Ata që, me politikat e tyre, e rikthyen Serbinë në Kosovë dhe e bën ortake pas humbjes së plotë në luftën shqiptaro – serbe, po na shesin “patriotizëm 24 karatësh” këto ditë të “ftohta” për shqiptarët! Ata që në Tavolinën e Vjenës dhe pas saj i krijuan 10 komuna serbe dhe mbi 40 zona të mbrojtura serbe (!!!) në Kosovën shqiptare, po na shesin multipatriotizëm, medet! Ata që pakicës serbe (vetëm 5%) ia dhanë në “kontroll” rreth 30% të tokës shqiptare të Kosovës, po na shesin patriotizem!! Ata që e ndanë qytetin shqiptar, Mitrovicën, po na shesin patriotizem!! Ata që gjuhën serbe e bënë gjuhë të barabartë (shtetërore!) me shqipen, po na shesin folkpatriotizëm! Ata që ia bënë peshqesh 800 hektarë tokë shqiptare kishës ortodokse, të përvetësuar nga serbët, po e tundin flamurin e atdhedashurisë të bër leckë! Ata që ia falën (me vendim gjykate!) katër hektarë tokë në zemër të oborrit universitar kishës ortodokse serbe, na mbytën këto ditë me bajatpatriotizëm! Ata që e mbollën Kosovën shqiptare me xhamia turke (jo për zot e fe, por për qëllime neootomaniste dhe për përfitimet e tyre!), aq shumë janë mbushur këto ditë me patriotizëm s aka rrezik të pëlcasin e të ndotin dynjan!! Ata që e kontrabanduan dhe e trafikuan ekonominë dhe pasurinë e popullit shqiptar në Kosovë (e bënë rrush e kumbulla!), po na shesin patriotizëm!
Ata që Republikës së Kosovës i vun fusnotë edhe pas mendimit (opinionit tërësisht të favorshëm për Kosovën) të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, tash po shpërndajnë patriotizëm pa “dogan”! Ata që hoqën dorë nga bashkimi i Kosovës me shtetin e saj, në emër të një invalidpavarësie, po na “bombardojnë” me turbopatriotizëm! Ata që për pushtet, për pasuri e për lavdi i shkërdhyen të gjitha interesatë kombëtare shqiptare, sot po vjellin patriotizëm! Ata që për pak pushtet e mandat i falën Malit të Zi edhe 8 200 hektarë tokë shqiptare (se pak kishte pushtuar e zaptuar më parë!), po ndotin mjedisin kombëtar me patriotizmin e tyre! Medet! Ata që e rihapen statusin e Kosovës sipas kërkesave dhe oreksit të Serbisë në Bruksel, po provojnë t’i mbushin bateritë e tyre të djegura me patriotizëm, duke akuzuar Kryeministrin shqiptar për “tradhti”!! Medet për ta!
Ata që negociuan dhe nënshkruan marrëveshjen për themelimin e “zajednicës” në Bruksel, në kundërshtim të plotë edhe me kushtetutën e kësaj Kosove të lodhur prej tyre, tash po na shesin patriotizëm! Ata që nuk i ndau gjatë këtyre 20 viteve nga serbët dhe zyrtarët më të lartë të Serbisë as ai oqean gjaku, as gjenocidi e holokausti serb ndaj shqiptarëve (jo vetëm në luftën e fundit!), as spastrimi etnik i trojeve shqiptare, as terrori, masakrat e dhunimet, po sulmojnë për “tradhti” e po shpikin “tradhtarë” për të mashtruar (nëse mashtrohet kush!) shqiptarët në Kosovë!! Tugitëse sa s’ka më! Ata që krijuan dhe votuan me dorën e tyre “demokratike” (kupto tradhtare) Gjykatën e Prokurorinë Speciale për persekutimin, dënimin dhe, mbi të gjitha, damkosjen e Luftës Çlirimtare të UÇK-së dhe të kombit shqiptar si kriminale, po na hiqen ultrapatriotë! Ata që ia mohuan popullit shqiptar të Kosovës kreshnike flamurin e himnin e saj kombëtar, po na shesin kozmopatriotizëm! Ata që nuk i ndau nata as dita këto 20 vite nga gjingjiqët, daçiçët e vuçiçët e Serbisë, po na mbysin me patriotizëm! Ata që e krijuan partinë “unitare” serbe (Serbska Lista) në Kosovë, me Beogradin, po na shesin patriotizëm të kulluar!
Ata që me dredhitë, poshtëristë, pangopësit dhe paaftësitë e tyre e mbajtën UNMIK-un zot të Kosovës 10 vite (e po e mbajnë!), tash po na shesin edhe patriotizëm! Ata që me atë, me gjysh e stërgjysh ishin jatak i butë për Serbinë e për Jugoserbinë, po na shesin jugosllavizëm të mbështjellur patriotizëm! Ata që e bën Isa Mustafën kryetar partie, e bënë edhe kryeministër po na shesin patriotizëm shtetformues!! Ata që i duartrokitën (kjo ishte “merita” e tyre e vetme) kurrë pa u lodhur Ibrahim Rugovës (kolaboracionizmit) po na shesin “rugovizëm” të ambalazhuar me patriotizëm! Ata që edhe gjatë luftës shqiptaro – serbe ishin jatak i butë (herë i dukshëm e herë i padukshëm) i Serbisë po na shesin patriotizëm sot! Medet për ne!!! Ata që edhe pas luftës e, edhe sot, nuk i kanë këputur lidhjet – bashkëpunimin me shërbimet sekrete serbe (duke u kamufluar kush si gazetar, kush si tregtar, kush si klerik, kush si diplomat e kush si pedagog, etj., etj., po na shesin patriotizem sot!! Ata që ndërtuan autostradën për Merdare, që të lidhen me Serbinë dhe që ta lidhin Serbinë me bregdetin shqiptar, po na shesin rrugaqpatriotizëm! Ata që e bën Behgjet Pacollin (e shumë behgjeta tjerë) kryetar Republike (!), ministër të jashtëm (turp e faqja e zezë!), po na shesin patriotizëm për hesapet e tyre megafitimprurëse!! Ata që për Ushtrinë e Kosovës (pas 20 vitesh liri!) i ndajne 5 milion euro në vit e për “Behtelenken” qindra miliona (vetëm për një “gjobë” 60 milion euro!!!), po na shesin mashtrimpatriotizëm!
Ata që me vite e mashtruan popullin e tyre për heqjen e vizave, po na shesin patriotizëm pa viza!! Ata, për fajin e të cilve, Kosova pas luftës (!) po zbrazet nga shqiptarët, po këmbëngulun të na shesin patriotizëm! Ata që i mbushën partitë, institucionet shtetërore, administratën, arsimin, etj. me militantë (injorantë), me kolaboracionistë e agjentë, me vagabondë e hajdutë, po na shesin sheqerpatriotizëm! Ata që e nisën si lëvizje qytetare e patriotike për bashkimin e kombit e që përfunduan në parti politike që lufton pa zgjedhur mënyrë e mjete për një copë pushtet në një shtet, që mohon Flamurin e Himnin tonë shqiptar, po na shesin Adempatriotizëm! Edhe këta që ka një vit që po e lusin në tokë e në qiell jugokosovarin, Isa Mustafa, për koalicion parazgjedhor e qeveritar, po besojnë që po na shesin patriotizëm!
Ata që po i shesin patriotizëm Tiranës me thirrjet për Komandantin Legjendar, Adem Jasharin, e me thirrjet “Kosova është Shqipëri” (sikur këto thirrje e parulla t’i bënin në Prishtinë e jo në Tiranë!!), po na shesin anarkopatriotizëm! Ata që dalin ekraneve televizive e rrjeteve sociale dhe na thonë se “LDK-ja ka elektoratin më të emancipuar në Kosovë”, se “Kosova është qendra, kurse Tirana periferia”, e broçkulla tjera, po mashtrohen se po i shesin patriotizëm Tiranës?!! Medet për ta!! Ata që po bëjnë deputet të tillë që thonin e thonë se “pa Rugovën s’do të kishte Kosovë”, po na shesin patriotizëm! Ata që…
Për vete do të doja fort që, nëse dikush nga miqtë a shokët e mi, po edhe dikush nga kundërshtarët e mi politikë do të ma mbushte mendjen se këto që shkrova nuk qëndrojnë, nuk janë të vërteta… Sepse, edhe unë, do të doja shumë që t’i besoja patriotizmit të këtyre njerëzve… Por, nëse këto që shkrova nuk mund t’i kundërshtojnë, me fakte e jo me tifozllëk primitiv, të më falni, por nuk mund të besoj në patriotizmin e këtyre, që kudo në botën e qytetëruar do të “kualifikohej” si antipatriotizëm… “Patriotizmi” i këtyre është shumëfish më i dëmshëm për Kosovën se “minishengeni” i Edi Ramës për rajonin…