Xhevat Bislimi

Xhevat Bislimi: Mbajeni gojën!

(Fushatë e pa cipë kundër Tiranës)

Ka shpërthyer një fushatë e shfrenuar kundër Tiranës zyrtare këtu në Prishtinë! Frymëzuesit dhe “sponzorizuesit” e kësaj fushate janë jugokosovarët e vjetër dhe “patriotët” e rinj! Nisma rajonale për heqjen e kufizimeve të tashme midis shteteve të rajonit: qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave, lëvizja nga një shtet në tjetrin me letërnjoftim (pa pasaportë), njohja reciproke e diplomave, vlefshmëria e lejes së punës dhe e drejta për të punuar në këto shtete, etj., që janë parime dhe rregulla të BE-së, ka ngjallur reagime të ashpra (absurde) në Prishtinë! Reagimet e Hashim Thaçit e të Isa Mustafës po mbështeten me fushatë të shfrenuar nga një pjesë e “partizanëve të tyre dhe nga disa medie “kosovariste”!

Ata që nuk i ndante nata as dita nga Jugoserbia para luftës dhe ata që tash njëzet vite po dialogojnë, po bëjnë marrëveshje, po përqafohen e po han dreka e darka me delegacionet e Serbisë po e akuzojnë Kryeministrin Edi Rama se ua paska “futur thikën pas shpine”, se po dashka të krijojë një Jugosllavi të re, e broçkulla si këto që nuk do të duhej t’i nxirrte nga goja dikush që është në krye të Republikës së Kosovës e në krye të një partie në Kosovë!

Që të jemi të sinqert me publikun shqiptar, nuk i krijoi Edi Rama 10 komuna e 40 zona të mbrojtura serbe në Kosovën shqiptare!! Nuk e ndau qytetin e Mitrovicës as nuk e ndau Veriun e Kosovës Edi Rama! Nuk ia dha Edi Rama mijëra hektarë tokë Maqedonisë e mijëra të tjerë Malit të Zi! Nuk e bëri rrushekumbulla Edi Rama pasurinë e Kosovës, duke e kontrabanduar, trafikuar e përvetësuar me ndihmën e AKP-së! Nuk i nënshkroi marrëveshjet kapitulluese e të turpshme të Brukselit Edi Rama, por Hashim Thaçi e Isa Mustafa! Nuk ia vuri FUSNOTËN Republikës së Kosoës Edi Rama, edhe pasi e njohu dhe e legjitimoi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, por Hashim Thaçi me Edita Tahirin! Nuk e krijoi Edi Rama Gjykatën Speciale për hetimin, gjykimin dhe dënimin e Luftës Çlirimtare të UÇK-së dhe të kombit shqiptar, por e krijuan Hashim Thaçi e Isa Mustafa! Nuk e bëri Serbinë ortake në Kosovë Edi Rama, por Hashim Thaçi me Rugovën, Isa Mustafën e Ramushin! Lista e dëmeve që i kanë shkaktuar këta politikanë e zyrtarë të lartë shtetëror me politikat dhe pazaret e tyre Kosovës shqiptare është e gjatë!…

Jam i bindur që nuk e kanë me Edi Ramën! E kanë me Tiranën dhe me shtetin shqiptar! Nuk është hera e parë që lëshohen deklarata të një karakteri antishqiptar: “S’ka pse përzihet Tirana në punët tona”, “Ç’i duhet Tiranës zyrtare se çka bëjmë ne me Kosovën”, etj. si këto! Sipas kësaj klase politike Tirana nuk ka të drejtë të flas në emër të Kosovës së saj! Marrëdhëniet me Serbinë, sipas Hashimit e Isës, janë monopol i Prishtinës zyrtare! Këta takohen, han e pinë, përqafohen e puthen e bëjnë bisedime me javë, me muaj e me vite në dëm të Kosovës dhe kjo është e drejtë “ekskluzive” e tyre! Kosova prej këtyre konsiderohet pronë private e plaçkë e tyre! Deridiku kanë të drejtë, sepse Tirana zyrtare e Berishës (kryesisht), por edhe e këtyre tjerëve, e shihte dhe e trajtonte Kosovën si çështje të “kosovarëve” e të Serbisë e jo si çështje shqiptare e të Shqipërisë!!

Sidoqoftë, kjo fushatë, këto deklarata e kjo sjellje e papërgjegjshme dhe fëminore mund t’i lejohet Aulon Kavajës, Edita Tahirit e sojit të tyre në Tiranë e Prishtinë, por kurrë dikujt që drejton parti dhe, edhe më pak, atij që është zyrtar i lartë shtetëror!

Po t’i ftonte një zyrtar i rangut më të ulët evropian a amerikan (ndonjë asistent a sekretar zyrtarësh të këtyre vendeve) do të shkonin me vrap dhe do t’i rrinin gatitu e do ta dëgjonin me servilizëm e me bindje pa bër as gëg as mëk! Bile, këta që po na shesin dëngla me egon e krenarinë e tyre të sëmurë e antishqiptare karshi Tiranës zyrtare vrapojnë pas ndonjë zyrtari të lartë amerikan a evropian për t’ia prekur dorën a për të bër një fotografi ashtu që të vjen me vjell, që të shiten më shtrenjtë te populli i tyre! Për këtë paguajnë edhe para të majme! Kurse nuk begenisin të shkojnë e të takohen, të bashkëpunojnë e të bashkërendojnë çdo gjë me Tiranën zyrtare! Nuk e bëjnë, sepse janë bishtzënë! Duket që e kanë ngrënë koparin me kohë, thotë populli ynë! Të tjerë pretendojnë të eksportojnë “mend”, “patriotizëm” e “demokraci” në Tiranë!! “Zot jepu bereqet në krye atyre që s’kanë”!, thotë një fjalë e urtë shkodrane.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …