Përvjetorin e rënies së murit të Berlinit e paska (sh)përdorur edhe i vetëquajturi historian e autoritet shkencor (!), Jusuf Buxhovi, për të gënjyer, mashtruar e manipuluar ata pak njerëz që mund t’i besojnë tezat e tij të rreme për LDK-në « me frymë perëndimore, që shpejt u kthye në një lëvizje kombëtare » e që paska pas marrë përsipër « rrënimin e strukturës së Lidhjes komuniste dhe shkëputjen nga Serbia (me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe me Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator 1990) ». Në këtë rrugë, sipas Jusuf Buxhovit, intelektualët e Kosovës (lexo : jugokomunistët) paskan patur ndihmën dhe mbështetjen e plotë të SHBA-së dhe të Gjermanisë! Përfundimi tjetër po aq i rremë dhe antishkencor është se, gjithmonë sipas Buxhovit, rrëzimi i murit të Berlinit i paska nxitur shqiptarët në këto procese dhe se intelektualët si ai (jugokomunistët që themeluan LDK-në) qenkan «rreshtuar në anën e drejtë historike»! Këto «xhevahire» i lexova në portalin Indexonline.net të ditës së sotit. Prandaj, mendova ta them edhe unë mendimin tim të bazuar dhe t’ia them publikut shqiptar të vërtetën për LDK-në dhe buxhovët e rugovët…
Nisim nga e para. Pohimi i Buxhovit se rrëzimi i murit të Berlinit i paska nxitur shqiptarët ta rrënojnë LKJ-në e të lëvizin përpara për lirinë – çlirimin e tyre nga Serbia është tërësisht i pabazuar dhe joshkencor. Shqiptarët për lirinë e pjesës së pushtuar të kombit i kishte nxitur copëtimi i Shqipërisë dhe pushtimi i dy të tretave të saj. Ky ishte shkaku themeltar që i “nxiste”, i frymëzonte dhe i detyronte të përpiqeshin, të organizoheshin e të luftonin edhe me armë në dorë kundër Jugoserbisë pushtuese . Në këto përpjekje dhe në këtë luftë për liri pjesa e pushtuar e pati mbështetjen dhe përkrahjen e plotë nga shteti shqiptar i Enver Hoxhës e do të duhej dhe besoj që do ta ketë gjithmonë… Ekzistenca e shtetit shqiptar ishte dhe mbeti kushti sine que non për çlirimin dhe bashkimin e kombit dhe të territorit në një Shqipëri…
Shqiptarët nuk e pritën rrëzimin e murit të Berlinit për t’u kujtuar se ishin të pushtuar. Jugoserbisë i kishin shpallur luftë me organizatatë e tyre edhe Metush Krasniqi e Adem Demaçi, pastaj Mehmet Hajrizi e Hydajet Hyseni, Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka dhe vazhduesja e përbashkuesja e organizatave dhe e shqiptarëve atdhetarë, Lëvizja Popullore e Kosovës, – themeluesja e UÇK-së… Por, e vërtetë e padiskutueshme është se Buxhovi dhe buxhovët e tjerë, të tipit Ibrahim Rugova (të mos flasim këtu për sojin e vëllasëve, hasanëve, morinëve…) ishin në anën e gabuar të historisë, ishin në anën e LKJ-së e të Jugoserbisë dhe kishin përkrahjen dhe mbështetjen e plotë të saj për t’i ndjekur e «zhdukur» forcat përparimtare, demokratike e patriotike! Të vërtetë tjetër as nuk ka dhe as nuk do të ketë sado që të hedh vickla “autoriteti shkencor” jugokosovar, Jusuf Buxhovi me gjithë buxhovët tjerë që ishin dhe mbetën lak në qafën e Kosovës shqiptare.
Rënia e murit të Berlinit i nxiti buxhovët që të « braktisnin » LKJ-në e “shpartalluar” nga komunistët sllovenë në Kongresin e 14 të LKJ-së e të strehoheshin në një organizatë – lidhje të re të kamufluar si “evropiane” e që në fakt ishte filojugoallave. Kjo provohet me faktin se edhe në programin e saj ishte përcaktuar për Jugosllavinë dhe me faktin se ishte regjistruar në Beograd! E « braktisën » LKJ-në vetëm pasi ajo u braktisë nga sllovenët, kroatët, boshnjakët e nga të gjithë popujt e federatës jugoserbe! Pra vetëm atëherë kur i kishte braktisur ajo e nuk kishin ku ta bënin vezën më! Populli shqiptar i Kosovës do t’i mirëkuptonte dhe do t’i falte sikur ta kishin « braktisur », edhe pse me kaq vonesë, me bindje dhe sikur t’i ishin bashkuar kërkesave të tij për shkëputje të plotë nga Jugoserbia e për bashkim me TRUNGUN, me shtetin amë. Por, Buxhovi dhe buxhovët vetëm kostumin ndrruan, kurse mendja e zemra u mbeti në anën e gabuar të historisë. Në këtë anë të gabuar i gjeti edhe Lufta Çlirimtare e UÇK-së dhe e kombit shqiptar! Në këtë anë të gabuar janë të rreshtuar edhe sot që po fërkojnë duart për krijimin e Gjykatës Speciale (unike në botë!) dhe persekutimin e UÇK-së dhe të Luftës së saj çlirimtare! Nuk e besoj që do të mbusheshin me kaq gëzim sikur kjo Gjykatë Speciale të ishte krijuar për gjykimin dhe dënimin e gjenocidit dhe holokaustit serb në Kosovën shqiptare, në Bosnje e në Kroaci! Kjo është për t’u çuditur, sepse specie të këtillë vështirë se mund të gjesh në Evropën tonë!
Buxhovi është mashtrues, manipulator dhe falsifikues edhe për 2 korrikun e vitit 1990. E verteta ishte dhe është së LDK-ja e Rugovës dhe e Buxhovit nuk e mbështeti kuvendin e atëhershëm të Kosovës për “shpalljen e Kosovës Republikë! Ishte, e para, Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, që me një qarkore (prill 1990) i kërkonte kuvendit të Kosovës ta shpallte Kosovën Republikë. Pas LPRK-së (më vonë LPK) ishte Akademia e Shkencave që, më 14 qershor, doli me një deklaratë me të cilën i kërkonte Kuvendit të Kosovës ta shpallte Kosovën Republikë. Më 1 korrik u mbajt një takim i Forumit Demokratik… Në fund të takimit ngrihet Zenun Çelaj dhe i kërkon këtij Forumi që ta mbështes Deklaratën e Akademisë (Shih gazetën « Rilindja »!). Vetëm LDK-ja, që tashmë hiqej si forca më e madhe, nuk u deklarua dhe nuk u dha përkrahje, nuk i inkurajoi delegatët që ta bënin hapin e duhur në kohën e duhur. I bie, dhe kështu është, se LDK-ja është përgjegjëse pse delegatët e atëhershëm (me origjinë politike e ideologjike si këta buxhovët e rugovët) nuk ia dolën, nuk e patën organizimin e duhur, forcën dhe as kurajon që ta shpallnin Kosovën Republikë në sallën e Kuvendit! Vetëm pasi u mundën nga forca e shtetit pushtues serb dhe u nxorën nga salla e kuvendi e lexuan një “deklaratë kushtetuese” në rrugë! Kjo është e vërteta! Fatkeqësisht!
Tërësisht i pavërtetë dhe manipulativ është edhe shpjegimi ose “konkludimi” i “autoritetit shkencor”, me emrin Jusuf Buxhovi, për Kuvendin – kushtetutën e Kaçanikut! LDK-ja dhe Rugova e Buxhovët nuk e kanë mbështetur mbajtjen e atij kuvendi! Me veshët e mi e kam dëgjuar në radion e kohës (radio Zagrebi) gazetarin që e pyet Rugovën ç’mendim kishte për Kuvendin që do të mbahejë (vendi i mbajtjes nuk ishte deklaruar)… Ibrahim Rugova, “kryetari historik i LDK-së », përgjigjet: “Ne nuk mbështesim asnjë veprimtari ilegale”! Kjo përgjigjie mund të gjendet në shtypin e kohës. Kjo përgjigjie e tij dhe e LDK-së ishte dhe mbeti “monument mermeri” edhe për të gjithë veprimtarinë dhe luftën “ilegale” të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që e fitoi përkrahjen dhe mbështetjen e plotë të kombit, të Amerikës, NATO-s e të botës demokratike!… Kurse, për të qenë konsistent në bindjet e tyre, Ibrahim Rugova dhe buxhovët edhe bombardimet e NATO-s i shpallën ilegale dhe kërkuan ndërprerjen e tyre!!!
Që ishit këta e të këtillë para Luftës e gjatë Luftës edhe mund t’ju “kuptojnë” e “arsyetojnë” njerëzit me referenca mediokre, por që jeni edhe sot ata që ishit e të tillë çfarë ishit nuk ma ha mendja t’ju “kuptojnë” e “arsyetojnë” as pasardhësit tuaj, zoti-shoku Jusuf Buxhovi!