e çlirimit e të bashkimit edhe të krahinave tjera të pushtuara të Shqipërisë. Amerika dhe disa aleat të saj, për arsye kryesisht gjeopolitike e gjeostrategjike, janë “për” zgjidhjen dhe përmbylljen (kuptohet me faza) e çështjes shqiptare në Iliri… Zgjidhja e këtillë është zgjidhje afatgjate edhe për qëndrueshmërinë dhe paqen në Iliri e më gjerë. Kjo është arsye e mjaftueshme që partitë shqiptare të Kosovës ta refuzojnë dhe përjashtojnë konceptin e LDK-së, që në fakt është koncept jugotitist, për Kosovën… Ky koncept tumiret dhe mbështetet nga vende si Rusia, Kina, Franca, etj., të cilat për arsyet e tyre njësoj gjeopolitike e gjeostrategjike janë kundër ribashkimit të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë në kufijtë e saj të natyrshëm edhe sot…
Ka të dhëna të mjaftueshme për të dyshuar se në prehrin e këtij koncepti po ulet edhe LVV-ja! Zelli i tepruar e Albinit për t’u bër kryeministër mund ta bëj realitet edhe dëshirën e çoroditur të Isa Mustafës për t’u bër kryetar shteti pas dy vitesh! Mbetet, edhe një kusht i vockël, por me simbolikë e porosi të madhe, që duhet ta përmbush Albini, nëse do të bëhet kryeministër: të përulet te varri i njeriut që edhe për së vdekuri mohon flamurin e çdo shqiptari, flamurin kuq e zi (përveç tjerash)!! Këtë “testim – provë” e kishin kaluar me “sukses” edhe Hashimi e Ramushi, të cilët nuk e bënë vetëm një përulje simbolike, por e përvetësuan me notë të lartë konceptin e LDK-së!
Nxënësi shembullor i Josip Brozit – Titos dhe i “kryetarit historik” të LDK-së, Isa Mustafa, e ka da mendjen që të vdes siç vdiqën etërit e tij politikë e ideologjikë, Tito e Rugova, kryetar shteti, përkatësisht kryetar i Kosovës Unmikiane… Cili do të ishte imazhi dhe cila do të ishte pesha e Kosovës në botë me një kryetar me të kaluar të pastër jugokomuniste e kolaboracioniste nuk do koment! Ambicien për kryeministër ia bëri të mundur Hashim Kadriu, kurse ambicien për kryetar shteti (“president”), siç po duket moti, do t’ia plotësoj Albini! Kurse popullit shqiptar të Kosovës dhe shqiptarëve në Iliri e kudo në botë u mbetet të ecin shtigjeve të tyre të lirisë, të shqiptarisë, të krenarisë e të bashkimit të Shqipërisë.