leoni

Xhevat Bislimi

Xhevat Bislimi: Kushti i vetëm i Vetëvendosjes për Isa Mustafën dhe partinë e tij

E kaluara e Isa Mustafës është e qartë si drita e diellit. Nuk ka asnjë “hije” apo fije dyshimi në biografinë e tij të pastër si loti. E kaluara e tij ishte fund e krye komuniste – titiste. Ai është “prodhim” i shkollës së komunizmit jugoserb titoist. Ai hyri në politikë nga “dyert e mëdha” të shkollës së një Jugoserbie pushtuese. Idhulli dhe “busolla” e tij në jetë ishte satrapi Tito, i cili mbahet përgjegjës i drejtëpërdrejtë për dhunën, terrorin, masakrat, ndjekjet, burgosjet dhe shpërnguljet (dëbimin) masive të popullit të pushtuar shqiptar nga vatrat dhe toka e tij stërgjyshore.

Isa Mustafa u bë pjesë “organike” e këtij sistemi ideologjik, politik e shtetëror represiv – terrorist, që synonte dhe angazhohej me gjithë aparatin e tij shtetëror për dëbimin dhe shfarosjen e shqiptarëve. Dorë dhe servis i këtij aparati shtetëror represiv – terrorist ishte bër klasa politike – kolaboracioniste e Prishtinës.

Midis tyre shquhej me përkushtimin dhe angazhimin e tij edhe anëtari i merituar i kësaj elite kolaboracioniste, Isa Mustafa. Ky, sot, është kryetar i një partie politike të themeluar në rrethana dhe kushte me shumë pikëpyetje… Jo vetëm ky! E gjithë nomenklatura e kohës së pushtimit, me sejmenët e saj, është e pozicionuar fort në pozita të larta politike, shtetërore, në medie, në jetën publike, kulturore, universitare, artistike e në të gjitha hallkat e sistemit! Këta janë shtresa më e indoktrinuar nga ideologjia komuniste jugoserbe titoiste. Në të gjitha vendet me sisteme dhe elita normale demokratike ky “komunitet” i njerëzve nuk do të lejohej të mbante pozita politike e publike me ndikim në institucione dhe në shoqëri… Por, Kosova (kjo që ka mbetur!) e shkëputur me luftë, terror e gjenocid nga trungu i saj, është kjo që është! Sot, dhe gjatë gjithë këtyre viteve në liri, si dikur, ndiqen e përndiqen, hapen e mbyllen procese, krijohen gjykata e prokurori të posaçme – speciale brenda e jashtë, burgosen e dënohen ata, që iu kundërvun pushtuesit dhe kolaboracionistëve të tij, nga njëra anë, kurse favorizohen e katapultohen në majat e pushtetit e të sistemit kolaboracionistët e djeshëm, në anën tjetër!! Temë kjo e gjatë dhe “sensibile”! Prandaj, po vazhdojmë me të sotmen…

   Në zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Republikës së Kosovës e para me numër të votave doli LVV-ja. Menjëherë pas saj dhe afër me te doli LDK-ja e Isa Mustafës, kurse PDK-së dhe AAK-së vota ua rezervoi vendin e tretë, përkatësisht të katërtin. LVV-ja, më konkretisht, kryetari i saj, Albin Kurti, i kërkonte, që të mos them i lutej, Isa Mustafës të bënin koalicion parazgjedhor, por ai dhe sejmenët e tij nuk pranuan. Mbase me të drejtë, sepse LVV-ja me mijëra mbështetës të saj (jo njëherë!), me të drejtë, thërriste me gjithë forcën e zërit në sheshet e rrugët e Prishtinës: “Isë, Isë argat i Serbisë”! Isa Mustafa dhe partia e tij (strukturat e saj), përveç të kaluarës puro jugokomuniste e kolaboracioniste, janë dalluar edhe në korrupcion, përvetësim, grabitje e kontrabandim të pasurive të Kosovës shqiptare, duke I mësuar edhe partitë e reja, “të dalura nga Lufta e UÇK-së”, se si jetohet lehtë e mirë (pa mund e djerës!) në bollëk me pasuri e lavdi!..

Këto fakte kokëforta dhe të pamohueshme duket që nuk i bënin përshtypje Albinit dhe grupit që ka në dorë vendimmarrjen dhe drejtimin e LVV-së! Edhe pas zgjedhjeve, Albini dhe rrethi i tij vazhduan t’i përgjërohen Isa Mustafës dhe LDK-së së tij për koalicion, sepse nuk donin të bënin koalicion me asnjë parti tjetër shqiptare! “O me LDK-në, o hiç(!), shkojmë në zgjedhje”! Ky përcaktim ngapak naiv, nga pikëpamja politike, e trimëroi LDK-në dhe po i jep zemër Isa Mustafës dhe sejmenëve të tij të tipit Lutfi Hazir. Këto ditë janë shpeshtuar deklaratë dhe kërkesat e Isa Mustafës dhe, sidomos të Lutfi Hazirit, për “hise më të madhe të kulaçit”, ndryshe rrimë në opozitë, po thonë! Kjo tregon se LDK-ja po ndjehet në pozita të forta karshi LVV-së që u ka vënë “vija të kuqe” të gjitha forcave tjera politike!! Ky përcaktim a priori dhe absurd për koalicion vetëm me LDK-në ia ka dobësuar pozitat shumë LVV-së në bisedime dhe ka krijuar qysh tash njëfarë ngërçi politik! Për mendimin tim (Albini sigurisht që ka këshilltarë shumë më të zgjuar!) këto “vijat e kuqe” mund të rrinin shumë mirë në kokë, por nuk do të duhej të nxirreshin nga goja… Me këtë system të kurdisur zgjedhor është shumë e vështirë të sigurohet shumica e nevojshme për të qeverisur vetëm. Nuk është bër gan ky sistem zgjedhor për Kosovën! Nëse është kështu dhe nëse je përcaktuar dhe po angazhohesh për të ardhur në pushtet, atëherë hesapet duheshin bërë ndryshe dhe pa “vija të kuqe”. Kështu LDK-ja nuk do ta kishte komoditetin dhe kënaqësinë me qenë a priori dhe pa kushte e vetmja partnere e dëshiruar për “kurorëzim”…

Po të isha pjesë e ndikimit dhe vendimmarrjes në LVV vetëm një kusht do t’ia kisha vënë Isa Mustafës së LDK-së: Të distancohej nga e kaluara e tij jugotitiste dhe nga idhulli i tij, Josip Broz Tito, duke i kërkuar falje popullit shqiptar për të zezat që i ka bër ajo ideologji jugokomuniste, ai sistem dhe ai shtet pushtues terrorist, të cilit Isa Mustafa dhe elita ku bënte pjesë ai, i kishte shërbyer me bindje e përkushtim… Ky do të ishte kushti sine que non për të hyrë në partneritet qeverisës dhe për të hapur kapitullin e bisedimeve për programin qeverisës me LDK-në.

Albin Kurti po “detyrohet” të mbajë qëndrim për Enver Hoxhën, me të cilin as nuk ishte në një parti, as nuk ishte bashkëluftëtar apo ushtar i Tij, as nuk kishte asnjë lidhje në këtë botë (them që s’ka pse të ketë as në atë botë!), kurse Isa Mustafa që ishte i lidhur me mijëra fije partiake, ideologjike, pushtuese, represive, shtypëse, etj. me Titon dhe me sistemin e tij diktatorial e pushtues e terrorist nuk ka mbajtur qoftë me një fjalë a me një gjest qëndrim a distancim nga Titoja dhe Jugoserbia e tij e dashur dhe vjen e bëhet kryetar partie, kryeministër dhe pretendon të bëhet edhe kryetar republike! Kjo ishte arsyeja, midis shumë arsyeve tjera, për ta shkruar këtë koment pak më të gjatë…

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …