Xhevat Bislimi

Xhevat Bislimi: Të majtë e të djathtë apo shqiptarë e “kosovarë”? II

Amerika nuk është shtatore mermeri dhe as Nëna Terezë

 

    Janë këta, lexues të dashur, që sot kanë dhënë alarmin për prishjen e “miqsisë së përjetshme” me Amerikën dhe për “largimin e saj nga Kosova”! Nuk duhet shumë mend për ta kuptuar hallin dhe hilen e tyre! Demagogjia, servilizmi, hipokrizia dhe megamashtrimet e tyre janë bërë tugitëse e neveritëse për secilin prej nesh, madje edhe për më militantët e këtyre partive! Shqiptarët e kanë të qartë dhe nuk duhet ta heqin kurrë nga mendja se Amerika ka miqësi të përjetshme vetëm me interesat e saj, prandaj është Amerikë! Jo vetëm Amerika. Secili shtet normal, sado i dobët e i vogël qoftë, miqësi të përhershme ka, do të duhej të kishte, vetëm me interesat e veta. Dhe kjo nuk ka asgjë të keqe derisa shoqëria njerëzore të jetë e organizuar dhe e ndarë në shtete e kombe. Mmund të themi se kjo është e keqja e domosdoshme e kësaj bote!

   “Secili duhet të mendojë e të punojë për veten e tij”, thoshte Rilindasi ynë poliedrik, Sami Frashëri, kur fliste për shpresën dhe mundësinë e mbështetjes së popullit tonë te një vend a popull i caktuar. Mendimin e Rilindasit tonë po e vërteton katërcipërisht edhe situata që u krijua nga virusi corona! Populli ynë, sidomos elitat e tij politike e kulturore, duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë se Amerika nuk është monument (shtatore) mermeri, nuk është e ngurtësuar! Ajo është e gjallë! Të gjalla, të lëvizshme e të ndryshueshme janë edhe interesat e saj… Klasa politike e Prishtinës, mediet dhe OJQ-të po e paraqesin Amerikën sikur të ishte Nëna Terezë! Ky është mashtrimi i madh që po i bëhet popullit tonë nga politikanët, mediet, OJQ-të dhe inteligjencia hipokrite e përfituese-zhvatëse!

  

 

Populli shqiptar miqësinë me Amerikën nuk e ka dhuratë

 

   Konstatime të tilla si ai që thotë se “pa Amerikë nuk do të kishte e nuk ka Kosovë” janë të pa sakta, të dëmshme dhe të rrezikshme për Kosovën dhe popullin e saj. Kulmi i idiotësisë! Propaganda e bazuar në këtë filozofi defetiste është kundër detyrimit që ka çdo popull e çdo vend për ta fituar e për ta mbrojtur lirinë dhe pavarësinë. Me këtë propagandë dhe me këtë politikë perfide po synohet të krijohen iluzione se ne nuk kemi bërë dhe s’kemi ç’bëjmë për lirinë dhe pavarësinë tonë, jemi të pafuqishëm! Fati ynë është në dorën e Amerikës! Ditën që do të largohejë Amerika, sipas krerëve të koalicionit të pahajr, LDK-PDK-AAK dhe sipas medieve të tyre altoparlante, ne duhet të bëjmë vetëvrasje kolektive! Kosovë nuk do të ketë më! A thua të kenë harruar këta trutharë se Kosova dhe gjithë Shqipëria ka jetuar e mbijetuar shekuj të tërë e në rrethana shumëfish më të rënda?!… Kosova vështirë se do të çlirohejë ndonjëherë pa shtetin tonë AMË, duhet të thuhet fuqishëm, sepse kjo është e vërteta. Kosova dhe çdo krahinë shqiptare e ka të vështirë të jetojë e shkëputur nga TRUNGU i saj. Kjo e vërtetë duhet të thuhet e të trumbetohet. Kombi shqiptar e ka të vështirë e do ta ketë të vështirë të jetojë i copëtuar, prandaj ndër breza është përpjekur, po përpiqet e do të përpiqet për t’u bashkuar në një shtet të vetëm, në një Shqipëri e me një flamur. Miqësinë me Amerikën kombi shqiptar e fitoi pas shumë përpjekjeve e betejave të përgjakshme me pushtuesit e më shumë se dy të tretave të Shqipërisë. Miqësinë me Amerikën nuk e mori dhuratë, prandaj duhet ta ruaj me mençuri, me shumë punë e angazhim e jo me keqqeverisje, vjedhje, mashtrim, korrupcion, krim të organizuar, degradim të lirisë, pavarësisë e sovranitetit të vendit dhe me aventura e përçarje të shfrenuara ndërshqiptare!

   Miqësia me Amerikën dhe me Evropën do të jetë e qëndrueshme (nuk mjafton të jetë vetëm e dëshirueshme!) kur kombi shqiptar në Iliri të jetë i fuqishëm sa për t’i dalë zot vetes, kur Kosova (pjesë organike e kombit shqiptar dhe e Shqipërisë) të jetë e organizuar, e strukturuar, e zhvilluar dhe e fuqizuar me ushtrinë e saj, me armët e veta, sa për t’iu kundërvën Serbisë në mësymjen e parë të saj dhe e aftë për t’iu bashkuar Trungut të saj. Pastaj, ne nuk jemi vetëm. E kemi shtetin shqiptar, jemi komb afërsisht i barabartë me Serbinë dhe i kemi miliona shqiptarë në mërgim, që e kanë treguar veten në ditët e vështira të Kosovës e të viseve të saj…

   Mirëpo, miqësia me Amerikën dhe me Evropën nuk është e garantuar me ju në pushtet, me ju që e keni mbushur Kosovën shqiptare për njëzet vite me xhamia e minare turko-arabe!! Atë që s’e kishte bërë Perandoria Osmane për pesë shekuj e bëtë ju me Erdoganin për njëzet vite, me ju që e vodhë dhe e stërvodhët Kosovë! “Hajdut aga kurrë nuk i kanë thënë kujt”, thotë populli ynë. Politikanët dhe qeveritarët e korruptuar e mashtruesë nuk e trembin Serbinë dhe as nuk mund ta ruajnë miqësinë me Amerikën e miqtë tjerë evropianë! Politikanët dhe qevritarët e këtij soji nuk janë hajri i Kosovës e lëre më të jenë miq të Amerikës! Dhe kanë fytyrë të shesin amerikanizëm e evropianizëm! Boll marre!

   

Falënderim dhe mirënjohje shtetit tonë AMË dhe LPK-UÇK-së që na miqësuan me Amerikën dhe me Evropën demokratike

 

   Shqiptarët i janë mirënjohës e falënderues Amerikës posaçërish, dhe secilit që na është gjendur e na e ka dhënë dorën në çaste të vështira. Por, kush më mirë se Amerika e di që pa Luftën e UÇK-së (e organizuar nga LPK-ja) e të kombit shqiptar, e sidomos pa shtetin tonë AMË, nuk do të kishte Kosovë të çliruar dhe as prani ushtarake amerikane në Kosovë? Janë mijëra bijë e bija të këtij populli që kanë rënë në përpjëkje e në luftë, me e pa uniformë, për çlirimin e kësaj Kosove shqiptare (pa vise!). Ishte një komb i tërë që u ngrit dhe e mbështeti Luftën Çlirimtare për Kosovën. Dhe, mbi të gjitha, ishte një shtet shqiptar e një territor i tij, që e bënte të mundur përgatitjen, organizimin dhe zhvillimin e kësaj Lufte për Kosovën shqiptare. Amerika po të udhëhiqej me menndjet e krerëve të LDK-PDK-AAK-së nuk do të ishte Amerikë, por do të ishte ndonjë shtet që lirinë dhe pavarësinë e saj ia dedikon një Fuqie tjetër! Amerika nuk erdhi në Kosovë  për sytë e bukur të Hashimit, Isës, Ramushit, Kadriut… Po të rrinte në Kosovë për sytë tuaj të bukur nuk do të ishte më Amerikë! Por, edhe po të ikte për sytë e “shëmtuar” të Albinit, nuk do të ishte më Amerikë! Paska shkruar në tuiter një senator amerikan dhe menjëherë paska ndryshuar qëndrim Amerika! Përallë me mbret! Këtë senatorin e paska mbështetur edhe një djalë i Trampit! Me demek ky është fundi! Amerika do të largohet nga Kosova se po thotë edhe djali i Trampit!? Kur të vijë ajo kohë që djali a vajza e një Kryetari amerikan me i diktu politikatë Amerika nuk do të jetë më Amerikë… Mbajeni mend!

   Për LVV-në e Albinit dhe koalicionin me LDK-në kam shkruar pa u bër koalicioni (njëri nga shkrimet ishte: Pse me LDK-në?) dhe kam dërguar shpesh “porosi”, që politika nuk bëhet në libra, por në tokë… Prandaj, nuk po zgjatem më shumë…

P. S. Ky shkrim është bër para një jave, por nuk e publikova, duke patur parasysh zhvillimet nga coronavirusi… Mirëpo, këto ditë u (ri)binda se këta s’e kanë gajle për asnjë gjendje dhe për asnjë rrethanë sado e rëndë qoftë ajo… Nuk ndalen me asgjë dhe para asgjëje për t’i mbrojtur privilegjet dhe pasuritë e fituara në dëmin e Kosovës shqiptare! Prandaj, po e publikoj shkrimin.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …