Pakëz histori
Shkaku i parë dhe i fundit i të gjitha përpjekjeve, kryengritjeve dhe luftrave që bënë shqiptarët në Iliri (Ballkan) ishte zaptimi dhe copëtimi i tokave të tyre nga fqinjët shovinistë dhe Fuqitë e Mëdha. Falë këtyre përpjekjeve, luftrave dhe flijimeve të panumërta u krijua shteti shqiptar. Mirëpo, më shumë se dy të tretatë e tokave të këtij shteti, që ishte shpallur në katër vilajetet e Shqipërisë së asaj kohe, ishin pushtuar nga Serbia, Greqia dhe Mali i Zi (në atë kohë nuk kishte shtet të Maqedonisë). Një pjesë e mirë e tokave të Shqipërisë u ishte dhënë shteteve fqinje nga Perandoria Osmane, e cila prej shekujsh mbante të pushtuar Shqipërinë. Humbjet në luftë me Rusinë dhe satelitët e saj në Iliri, Perandoria Osmane i “paguante” me toka shqiptare. Tregtisë me tokat e tij populli shqiptar iu kundërvu me organizimin e Besëlidhjes së Prizrenit, të cilës i parapriu mendja, pena dhe veprimtaria e Jeronim De Radës, Zef Jubanit, Naum Veqilharxhit, Elena Gjikës, vëllezërve Frashëri, Jani Vretos, Hoxhë Tahsinit e sa e sa mendjeve të ndritura të kombit. Në proklamatën e Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombsisë shqiptare me seli në Stamboll (Konstantinopol) thuhej: “Ne dëshirojmë nxehtësisht të rrojmë në paqe me të gjithë fqinjët tanë: Malin e Zi, Greqinë, Serbinë e Bullgarinë. Ne nuk kërkojmë, nuk dëshirojmë asgjë prej tyre, por jemi krejtësisht të vendosur të mbrojmë me këmbëngulje çdo gjë që është jona. T’u lihet pra shqiptarëve toka shqiptare”. (Peter Bartl, “Shqipëria nga mesjeta deri sot”, Drita, Prizren 1999, f. 91) Pushkët e kryengritjes së atyre viteve e nxorën nga “harresa” shekullore çështjen shqiptare dhe Shqipërinë e Gjergj Kastriotit. Programi politik dhe kombëtar i Lidhjes u vu në themele të çdo përpjekjeje dhe lufte të popullit shqiptar për liri e pavarësi kombëtare. Fryt i Besëlidhjes Shqiptare të Prizrenit, kryengritjeve të organizuara prej saj dhe i kryengritjeve të viteve 1910-1912 ishte krijimi i shtetit shqiptar në një të tretën e Shqipërisë. Kjo ishte fitore e madhe për kombin shqiptar dhe shpresë e garanci se një ditë do të çlirohen dhe bashkohen edhe krahinat tjera, dy të tretatë e Shqipërisë së pushtuar nga fqinjët, që krijuan shtetet e tyre (me ndihmën e Fuqive të Mëdha) në toka të Shqipërisë.
Te ky pushtim i dy të tretave të Shqipërisë nga fqinjët tanë shovinistë duhet kërkuar edhe shkakun e parë dhe të fundit të të gjitha përpjekjeve dhe luftrave çlirimtare që kanë bërë shqiptarët e këtyre krahinave të pushtuara me dhunë, terror, spastrim etnik e gjenocid. “Në vitet 1922 – 1923, qeveria greke shpërnguli me forcë shqiptarët e Çamërisë. Në shkëmbim me grekët e Azisë së Vogël, duke i konsideruar shqiptarët si turq. Zhvendosjet masive të shqiptarëve nga trojet etnike dhe popullimi i tyre me popullsi greke, nuk dallon aspak nga gjenocidet serbe në veri të Shqipërisë, në Kosovë dhe në Malsinë e Madhe”. (Sylejman Abazi, “Çamëria”, Tiranë 2007, f.123) Ky ishte shkaku dhe kjo ishte arsyeja madhore e kryengritjeve në Kosovë, në Çamëri e kudo në hapsirën kombetare shqiptare pas vitit 1912.
Lëvizja Kombëtare pas Shpalljes së Pavarësisë
Mbaroi Lufta e Parë Botërore, mbaroi edhe e Dyta, por fati i dy të tretave të Shqipërisë së pushtuar mbeti i njëjtë! Kombi shqiptar nuk e kishte fuqinë e mjaftueshme për t’u çliruar me armët e tij. Edhe raporti i forcave në botë dhe qëndrimi i Fuqive të Mëdha nuk ishin në anën e shqiptarëve. Bota nuk ishte e gatshme t’i rishikonte kufijtë e “vizatuar” në trupin e Shqipërisë me bajoneta që kullonin gjak shqiptarësh! Pas Luftës së Dytë Botërore grekët (forcat e armatosura, kisha greke dhe organizata tjera neofashiste) u hodhën me tërbim e urrejtje të paparë mbi shqiptarët e paarmatosur në Çamëri, duke vrarë, masakruar e djegur këdo që gjenin në shtëpi, në rrugë e kudo tjetër! Greqia neofashiste kishte qëllim shfarosjen e shqiptarëve-arvanitasëve (arbërve). Shpëtuan vetëm ata që mundën të iknin e të strehoheshin në shtetin shqiptar.
Politikë e njëjtë u ndoq edhe nga Jugoserbia e Titos ndaj shqiptarëve. Titoja u bë flamurtar i jetësimit të elaborateve serbe për shpërnguljen dhe shfarosjen e shqiptarëve. “Thelbi i nacionalizmit serb është miti, frymëzimi veprues e për pasojë edhe aksioni për afirmimin e ireales, duke shkaktuar tragjedi të panumërta në rajon dhe duke shkatërruar vlera të shumta të civilizimit evropian”. (Enver Bytyqi, “Shqiptarët, serbët dhe grekët”, Koha, Tiranë 2005, f. 15 – 16) Vendbanime dhe krahina të tëra u shkretëruan nga forcat jugoserbe të komanduara dhe udhëhequra nga Titoja. Ndjekja, vrasja, terrori, zjarri dhe masakra ishin armët e forcave jugoserbe për shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga vatrat e tyre shekullore. Për këto qëllime fashiste Jugoserbisë së Titos i erdhi në ndihmë edhe Turqia, e cila rifuqizoi marrëveshjen për shpërnguljen e shqiptarëve!
Por, edhe në këto rrethana dhe kushte të rënda persekutimi, terrori represiv e dëbimi masiv shqiptarët nuk pushuan së përpjekuri për liritë dhe të drejtatë e tyre politike e kombëtare deri në shkëputje të plotë nga shtetet pushtuese dhe bashkimin me shtetin e tyre, Republikën e Shqipërisë. Lëvizja Kombëtare dhe veprimtarët e luftëtarët e saj ndiqeshin këmba-këmbës, arrestoheshin, dënoheshin me shumë vite burg, mbyteshin në torturë apo vriteshin me atentate dhe forma tjera brenda dhe jashtë shtetit jugoserb. Mirëpo, Lëvizja Kombëtare Shqiptare në trojet e pushtuara nga Jugoserbia ishte si feniksi: ajo ringjallejë nga hiri i saj, sepse në krah të saj tash ishte shteti shqiptar i Enver Hoxhës. Tirana zyrtare me të gjitha mjetet, forcat dhe mënyratë e saj ishte vënë në krah të Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Qindra veprimtarë atdhetarë e dhjetra organizata atdhetare vepronin natën e ditën, fshehur e hapur kundër pushtuesve jugoserbë. Porositë nga Tirana dhe personalisht nga Enver Hoxha për Lëvizjen atdhetare ishin të qarta: “Për shqiptarët e pushtuar nuk ka ideologji e parti. Pëballë keni pushtuesin, prandaj bashkohuni kundër tij” (parafrazim). “Popullsia shqiptare në Kosovë e në Rrafshin e Dukagjinit, në Maqedoni dhe në Malin e Zi nuk do ta harrojë kurrë vallen makabre të përgjakshme që për më se njëzet vjet ka luajtur në kurrizin e saj klika e Titos. Titoja dhe banda e tij janë përgjegjës për masakrën e Drenicës, për vrasjen e mijëra të rinjve shqiptarë në rrugën Prizren-Ulqin, për mbytjen e mijëra shqiptarëve në kampet e përqëndrimit të Shkupit, të Tetovës, të Prishtinës, të Mitrovicës etj., për shpërnguljen me dhunë të dhjetra mijë shqiptarëve në zonat e thella të Jugosllavisë, për dëbimin nga toka amëtare për në Turqi të qindra mijë shqiptarëve, për politikën e terrorit fizik e shpirtëror, të asgjësimit masiv e të gjenocidit kundër popullsisë shqiptare”, shkruante Enver Hoxha në gazetën “Zëri i popullit, nr. 275, 16 nëntor 1967. Këtë frymë enveriane liridashëse në krahinat e pushtuara nga Jugoserbia e solli njeriu që u bë simbol i qëndresës shqiptare, Adem Demaçi, i cili në këtë frymë kombëtare dhe revolucionare kishte themeluar edhe organizatën që kishte qëllim themelor çlirimin dhe bashkimin me Republikën e Shqipërisë. E këtij karakteri dhe e kësaj fryme ishte edhe organizata e Metush Krasniqit me shokë. Në këtë frymë dhe për këtë qëllim të lartë kombëtar u themeluan edhe organizata tjera pas arrestimit dhe dënimit me burg të Adem Demaçit. Jugoserbia po e kuptonte se Lëvizja Kombëtare nuk mund të mposhtejë… “Ky popull, i cili u qëndroi me heroizëm të mrekullueshëm valëve të tërbuara të pushtuesve otomanë e sllavë gjatë shekujve dhe ka ruajtur me guxim e vendosmëri heroike gjuhën, traditat, zakonet, kulturën e vet, personalitetin dhe vitalitetin e tij, të gjitha karakteristikat e veçoritë e tij kombëtare, përballë të gjitha orvatjeve shkombëtarizuese e asgjësuese, një popull i tillë nuk mund të nënshtrohet e të shfaroset kurrë. Ai është i përjetshëm dhe do të fitojë”, shkruante Enver Hoxha në artikullin me titull: “Kush përgjigjet për krimet e gjenocidit në Kosovë”, i botuar në gazetën “Zëri i Popullit”, nr. 209, 31 gusht 1966
Përpjekjet dhe Lufta e LPK-së për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të saj
Pas shumë përpjekjesh, më 17 Janar 1982, ishte arritur bashkimi i organizatave të ndryshme atdhetare që vepronin në atë kohë për qëllime të njëjta çlirimtare. Pikërisht atë natë u ekzekutuan me atentat tre nga katër themeluesit e organizatës së bashkuar: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Organizata u quajtë LRSSHJ (Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi). Emri i saj i fundit ishte Lëvizja Popullore e Kosovës. Kjo organizatë, që bashkonte atdhetarët shqiptarë pa dallim ideje, feje e krahine, mori përsipër Luftën e Armatosur për Çlirimin e Kosovës dhe të viseve të saj të pushtuara nga Jugoserbia. Pas përpjekjeve, përgatitjeve dhe “provave” shumëvjeçare me grupe dhe njësi të vogla të armatosura, Lëvizja Popullore e Kosovës mori vendimin dhe përgjegjësinë historike për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (17 Nëntor 1994) nga njësitë e armatosura të LPK-së. “Ka një datë të themelimit dhe nuk ka dëgjuar kurrë askush më herët për një organizim të tillë para asaj date: kjo datë është 17 nëntori 1994”, deklaron edhe Xhavit Haliti nëTV Klan Kosova, 22 dhjetor 2015 (Shih edhe dokumentet e LPK-së!). Për financimin e luftës së armatosur çlirimtare u themelua Fondi “Vendlindja thërret”, i cili krahas mbledhjes së fondeve bëri punë dhe veprimtari të jashtëzakonshme politike edhe për ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e mërgatës për Luftën Çlirimtare të UÇK-së. Këshillat e këtij Fondi, bashkë me këshillat dhe organet e LPK-së, kanë organizuar rreth 5 000 tubime të mëdha e të vogla me mërgimtarët tanë anekënd botës gjatë atyre viteve. Përveç mbështetjes politike, morale e financiare mërgata i mbushte radhët e Ushtrisë Çlirimtare edhe me luftëtarë e komandantë të përgatitur për luftë të pakompromis kundër pushtuesit.
Përgatitjet, veprimet dhe organizimi i Luftës së Armatosur Çlirimtare kërkonin mendje, durim, punë dhe angazhim stoik. Vetëm një organizatë e strukturuar, e organizuar, e kalitur, me përvojë dhe anëtarë, veprimtarë e drejtuesë të rryer në flakët e përpjekjeve e të luftës kundërpushtuese, e qartë politikisht dhe kombëtarisht dhe e shtrirë në gjithë hapsirën shqiptare e në gjithë botën ku kishte shqiptarë, siç ishte LPK-ja, kishte zotësinë dhe kapacitetet për të organizuar, drejtuar dhe përfaqësuar një luftë të armatosur çlirimtare, e cila fitoi përkrahjen e mbarë kombit dhe të botës së përparuar demokratike. Organizimin e Luftës Çlirimtare e bënin të vështirë edhe disa forca e qarqe shqiptare që, të papenguara, përhapnin dhe mbillnin iluzione se Kosova do të çlirohejë me dialog dhe me lutje! Përhapnin dhe mbillnin përçarje e disfatizëm duke propaganduar pamundësinë e luftës kundër Serbisë, e cila, sipas tyre, “do të na shfaroste për 24 orë”! Lufta e armatosur bëhejë e vështirë edhe për shkak të gjendjes së krijuar në shtetin tonë amë, në Republikën e Shqipërisë, të cilën e kishin shpënë buzë falimentimit! Por, edhe në këto kushte të rënda Lëvizja Popullore ia doli ta organizojë Luftën e Armatosur dhe të fitojë mbështetjen e mbarë kombit dhe të botës. Ndërhyrja e qendrave të fuqishme të vendosjes dhe e NATO-s e kufizuan luftën tonë vetëm në kufijtë e sotëm të Kosovës. Pas mbarimit të luftës në Kosovë Lëvizja Popullore e Kosovës themeloi edhe UÇPMB-në dhe UÇK-në për çlirimin e viseve të pushtuara të Kosovës. E bëra këtë hyrje të gjatë për të ardhur te lufta e organizuar kundër Luftës Çlirimtare dhe çështja e superpërfolur e veteranëve dhe e luftëtarëve të lirisë pas mbarimit të Luftës Çlirimtare…