Xhevat Bislimi

Xhevat Bislimi: Kosova shtet me institucione kundër-shtetërore e kundër-kombëtare

Titull i rëndë shumë! Titull (konstatim) i padëshiruar nga askush, por titull (konstatim) mjaft i saktë. Po mbushen tetë vite qysh se Kosova e çliruar “hoqi” dorë pa dëshirën e saj nga bashkimi me shtetin e saj dhe u shpallë shtet i pavarur e sovran. Gëzim i madh ishte ato ditë, ato javë dhe ata muaj… Dëbimi i forcave pushtuese dhe çlirimi i kësaj Kosove të mbetur ishte dëshirë, përpjekje, vuajtje, luftë dhe flijim një shekullor… Populli shqiptar i Kosovës dhe i krahinave tjera të pushtuara nga serbo-maqedono-malazezët (Jugosllavia) ishte pjesë e pandarë e trungut shqiptar dhe e Shqipërisë. Kosova ishte njëri nga katër vilajetet e Shqipërisë kur u shpallë Pavarësia nga Kuvendi i Vlorës me Plakun e Urtë, Ismail Qemalin për këto katër vilajete. Mirëpo, dhuna, terrori, gjenocidi dhe holokausti i sheteve dhe popujve fqinj, nga njëra anë, dhe vendimet e Fuqive të Mëdha, nga ana tjetër, e bën copë-copë Shqipërinë! Brenda kufijve të shtetit shqiptar u përfshi vetëm një e katërta e Shqipërisë!!

Më 17 Shkurt të vitit 2008, Kosova u shpallë shtet i pavarur dhe sovran. Gezimi, kënaqësia dhe shpresa nuk zgjatën shumë për popullin shqiptar! Me planin e Ahtisarit Kosovës dhe pavarësisë së saj iu vun kufizime të rënda! Rihapja e paketës së Ahtisarit dhe e bisedimeve me Serbinë për çeshtje krejtësisht të brendshme të Republikës së Kosovës e keqësuan dhe po e keqësojnë edhe më tej pozitën e Kosovës, pavarësinë dhe sovranitetin e saj! Me marrëveshjet e fundit në Bruksel në Republikën e Kosovës po krijohet edhe një mini shtet serb, që “garanton” praninë e Serbisë dhe të interesave të saj në Kosovë!! Kjo është prova më e fortë se institucionet e shtetit të Kosovës (Kuvendi, Qeveria, drejtësia, shumica e partive politike…) janë kundërshtetërore dhe kundërkombëtare-kuislinge! Këto institucione të parashikuara, të ndërtuara, të votuara dhe të zgjedhura për t’i përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e Republikës së Kosovës dhe të popullit të saj po e bëjnë të kundërtën: tetë vite pas shpalljes së Pavarësisë ato, me bisedimet dhe marrëveshjet e tyre, po rrënojnë pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit, po rrezikojnë më seriozisht se kurrë interesatë e popullit shqiptar në Kosovë dhe të mbarë kombit në Iliri (Ballkan)! Këto institucione me krerë dhe drejtuesë të shantazhuar e të kapur i kanë bërë dhe po i bëjnë të pakënaqur, të zhgënjyer dhe të dëshpruar pleqtë e këtij vendi (pensionistët), të pamundurit (invalidët), të rinjtë e papunë, nxënësit, studentët, arsimtarët, gratë, të punësuarit, mjekët, të sëmurët dhe mbarë popullin tonë shqiptar në Kosovë!!

Të kënaqur janë vetëm një kastë politikanësh, pushtetarësh e oligarkësh që e kanë kthyer shtetin e Kosovës në çiflik të tyre dhe po e shfrytëzojnë për t’u pasuruar, duke vjedhur, grabitur, trafikuar e kontrabanduar pasurinë, lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin kombëtar të këtij vendi… Po më duket që është koha, nëse nuk është tepër vonë, që populli shqiptar i Kosovës të përgatitet për përballje të ashpra nëse do që t’i shpëtojë lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e tij… Institucionet e Republikës së Kosovës dhe sistemi politik i saj duhet të reformohen rrënjësisht: nga institucione vazale-kuislinge ato duhet të shndërrohen (transformohen) në institucione dhe në sistem politik që garanton lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës. Institucionet e Republikës së Kosovës (edhe partitë politike, që janë institucione politike të rëndësishme për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe shtetërore…) do të duhejë urgjentisht të liroheshin nga drejtuesit dhe strukturat e tyre të shantazhuara dhe të kapura nga të huajtë. Të lirohen nga drejtuesë dhe struktura mafioze, të korruptuara dhe të kriminalizuara me ndihmën dhe përkrahjen e UNMIK-EULEX-it dhe të Serbisë! Republikës së Kosovës i duhet pa u vonuar (tashmë jemi të vonuar!) ligji mbi pastërtinë e figurës (ligji I lustracionit ose drejtesia tranzicionale).

Nuk mund të kemi institucione shtetërore dhe demokratike me drejtuesë që ishin ose edhe janë bashkëpunëtorë të Serbisë pushtuese dhe të shërbimeve tjera antishqiptare! Nuk mund të kemi rezultat tjetër nga bisedimet me Serbinë, qoftë në Vjenë, qoftë në Bruksel, kur bisedimet behen midis Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të saj!! Puna është se këtë gjendje kaq kërcënuese për lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës nuk mund ta ndryshojë për të mirë populli i paorganizuar. Ashtu siç nuk mund ta ndryshojnë as ato parti apo subjekte politike që qëllim të parë dhe të fundit kanë pushtetin dhe të mirat-përfitimet që sjell ai për një grusht njerëzish! Kosova dhe populli i saj kanë nevojë për parti, organizata e levizje politike që qëllim të parë kanë shkëputjen-pavarësimin e plotë të Kosovës nga Serbia dhe ndikimi i saj. Për ta arritur këtë shkëputje të plotë nga Serbia duhet një konsensus sa më i gjerë, program i qartë politik dhe organizim “adekuat”… A do të ketë mendje, forcë shpirtërore dhe materiale të mjaftueshme populli ynë për këtë çështje madhore? Unë besoj që po, sepse përkrah Kosovës do të ishte mbarë kombi, siç ishte gjatë Luftës Çlirimtare të LPK-UÇK-së.

(Kjo analizë është shkruar dhe është botuar tri vjet më parë)

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …