Nexhmedin Spahiu, në debatin televiziv të datës 28 qershor 2023 të dhënë në Kanalin 10, ndër të tjera tha se ata që thonë se në Kosovë nuk ka komb kosovar bëjnë fyerje në bazë etnike dhe se të tillët duhet të përgjigjen para ligjit.
Por duke u nisur nga fakti se në Kosovë ka etni dhe komb shqiptar, por nuk ka as „etni dhe as komb kosovar“, kjo flet se për fyerje në bazë etnike dhe kombëtare duhet të përgjigjen para ligjit ata që thonë se në Kosovë ka „komb kosovar“. Pse? Sepse ata kësisoj ua mohojnë tërthorazi rreth dy milionë shqiptarëve të Kosovës përkatësinë kombëtare shqiptare. Kushtetuta dhe legjislacioni i Kosovës, njohin etni dhe komb shqiptar, por nuk njohin as „etni e as komb kosovar“. Shqiptarët e Kosovës i thonë vetës shqiptarë në aspektin etnik dhe kombëtar dhe i thonë vetës „kosovar“ në aspektin gjeografik dhe shtetëror, sepse vendi dhe shteti i tyre quhet Kosovë. Këto gjëra janë të qarta si rrezja e dritës, por disa individë duan që këto gjëra të qarta t`i turbullojnë.
Kombi shqiptar ka qenë, është dhe do të jetë një dhe i pandarë. Në dobi të kësaj thënie janë teoritë e filozofëve gjermanë për kombin, adekuate për kombet monoetnike, siç është edhe kombi shqiptar.
Teoritë Franceze për kombin të cilat Nexhmedin Spahiu i përmend për të na bindur se në Kosovë, sipas tij, veç na qenka krijuar „kombi kosovar“, ato, kur është fjala për kombet monoetnike, siç është edhe kombi shqiptar, nuk janë adekuate dhe nuk pinë ujë! Teoritë franceze janë treguar të vlefshme vetëm me rastin e krijimit të kombeve të reja multietnike (të krijuara nga përzierja e etnive të ndryshme), siç ka ndodhur p.sh: me rastin e krijimit të kombit multietnik amerikan, kombit multietnik turk, kombit multietnik brazilian dhe me rastin e krijimit të kombeve tjera multietnike. Por këto teori nuk kanë të bëjnë aspak me krijimin e kombeve monetnike, siç është kombi shqiptar dhe siç janë shumica e kombeve të kësaj bote.