Arrestimi spektakolar, banal dhe brutal i Bedri Halimit
Dje me 6 janar të vitit 2022 u arrestua në mënyrë spektakolare Kryeinspektori i Ministrisë Mjedisit të Kosovës, z Bedri Halimi. Nga gjashtë të arrestuarit të ditës së djeshme vetëm arrestimi i tij u bë me linqim publik para kamerave televizive. Kështu, ne që e njohim dhe që e dim se kush është Bedri Halimi, dje e pamë atë duke e futur policia me duar të lidhura në makinën policore, sikur të të kishte qenë ai një kriminel që sapo e kishte vararë ndonjë njeri të pafajshëm në pazar.
Serbët qytetar të klasit të parë e shqiptarët qytetar të klasit të dytë
Shtrohet pyetja: Si është e mundur që Bedri Halimi edhe pse nuk ka pasur asnjë kompetencë për dhënien e lejeve të ndërtimit në qytezën e Shtërpcës, të arrestohet si i dyshuar nga policia e Kosovës para kamerave televizive, kurse ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës i kombësisë serbe, që në kundërshtim me ligjin ka lëshuar leje ndërtimi në Komunën e Shtërpcës, të arrestohet pa asnjë zhurmë e pa ia pa kush fytyrën në ekranet televizive. Me sa duket në Kosovë po vazhdon avazi i vjetër: Serbët vazhdojnë të trajtohen si qytetar të klasit të parë, të cilëve iu ruhet fytyra e dinjiteti edhe kur janë fajtor, kurse shqiptarët vazhdojnë të trajtohen si qytetar të klasit të dytë, të cilëve nuk iu ruhet fytyra dhe dinjiteti edhe kur nuk janë fjator, pikërisht kështu siç ka ndodhur me rastin e arrestimit me linçim publik të Bedri Halimit.
„Dilenxhillëku“ si „pesh kryqi“ mbi shpinë!
Bedri Halimi, për vet faktin se nuk i ka lëshuar askujt ndonjë leje ndërtimi në komunën e Shtërpcës, sepse as që ka pasur ndonjë kompetencë për të lëshuar leje ndërtimi në komunën e Shtërpcës, nuk ka dyshim se nga gjykata do të shpallët i pafajshëm. Do të shpallët i pafajshëm por „Dilenxhillëku“ i Drejtësisë së Kosovës dhe i prokuror Malokut, atij do t`i mbetet për gjithë jetën si një „peshë kryqi“ mbi shpinë. Dhe jo vetëm atij, por ky „Dilenxhillëk“ do t`i mbetet si „peshë kryqi“ mbi shpinë edhe bashkëshortes dhe fëmijëve të tij. Dhe se fundi ky „Dilingjillëk“ do t`u rëndoj si „peshë kryqi“ edhe shumë miqve e shokëve të tij, të cilët nuk mund të janë indiferent ndaj linçimit që i është bërë shokut e mikut të tyre Bedri Halimit, ende pa e thënë për të drejtësia fjalën e fundit – nëse ai ishte apo nuk ishte fajtor. Shtrohet pyetja me çka do t`ia shpaguaj Bedri Halimit Drejtësia e Kosovës dhe prokuror Maloku denigrimin dhe linçimin publikë që ia kanë bërë atij, ende pa u ditur nëse ai ka qenë ose jo fajtor? Linçimin publik Bedri Halimit nuk mund t`i shpaguhet as me parat e tërë botës. Pse? Sepse Bedri Halimi për asnjë pare as nuk shiet e as nuk e falë as fytyrën dhe as dinjitetin e tij.
Për ata që Bedri Halimin nuk e njohin po jap një biografi e shkurtër të tij
Për ata që nuk e njohin Bedri Halimin po jap një biografi të shkurtër të tij: Është lindur në fshatin Kuk të Opojës në vitin 1963. Duke qenë nxënës i shkollës fillore dhe i shkollës së mesme, ai pushimet verore i ka kaluar në Bjeshkën e Kukit, duke e ruajtur tufën e deleve të familjes së tij. Nga kohët kur ka qenë bari delesh, atij i ka mbetur një kujtim i bukur: Fyelli i bariut, të cilit i bie edhe tani me pasion. Por ky bari delesh ka qenë nxënësi më i mirë i shkollës fillore në fshatin Bresanë të Opojës dhe nxënësi më i mirë shkollës së mesme në qytetin e Prizrenit. Kur ndodhen ngjarjet e vitit 1981, Bedri Halimi ende pa i mbushur as 18 vjet, bashkë me grupin e tij ilegal u angazhua për organizimin e demonstratave në qytetin e Prizrenit, në të cilat u kërkua që Kosova të ishte një Republikë si Republikat tjera të Jugosllavisë. Për këtë veprimtari, ai u arrestua nga policia dhe UDB-ja e Prizrenit dhe pas dy muajsh paraburgim nga Gjykata e Prizrenit u dënua si irredentist dhe nacionalist me katër vite burg të rëndë. Vitin e parë të burgut e kaloi në burgun e Prizrenit dhe në burgun e Pejës, ku disa herë u torturua deri në alivanosje. Vitin e dytë burgut e kaloi në burgun famëkeq të Gospiqit, ku si edhe shumë shokë të tij u torturua sërish shumë herë për vdekje. Dy vitet e fundit të burgut i kaloi në burgun famëkeq të Goli Otokut, ku po ashtu u torturua shumë herë deri buzë vdekjes. Në vitin 1997 Bedri Halimi u arrestua nga policia serbe e Millosheviqit, kësaj radhe i dyshuar si personalitetet kyç i UÇK-së për krahinën e Opojës dhe krahinat përreth. Në burgun e Prizrenit për dy muaj rresht u torturua ekstremisht nga UDB-ashët e ardhur enkas nga Serbia në Kosovë. Një ditë kur UDB-ashët e Beogradit panë se ai ishte para vdekjes, e liruan nga burgu që mos të vdiste në burg. Me këtë rast Bedri Halimin e kanë shpëtuar nga vdekja Dr. Fehmi Bojaxhiu dhe Dr. Behxhet Xheladini. Dr. Fehmi Bojaxhiu me makinën e tij urgjentisht e ka transferuar në Qendrën Klinike në Prishtinë, në të cilën asokohe 99% e mjekëve kanë qenë serbë, por që për fatin e mirë të Bedri Halimit aty ka qenë ende me punë një mjek shqiptar Dr. Xhavit Kuçi. Ky mjek duke e vendosur Bedri Halimin në dializë e ka shpëtuar nga vdekja e sigurt. Në pranverën e vitit 1999 policia serbe bëri përpjekje për ta arrestuar e burgosur Bedri Halimin sërish, kuptohet kësaj radhe për herë të fundit…! Por, ai (Bedri Halimi) duke u alarmuar nga një mik e tij rreth gjysmë ore përpara se policia serbe të futej në shtëpinë e tij në fshatin Kuk për ta arrestuar, i ka shpëtuar këtij arrestimi të fundit duke i kaluar në këmbë Bjeshkët e Sharrit dhe duke dal në Maqedoni. Nga Maqedoni Bedri Halimi ka kaluar në Shqipëri në qytetin e Kukësit, ku i veshur me petkun e UÇK-së bashkë me Xheladin Plakun dhe të tjerë e ka ndihmuar UÇK-në në Kosovë me armatime dhe me rekrut të ri. Pas luftës Bedri Halimi u emërua Kryeinspektor në Ministrin e Mjedisit të Kosovës, ku ka punuar me faqe të bardhë e pa e fut në xhep as edhe një qindarkë të askujt.
„Më mirë një Sokrat i vuajtur se derr i kënaqur!“
S`ka dyshim se Bedri Halimi deri në fund të jetës së tij do të jetoj modestisht, për të mos thënë varfërisht, duke i shpenzuar ai qindarkat e tij me mend e kursim. Poeti i madh shqiptar Migjeni ka thënë: „Më mirë të jesh Sokrat i vuajtur se derr i kënaqur!“ Kësaj thënie lapidare të Migjenit Bedri Halimi ka për ti mbetur besnik deri në fund të jetës së tij. Ai kurrë nuk do t`ia lejoj vetës luksin e derrit të kënaqur. Me atë ditë që Kosova u çlirua nga Serbia dhe me atë ditë kur Kosova u shpallë shtet i pavarur, Bedri Halimi është ndier dhe ndihet si më i pasuri e më i lumturi i botës. Pasuri e lumturi me të mëdha se këto ai nuk ka njohur e as nuk do të njoh.
Pasuritë e mëdha librat e botuar!
Por, Bedri Halimi në disa aspekte ka qenë e është një njëri shumë i pasur. Ai ka qenë e ka mbetur i pasur sa i përket vlerave njerëzore dhe atdhetare, sa i përket pastërtisë shpirtërore dhe dashurisë që ka pasur e ka për secilin njeri të mirë. Një pasuri tjetër e tij është revista „Sharri“ të cilën ai me ndihmën e miqve dhe të shokëve të tij, dhe në këto vitet e fundit edhe me ndihmën e Ministrisë së Kulturës të Kosovës, e ka botuar dhe e boton tani më për 30 vite me radhë, duke filluar që nga viti 1992 e këtej. Por jo vetëm kaq. Ai e ka edhe një pasuri tjetër të rrallës: Janë tri vëllime monografike me nga 500 e 600 faqe të botuara prej tij në këto 21 vjetet e fundit, në të cilat janë përfshi aspekte historike, gjuhësore, kulturore, etnologjike e folklorike të krahinës së Opojës, krahinë kjo ku ai ka lindur, është rritur dhe është brumosur me dashuri ndaj Kosovës, ndaj Shqipërisë dhe ndaj kombit të tij shqiptar të ndarë e të copëtuar nga vendet fqinje dhe Fuqitë e Mëdha. Një pasuri tjetër e veçantë e tij është libri kushtuar krahinës fqinje të Gorës, që paraqet librin e parë shkencor për Gorën dhe banorët e saj goranë. Dhe fare në fund po përmend edhe tri librat e tij me poezi dhe një roman, të gjitha këto me motive atdhedashurie e lirie, të shkruara e botuara po ashtu gjatë këtyre 21 viteve të fundit. Këto janë pasuritë më të shenjta e më kuptimplote të Bedri Halimit, të cilat për cinikët e shumtë që ka Kosova, nuk janë tjetër veç se bjerrje kohe e lojëra fëmijësh!
Të lirohet nga paraburgimi dhe t`i ofrohet shpagimi
Të nderuar lexues ky që përshkrova më lartë është Bedri Halimi, Kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit të Kosovës, që me 6 janar të vitit 2022 u arrestua nga policia e Kosovës në mënyrë spektakoalre, banale, brutale dhe linçuese para kamerave televizive, krejt kjo ende pa pasur fakte relevante nëse ishte apo nuk ishte fajtor. „Dilengjillëkut“ të Drejtësisë së Kosovës dhe të prokuror Malokut nga Ferizaj ndaj Bedri Halimit, është vështirë t`i gjendët një shembull i dytë në botë. Unë dhe familja ime e ngushtë dhe e gjerë, duke e njohur pastërtinë e Berdi Halimit, kërkojmë nga Drejtësia e Kosovës që Bedri Halimi të lirohet sa më shpejt nga paraburgimi, si dhe t`i ofrohet shpagim për dinjitetin e nëpërkëmbur. T`i ofrohet shpagim pa asnjë frikë, sepse Bedri Halimi nuk e merr as edhe një qindarkë të vetme për shpagim. Pse? Sepse ai dinjitetin e tij as nuk e shet e as nuk e fal për asnjë para.
Bedriut dihet t`i vishet ndonjë faj sa për t`a arsyetuar „Dilenxhillëkun“ e ushtruar ndaj tij
Por jo, Bedri Halimi edhe pse i pafajshëm nuk do të lirohet nga burgu. Atij sot me 7 Janar iu zgjatë paraburgimi për një muaj. Drejtësia e Kosovës dhe prokuror Maloku, për ta arsyetuar „Dilenxhillëkun“ e tyre të arrestimit të tij me linçim publik dhe pa e ditur nëse ishte ose jo fajtor, atij janë të detyruar që t`ia veshin ndonjë faj, kjo në mos për asgjë tjetër, së pakut sa për të thënë: se arrestimi i tij me linçim publik nuk është bërë kot, por sepse ai bërë ketë apo atë shkelje, këtë apo atë faj….
Dikush do të kujtohet si „Dilenxhi“ e dikush si atdhetar
Bedri Halimi është përballur me ngjarje e „dilenxhillëqe“ edhe më të mëdha e më të rënda se ky „Dilënxhillëk“.
Por derisa „Dilengjillëqet“ tjera i janë bërë nga Serbia fashiste, ky „Dilenxhillëk“ i arrestimit të tij me linçim publik, atij tani i është bërë nga Drejtësia e Kosovës dhe prokuror Maloku, të cilat pa kontributin e Bedri Halimit dhe të shokëve të tij, as që do ekzistonin në një Kosovë tjetër nën Serb. Sidoqoftë, të gjithë jemi të vdekshëm…! Por pas vdekjes dikush do të kujtohet si „Dilenxhi“ e dikush si atdhetar që për çlirimin e Kosovës shumë herë është ballafaquar me vdekjen. „Hosona barraba“ do të thoshte Noli ynë i madh.