Xhevat Bislimi: Gjithmonë i pa pajtuar me qyqarllekun dhe mjerimin e Rugovës, Albin Kurti u "shtrëngua" të shkonte e të përulej me "nderim" të varri i tij

Xhevat Bislimi LËVIZJA POPULLORE E KOSOVËS – SHQIPTARËT DHE LDK – JA E BUXHOVIT

(Në 30 – vjetorin e themelimit të LDK – së  kur LPK –ja ishte forca e vetme politike shqiptare në Kosovë e më gjerë

   Lëvizja Popullore e Kosovës ishte rezultat i bashkimit të organizatave atdhetare (ilegale – klandestine) që përpiqeshin, vepronin e luftonin në atë kohë në trojet e pushtuara të Shqipërisë nga Jugoserbia. Me nocionin gjeografik, historik, politik, demografik e gjuhësor, “Kosovë”, Lëvizja Popullore e Kosovës, e themeluar nga Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Ibrahim Kelmendi, më 17 Janar 1982, kuptonte të gjitha trevat shqiptare të pushtuara nga Jugoserbia.

Në gjithë hapsirën shqiptare, të pushtuar nga Jugoserbia, ishte e vetmja organizatë politike që luftonte si LËVIZJE a si FRONT për çlirimin e këtyre trevave, që përmblidhte koncepti “Kosovë”. Edhe kur kishte ndonjë grup atdhetarësh, të organizuar më vete për shkak të kushteve të rënda të robërisë, persekutimit, represionit e shtypjes së egër jugoserbe, ai do të vepronte sipas platformës dhe objektivave të LPK-së, që atëherë quhej LPRK…

   Një pjesë e shqiptarëve ishte anëtarësuar dhe bënte karrierë në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë dhe në institucionet e në administratën e kontrolluar dhe sunduar nga Jugoserbia. Kishte nga ata që, edhe pse në LKJ e në administratën shtetërore të pushtuesit, të ngritur e të kontrolluar nga Jugoserbia, bënin punë të mira sa herë u vinte doresh. Kishte edhe të tillë (këta ishin pak) që bashkëpunonin me Lëvizjen dhe ia donin “gajretin” popullit të tyre.

   Ndjekjet, denoncimet, arrestimet, dënimet, torturat, represioni dhe vrasjet e veprimtarëve, anëtarëve dhe drejtuesëve të LPK-së ishin permanente e të egra. Shteti pushtues i Jugoserbisë, më mirë dhe më saktë se kushdo tjetër, e dinte dhe e ndjente se shpartallimi dhe vdekja do t’i vinte nga kundërthëniet e ashpra midis republikave tjera dhe Serbisë dhe, sidomos, nga shqiptarët dhe Lëvizja e tyre, që përmblidhej në shkronjatë: LPK. Viti 1989 e gjeti Lëvizjen të dobësuar nga persekutimi, represioni, arrestimet, dënimet dhe vrasja e shumë drejtuesve dhe veprimtarëve të saj. Në këtë vit të kobshëm ishin vrarë ose mbytur në tortura disa nga drejtuesit e LPK-së në Kosovë: Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Xhemajli Berisha, Ali Ajeti, Xhemajl Blakaj, Bedri Sokoli… Qindra të tjerë ishin burgjeve ose ishin larguar në Perëndim. Ishte viti kur edhe shteti shqiptar, që ishte mbështetja më e fuqishme e Lëvizjes dhe e pjesës së pushtuar të kombit, po merrte goditje nga të gjitha anët… Megjithatë, shpresa për liri në derën e shqiptarëve po trokiste më fortë se kurrë. Lëvizja Popullore e Kosovës tashmë ishte e organizuar dhe e shtrirë anemban botës dhe nuk mund ta zhdukte as ta shuante aparati shtetëror represiv e terrorist i Beogradit. Jugoserbia po dergjej në shtratin e vdekjes pa shpresë, kurse  Lëvizja dhe populli shqiptar po përgatiteshin për t’i dhënë grushtin e fundin kësaj ngrehine dhune, terrori, dëbimi e gjenocidi.

   Ajo, Jugoserbia, si rezultat i përpjekjeve dhe i luftës së përhershme të popullit të pushtuar shqiptar, të udhëhequr nga LPK-ja, ishte mu në prag të shpartallimit dhe shpërbërjes. Në horizont tashmë dukej qartë se Sllovenia dhe Kroacia po përgatisnin valigjet dhe po bënin përgatitjet e fundit që të zbrisnin nga “treni” Jugoserb ose nga Jugosllavia Federative, që dominohej nga Serbia shoviniste. Serbia, e shqetësuar dhe e sigurt se po shembej si një kullë prej kartoni shteti që ishte themeluar me nismën e saj, nxitoi të pillte nga gjiri i saj lëvizjen nacional – shoviniste (me ngjyrime të forta fashiste), me në krye Milosheviçin. Kriza ekonomike dhe inflacioni ishin galopante…

Lindja e LDK – së

   Në këto rrethana e kontradikta të thelluara pakthyeshëm, politike, ekonomike e ndërrepublikane, u lind Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila, nga ideatorët e saj, ishte menduar dhe projektuar si një Lëvizje pacifiste që do ta “zëvendësonte” Lëvizjen antipushtuese e të qëndresës edhe me armë në dorë! Në kohën, që shovinizmi serb po vringëllonte armët, LDK-ja po bënte gati tepsitë e takëmet me bakllava, me sheqerka e me sherbet për t’i ëmbëlsuar shovinistët e Milosheviçit! Filozofi se jo mahi! Të ëmbëlsohej Serbia me fjalë të mira, me dialog, marrëveshje e mirëkuptim demokratik për ta ruajtur tërësinë e Jugoserbisë dhe për t’ua rikthyer shqiptarëve autonominë në kufijtë e imponuar administrativë për Kosovën! Sipas tyre (themeluesve të LDK-së), autonomia ishte e mbrrime dhe zgjidhje e kënaqshme për këtë pjesë të Kosovës dhe të shqiptarëve të pushtuar! Tek e fundit, për ta Kosova u pushtua në vitin 1989, kur u suprimua autonomia! Deri atëherë ishte e lirë dhe gëzonte të gjitha të drejtatë, madje ishte edhe njësi konstituive e federatës jugoserbe ! Ishte edhe njësi konstituive e Republikës së Serbisë, por kjo ishte veç formalisht ! Prandaj, edhe Azem Vllasi me gjithë strukturën dhe apartin e LKJ-së e të pushtetit pushtues në Kosovë angazhohejë në luftë të pakompromis kundër « irredentizmit dhe nacionalizmit shqiptar », që po kërcënonte autonominë e asaj copë Kosove !

   E, megjithatë, Jusuf Buxhovi e buxhovistët kanë fytyrë e “kurajo” të deklarojnë se LDK-ja i shëmbllente dhe ishte frymëzuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit ! Sipas meje, bazuar në programet, synimet dhe përpjekjet e tyre, midis këtyre dy « lidhjeve » është një det i tërë : Lidhja Shqiptare e Prizrenit angazhohejë për ruajtjen dhe mbrojtjen me armë në dorë të tërësisë tokësore të Shqipërisë, ndërsa Lidhja Demokratike e Bugjovit dhe Rugovës, me program të deklaruar e me veprimtari politike, angazhohejë për ruajtjen e Jugoserbisë (ç’është e drejta jo edhe për mbrojtjen e saj me armë !) dhe rikthimin e autonomisë me dialog  e marrëveshje ! Dallim i madh a, ndërmjet këtyre dy organizatave !

   Deri sot dihet që programi projugosllav i kësaj lidhjeje pacifiste u prezantua nga Jusuf Buxhovi, i cili, sipas asaj që thotë edhe vetë, ishte koordinatori ose « babai » i saj! Se kush ishte shefi ose “babai” i Jusufit veç mund të supozojmë. Një ditë do të mësohet edhe kjo! Kujt i shërbente Buxhovi them që dihet, dhe kjo nuk do më shumë koment. Kumborën e kësaj tufe pacifiste – kolaboracioniste ia varën Ibarahim Rugovës (mbase edhe e kishte qejf…)! E rrahu mirë a e rrahu keq dhe për kend e rrahu këtë kumborë edhe kjo dihet tashmë!…

   Shqiptarët, që ishin anëtarë, simpatizantë, veprimtarë e drejtuesë të Lidhjes Komuniste ishin në pozitë të vështirë. Jugosllavia po shembejë. Për këtë s’kishin asnjë dyshim. Por, ajo nuk duhet t’i zinte nën gërmadhat e saj. Ata duhet të dilnin shëndosh e mirë dhe me “fytyrë” para popullit të tyre! Lidhja e tyre e dashur komuniste po shkërmoqej e   po vdiste, siç kishte vdekur edhe Titoja i tyre! Të bashkoheshin me Lëvizjen dhe ta tregonin veten?! Punë që s’bëhej… Kafashatë që s’kapërdihej nga fyti i tyre! Prandaj, LDK-ja, që duket se ishte krijesë e tyre, u bë streha, fati dhe “shpëtimtarja” e tyre! Nuk kishte vatër më të ngrohtë se ajo dhe nuk mund të kishte organizatë tjetër ku mund të dëshmonin gjithë “përkushtimin” dhe “patriotizmin” e tyre e të “shpërlaheshin” nga e kaluara e tyre skëterrë!

Shqiptarët e paorganizuar

   Edhe popullata e zakonshme, e paorganizuar dhe e papërgatitur për qëndresë të armatosur, iu bashkua masivisht LDK-së, duke shpresuar se po e ndrroka edhe zanatin sa herë e ndrron qimen! “U bëmë të gjithë kundër Serbisë”, thoshin njerëzit e painformuar! “Me dy gishta do t’ia nxjerrim sytë Serbisë”! “Tash kemi doktor shkencash e profesorë”! “Me ne është edhe Amerika”, “Me luftë jo, se Serbia na zhduk për 24 orë”, etj.. Të gjitha këto “parulla” dhe e gjithë kjo propagandë pacifiste e defetiste ngjizeshin në zyrat e LDK-së dhe përhapeshin nga “celulat” e veshura me petkun e saj!

   Gjendja e bashkëjetesës « paqësore » me Jugoserbinë e Milosheviçit nuk zgjati shumë. Lëvizja Popullore e Kosovës, e organizuar brenda e jashtë trojeve të pushtuara të Shqipërisë, i shpeshtoi aksionet e armatosura kundër pushtuesit. Populli shqiptar shpejt u bind se pacifizmi i LDK – së veç sa po e trashte zullumin e pushtuesit. Propaganda se Kosova do të çlirohej me dialog e konferenca shterpe u shkri shpejt nga rrezet e diellit të LPK – së dhe veprimtarisë së saj çlirimtare. Diplomacia e shteteve mike jepte sinjale se « pa lëvizur e pa vepruar ju nuk do të lëvizim dhe s’kemi si të veprojmë as ne ». Pushkët që jehuan më shumë ishin ato të Jasharajve dhe të Komandantit Legjendar, Adem Jashari. Pas rrethimit të parë të Jasharajve përpjekjet dhe veprimet e armatosura u intensifikuan. U organizuan shumë njësi e grupe të armatosura të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Zhvillimi dhe rrita e tyre kërkonte strukturim, komandim e udhëheqje politike.

Emërtimi UÇK

   Më 17 Nëntor 1994, Kryesia e LPK-së merr vendim që këto njësi e grupe të armatosura të LPK-së të quheshin – pagzoheshin : Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Pastaj, siç dihet historia, LPK-ja dizajnoi edhe emblemën e UÇK-së, dërgoi kuadrat e saj në terren edhe nga bota, u krijuan zonat, u krijua Shtabi i Përgjithshëm, përfaqësimi politik e diplomatik, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së ishte krijuar edhe Fondi « Vendlindja Thërret » (3 dhjetor 1993) etj. Gazeta « Zëri i Kosovës » ishte deri në fund edhe ZËRI i Luftës së UÇK-së dhe kombit shqiptar. Zgjerimi i luftës me shpejtësi marramendëse dhe vështirë të menagjueshme ndodhi pas Luftës së Prekazit, Luftës së Jasharajve. Rezultati dihet : ndërhyrja e NATO-s dhe dëbimi i plotë i forcave dhe i admnistratës së pushtuesit nga Kosova.

Ibrahim Rugova dhe LDK-ja e tij edhe gjatë luftës shikonte ëndërra ditën me diell për dialogun me Serbinë. Madje u bënë edhe marrëveshje të nënshkruara për zgjidhjen e “KRIZËS” me një autonomi! Si përfundim, lufta u fitua dhe Kosova erdhi deri këtu, e kaloi kornizën e një autonomie dhe u bë shtet. Kaq sa është!

Pavarësi të plotë nga Shqipëria (shteti ynë)

   Të gjendur në një situatë të re, krerët e LDK-së morën masa të përshtateshin, duke ndrruar strategji e taktikë. Jugosllavia nuk mundi të ruhej, Kosova u bë shtet. Kjo ishte rrethanë e re! Në kushtet e reja LDK-ja e vjetër po përfaqëson dhe po mbron me këmbëngulje konceptin e një Kosove të pavarur plotësisht (për këtë po fiton terren edhe te partitë tjera të kapura!…) nga shteti ynë AMË, nga Shqipëria jonë, dhe të mbaj lidhjet me shumë fije Serbinë! Kështu do të pamundësohej ribashkimi i Shqipërisë! Prandaj, mund të përfundojmë se kjo parti mbeti edhe pas 30 vitesh vatër dhe “poligon” i atyre që e krijuan! Në krye të saj vazhdon të ketë njërin nga eksponentët e Lidhjes Komuniste dhe të administratës pushtuese jugoserbe. Edhe gjymtyrët, trupi dhe bishti i saj këtë brum ka! Forcat patriotike u përjashtuan dhe nuk mundën të bënin vend në këtë organizatë asnjëherë! E mira e Kosovës shqiptare, jo e kësaj “Kosove kosovare”, e do që kjo organizatë politike të reformohet e ta përqafojë konceptin shqiptar për Kosovën, konceptin e LPK-së. Ky është koncepti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe i shqiptarëve që duan, kërkojnë dhe luftojnë për ribashkimin e Shqipërisë…

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …