Xhevat Bislimi

Xhevat Bislimi: Skenari skandaloz i treshes: Hashim-Kadri-Ramush në 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Pak histori

Më 10 Qershor 1878 (140 vite më parë), në qytetin e lashtë të Shqipërisë, në Prizren, ishin mbledhur në KUVEND përfaqësuesit e Shqipërisë, paria e kombit shqiptar, dhe kishin lidhur besën për mbrojtjen me pushkë e me penë të çdo pëllëmbe të tokës së Shqipërisë që po kërcënohej nga marrëveshje e traktateve të fshehta e të hapura, që bënte Perandoria Otomane me Rusinë cariste dhe me Fuqitë e Mëdha evropiane. Për legalizimin dhe “legjitimimin” e tyre Fuqitë e Mëdha evropiane dhe Rusia cariste organizuan Kongresin e Berlinit, që do të mbahej më 13 qershor të vitit 1878! Humbjet në frontet e luftës Sulltani i Perandorisë Otomane po i “paguante” me toka të Shqipërisë. Në prag të këtij Kongresi famëkeq të Fuqive të Mëdha u dha kushtrimi për bashkim, organizim, mobilizim e luftë të përgjithshme për kundërshtimin e planeve dhe vendimeve që po përgatiteshin të merreshin në tavolinën e këtij Kongresi për copëtimin e Shqipërisë dhe faljen e tokave të saj shteteve fqinje, që ishin krijuar ose po krijoheshin me ndihmën e Rusisë e të disa shteteve evropiane dhe me miratimin e Perandorisë Otomane.

Kuvendi shqiptar i BESËLIDHJES në Prizren, me gjithë vështirësitë që pati nga rryma prootomane, ia doli të ndërtonte dhe zhvillonte programin politik e kombëtar për mbrojtjen e tokave që kërcënoheshin  nga pazarllëqet e otomanëve me Rusinë dhe Fuqitë e Mëdha evropiane. Besëlidhja Shqiptare e Prizrenit krijoi edhe Qeverinë me Kryetar, atdhetarin e shquar, Ymer Prizrenin, Ushtrinë Kombëtare dhe degët e saj në gjithë Shqipërinë. Burra si Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi e atdhetarë si këta përpunuan edhe programin për krijimin e shtetit autonom shqiptar, që do të përfshinte katër vilajetet e Shqipërisë (rreth 90 000 km katrore): Vilajetin e Janinës, atë të Kosovës, të Manastirit e të Shkodrës. Krijimi i Besëlidhjes Shqiptare të Prizrenit shënonte RILINDJEN dhe të arriturën  më të madhe të kombit shqiptar pas Kuvendit të Lezhës dhe epokës GJERGJKATRIOTIANE. Programi, fryma, përpjekja dhe lufta e saj u bë gur themeltar dhe referencë e të gjitha përpjekjeve, lëvizjeve dhe luftërave për Pavarësinë e Shqipërisë dhe bashkimin e saj. Programi i Besëlidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte gur themeli dhe referencë e frymëzim i çdo përpjekje dhe organizimi politik e kombëtar në trojet e pushtuara të Shqipërisë… Ky PROGRAM ishte edhe në themelet e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe të UÇK-së së krijuar prej saj në Kosovë, në Maqedoninë shqiptare e në Kosovën Lindore…

Skenar i menduar mirë kundër Besëlidhjes Shqiptare

10 Qershori, është Dita e Madhe e Shqipërisë, e kombit shqiptar në Iliri dhe e çdo shqiptari kudo në botë. Ishte vit jubilar, ishte 140 vjetori i Kuvendit Historik të Shqipërisë. Shqiptarët natyrshëm prisnin që kjo DITË të shënohej në shkallë kombëtare nga Tirana, Shkupi e Prishtina (institucionet e tyre shtetërore, politike, shkencore e kulturore) dhe nga gjithë shqiptarët pa dallim krahine, partie, feje e ideje. Dikur, edhe pse Kosova e Shqipërisë ishte e robëruar, Tirana zyrtare (shteti shqiptar i Enver Hoxhës), në bashkëpunim me institucionet e atëhershme të Prishtinës e të Shkupit, ia kishte dalë ta shënonte NJËQINDVJETORIN e Besëlidhjes së Prizrenit në mënyrë të tillë që kishte lënë gojëhapur edhe qeveritë dhe qarqet kulturore e akademike të shteteve fqinje pushtuese dhe botën perëndimore. Veprimtaritë e organizuara dhe të mbajtura në Prizren për shënimin e 100-vjetorit e kishin mbushur me krenari të ligjshme kombin shqiptar dhe shqiptarët kudo në botë. Kjo ngjarje e vitit 1978 pati jehonë dhe i bëri krenarë edhe miliona shqiptarë në Turqi dhe kudo në botë…

Ndërsa skenari i 10 qershorit 2018 ishte fund e krye skandaloz. Hashimi-Kadriu-Ramushi (i pari Kryetar shteti, i dyti Kryetar Kuvendi, i treti Kryeministër!!!) nuk la shqiptar pa e thyer dhe lënduar shpirtërisht. E para, ishte skenar-manifestim në shkallë province e jo në shkallë kombi, siç ishte vetë Besëlidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Kuvendi i saj gjithëkombëtar! E dyta, ishte skenar përjashtues për dy të tretat e Shqipërisë dhe për shumicën dërrmuese të shqiptarëve në Iliri dhe në botë! E treta, ishte skenar kundër Besëlidhjes së Prizrenit, kundër kësaj vlere të përbotshme të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar! Që ishte skenar i menduar mirë kundër kësaj Besëlidhjeje Shqiptare dhe kundër POROSIVE që jep ajo për shqiptarët edhe sot e deri sa të zgjidhet drejtë çështja shqiptare në Iliri nuk kam asnjë dyshim… Veç nuk e di nëse ky skenar i turpshëm ishte “prodhim” i mendjeve të tyre të vockla apo “prodhim” i qarqeve që nuk po prajnë së përgatituri plane dhe projekte antishqiptare dhe kriminale kundër të drejtës së kombit shqiptar për të jetuar i lirë, i bashkuar dhe i pavarur në një shtet dhe Shqipëri të përbashkët.

Rrjedha e skenarit skandaloz Hashim-Kadri-Ramush

Puna e parë e institucioneve të Prishtinës ishte përvetësimi dhe “uzurpimi” ala hashim” i këtij viti jubilar për Kuvendin e Prizrenit. Organizimi dhe përgatitjet për shënimin e kësaj ngjarjeje madhore shqiptare mbetën në “mëshirën” dhe shpirtëvogëlsinë e tre kryepersonazheve të shtetit të imponuar të Kosovës! Megjithatë, në Kryeqytetin Historik të Shqipërisë, në Prizren, kishin ardhur shqiptarë nga çdo cep i Atdheut dhe nga mbarë bota. Ishin organizuar edhe veprimtari tjera nga shoqëritë joqeveritare dhe nga vetë qytetarët që e festonin dhe përjetonin 10 Qershorin sipas mënyrës së tyre. Qyteti ishte veshur kuq e zi nga komuna. Çdo gjë frymonte dhe fliste shqip. Vetëm altoparlantët e xhamive(!) dhe imamët e tyre shpirtshitur ia kujtonin shqiptarit kohën e pushtimit otoman!

Vëmendja ishte përqëndruar te SHTËPIA MUZE E BESËLIDHJES SHQIPTARE. Aty po zhvillohej skenari sharlatan i institucioneve “shtetërore”. U tha që fillimisht ishte menduar të mbahej mbledhja e qeverisë dhe pastaj veprimtari tjera. Mirëpo, Kryetari i Kuvendit të Republikës, Kadri Veseli kishte ndërhyrë dhe kishte kërkuar që të mbahej edhe një “seancë” e Kuvendit në Shtëpinë Muze para mbledhjes së Qeverisë!

ë fakt ishte gara kush do të fliste i pari: Kadriu apo Ramushi! Pjesë e kësaj gare për të parë duhet të ketë qenë edhe Hashimi, por duket që është “eleminuar” nga Kadriu, prandaj edhe nuk kishte ardhur fare!

Protokolli i shtetit nuk ekziston për ta!

Nga Tirana kishte ardhur Kryetari i Republikës, Ilir Meta. Ngado ishte rrëmujë! Nuk e njihte qeni të zotin! Foli Kadriu i pari. Me të mbaruar fjalën e tij e ftoi Ramushin të vazhdonte me agjendën e tij! Ndërkohë del një grua dhe nis të flas pa e ftuar kush… Ngrihet Kadriu dhe ia ngre zërin mikrofonit se nuk dëgjohej mirë gruaja e paftuar! Kjo e revolton Ramushin, i cili ngrihet dhe e largon me forcë nga foltorja gruan e paftuar! Të gjithë ngelën të habitur nga këto sjellje e Ramushit e të Kadriut, zyrtarë të lartë të shtetit! Mezi dikur ia dhanë fjalën Ilir Metës, Kryetar i shtetit shqiptar!

Hashim kryetari, i pakënaqur, nuk erdhi në këtë ngjarje të shënuar, por e kishte nxjerr edhe ai inatin e tij: 10 Qershorin e kishte shpallur “ditë zie”!!! Sigurisht për t’ua prishur “dyzenin” Kadriut e Ramushit, por më shumë për ta nxirë 10 Qershorin e lavdishëm shqiptar! Ky ishte kulmi! “Ditë zie”, ndërsa filharmonia e Kosovës, e veshur në uniformë të FSK-së, po jepte koncert në oborrin e Shtëpisë Muze!

Edhe ora e poezisë u mbajt në oborr të Shtëpisë Muze. U tha që është organizuar dhe po mbahet nën përkujdesjen e Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit! Edhe kjo për turp! Nuk kishte teknikë zërimi! Askush nuk dëgjoi kush çka tha e kush çka recitoi! Sidoqoftë, Besëlidhja Shqiptare për bashkimin e Shqipërisë ishte e gjallë edhe dje, është edhe sot e do të jetë edhe nesër në sytë e çdo shqiptari. Ata që u përpoqën ta nxini 140 vjetorin me skenar skandaloz nuk bënë gjë tjetër veç se nxin faqen e tyre…

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …