Menjëherë pas jehonës së krismave të para të rezistencës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prekaz e Gllogjan, në Rahavecin e Rrafshit të Anadrinit, në fshatrat Drinas dhe Krushë e Madhe, fitojnë në intensitet tubimet protestuese që organizoheshin për ta kundërshtuar çdo formë të dhunës së pushtuesit barbar serb, në njërën anë, por edhe përkrahjen e luftës së armatosur që zhvillohej në Prekazin e Adem Jasharit e në Gllogjanin e Luan Haradinajt, atëherë kur “Në Gllogjan u dha kushtrimi”. Kështu marsi i vitit 1998 u bë “Muaji i Protestave” në tërë Kosovën, e veçanërisht në Rahavec, në Drinasin e Jahës e në Krushën e Madhe të Ukshin Hotit e në tërë Rrafshin e Anadrinit.
Pas 26 prillit të vitit 1998, kur te “Ura e Piranës”, në aksin e magjistrales Prizren-Gjakovë u shpërthye prita e parë e kurthuar për t’i zënë të gjallë “Djemtë e Drenicës”, afër Krushës së Vogël ku u gjendën luftëtarët më emblemtikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fshatin Drenaj, (ish-Drenoc) të Anadrinit, u sistemua formacioni i parë sipas planit për dinamikën e shtrirjes dhe të zgjerimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Anadrinit ndërsa digjej në tym e zjarr Gllogjani i Rrafshit të Dukagjinit me tërë rrëzën e Sukës së Cermjanit ku luftonin dy tigra: Xhelal Hajda-Toni e Fadil Nimani-Tigri.
Dalja në pozicione e tërë formacionit të fshatit Drenaj, më 26 prill të vitit 1998, Beteja e Bardhatinit më 12 maj, ajo e Gardhishtit më 14 maj, tubimi ceremonial i Burimit të Epërm për t’i përcjellur “Djelmoshat e Pritës së Përudhës” më 28 maj, u bënë ngjarje me influencë të madhe për mobilizimin e Anadrinit, prandaj edhe në Rahavecin e rezistencës kombëtare doli një plejadë trimash që nuk e duronin turpin e dhunës dhe të shtypjes.
Në këtë vistër sokolash të Anadrinit, në luftë kundër pushtuesit okupues serb, të ndihmuar edhe prej shqipfolësve, mori përjetësinë edhe Xhevat Ymer Kasapi, i lindur e i rritur në Rahavec.
Dëshmori i kombit Xhevat Kasapi është i lindur më 27 dhjetor të vitit 1972, në Rahavec. Rrjedh prej një familljeje kopshtarësh të vyeshëm, bujq të mirë të Anadrinit, por edhe me traditë për pjesëmarrje në shumë ngjarje që lidheshin me Lëvizjen Kombëtare. I ati i Xhevatit, Ymer Kasapi, i punësuar në ish-Bashkësinë e Arsimit, kishte shumë fëmijë, prandaj edhe mundësitë për t’i shkolluar i kishte shumë të kufizuara. Kështu Xhevati, shkollën fillore e mbaroi në vendlinje. Po aty vazhdoi edhe shkollën e mesme dhe sajoi lidhjet e para me djelmoshat e veprimtarisë ilegale që asokohe kulmonte së vepruari si “Ilegale e Anadrinit” e në krye të të cilës ishin: Mensur Zyberaj, Bedrush Gashi me të vëllanë Feimin, e Abdullah Bugari me Mizahir Ismën, sot të gjithë dëshmorë të kombit. Me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Anadrinit dhe me formimin e Batalionit të Rahavecit, Xhevat Kasapi jep betimin e luftëtarit të lirisë në fshatin Astarup të Malishevës dhe pati rastin për t’i parë me sy luftëtarët për të cilët kishte ëndërruar. U takua me Ismet Jasharin-Komandant Kumanovën, Daut Haradinajn, Ibrahim Mazrekun, Sadik Shalën dhe profesorin e tij të dashur Hamdi Berishën. Dhe kështu filloi një jetë e re për Xhevat Ymerin, të hollë, të zeshkët, me pak mustaqe e shumë pak mish në faqe që ta jepte imazhin e Kamanit të Naim Frashërit.
Me vlerësimin e komandant Xhelal Hajdës-Tonit, sistemohet në skuadrën logjistike “Dallëndyshet”, merr udhë kah Shqiponja e Agim Zenelit, Dushkaja e Fadil Nimanit dhe Gllogjani i Haradinajve dhe arrin në Bajram Curr. Dëshiron që të armatoset vetë, por edhe t’i pajisë me material luftarak edhe shokët. Këtë e arrin me udhëtimin që bëri së bashku me Mizahir Ismën, Nysret Cenën, Ajet Cenën, Vllaznim Ismën, Dritan Alirifën, Sheqajdin Dakën, Ismet Miftarin dhe Dritan Rexhën, të gjithë nga Rahaveci.
U printe Mizahir Jetullah Isma, sot dëshmor i kombit. Në Gllogjan Xhevati bashkohet me “Djemtë e Dukagjinit” dhe të gjithë, pasi armatosen, kthehen pa një therrë në këmbë sërish në Gllogjan e së andejmi në Rahavec.
Xhevat Kasapi ishte ndër luftëtarët e përgatitur mirë moralisht dhe të stërvitur, me kondicion të kënaqshëm fizik, prandaj me ëndje si në dasmë pranonte çdo detyrë që merrte prej Tonit e Micit. I shtohej krenaria djaloshare kur shokët ia thoshin këngës “Ishin mledh nja shtat-tet’ vetë”, e Xhevatit ia bënin se ishte si Kamani i Naimit. Xhevati ishte zemërçelik prandaj nuk trembej nga hordhitë e Arkanit, prej bandave të shfrenuara serbe të vojvodë Sheshelit e të Frenki Shimatoviqit, të cilët qenë vendosur afër shtëpisë ku ishte i lindur Xhevati. Paramilitarët bënin “qejf e qeder” në Hotelin “Park” të Rahavecit, por u mungonte guximi të ngjiteshin kah “Rrasat”, madje as të patrullonin nëpër segmentin e rajonales Malishevë-Rahavec, prej Rrasave deri te Ura e Aliagës, sepse këtej patrullonte Xhevat Kasapi me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pasi u kthye me armatim nga Bajram Curri, Xhevati pozicionohet nëpër istikame që shtriheshin bri “Arave të Dulës”, nëpër “Lugun e Shqipeve”, në “Majën e Shkodranit” dhe patrullonte prej “Rrasave të Rahavecit” kah “Ura e Aliagës” nëpër “Lugjet e Remnikës e të Zhdredhës, e vepronte për të mobilizuar sa më shumë djelmosha të lagjes në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Xhevat Kasapi, së bashku me Xhafer Nurkasën, dëshmor i kombit, merr pjesë në shumë aksione guerile vendbanimeve përreth Rahavecit dhe në Rahavec e Fortesë (ish-Bellacërkë). Gjatë luftimeve të Rahavecit, Xhevat Kasapi gjendet në pikat më të zjarrta të luftës frontale, së bashku me Gëzim Mullabazin, Samir Nurkasën, Xhafer Nurkasën, Hamdi Berishën, Agim Çelën, Sadik Shalën e Afrim Krasniqin, sot të gjithë dëshmorë të kombit. Shkëlqeu veçanërisht gjatë luftimeve në “Harkun e zjarrtë” afër “Grykës së Ibrës”, “Kah Tabelat”, “Nën Krastë”, në “Krahishtë” e deri në “Klysyrë”, ku gjetën vdekjen shumë paramilitarë serbë. Xhevat Kasapi u shqua për trimëri dhe vendosmëri me rastin e tërheqjes së popullatës nga Rahaveci i djegur, me shumë të vrarë e tërësisht të plaçkitur. Xhevatit nuk i shembet morali as te “Ujësjellësi i Rahavecit” në luftimet e 18 korrikut kur marrin përjetësinë dëshmorët: Agim Çelaj, Sadik Shala, Limon Gegaj, Faik Rama, Bajram Veliu, Hamdi Berisha e Afrim Krasniqi, e as pas marrjes së lajmit për rënien heroike të Gëzim Hamzës – Piktorit e Abdullah Bugarit. E preku thellë rënia e Arian Brahimit – Shkodranit, i cili kishte ardhur prej Shqipërie për t’u ndihmuar vëllezërve të një gjaku e për ta marrë përjetësinë në “Majën e Bardhë”, e cila prej asaj dite mori emrin “Maja e Shkodranit”. Edhe pas të gjitha këtyre luftimeve dhe rënieve, Xhevat Kasapi forcohej edhe më shumë sepse e ushqente urrejtja e madhe ndaj pushtuesit dhe shpresa për fitore dhe çlirim me luftë të armatosur.
Batalioni i Rahavecit edhe pas luftimeve në Rahavec, i pathërmuar dhe shumë i konsoliduar, përfundimisht tërhiqet prej “Rrasave të Rahavecit” dhe rivendoset në vendin e kazermimit në “Lugun” jo larg “Kërshit të Keq”. Por tashmë në krye të batalionit gjenden dy dragonj: Xhelal Hajda – Toni e Selajdin Mullabazi – Mici, të cilët edhe më tej pretendojnë për t’u vendosur te “Rrasat e Rahavecit” e që nënkupton edhe rimarrjen e Rahavecit të djegur e të shkrumbuar.
Sipas vlerësimeve të hollësishme dhe vendimit të prerë të komandant Tonit, “Kërshi i Keq”, “Lugu i Shqipeve”, “Podi i Dushkajës” dhe “Arat e Dulës”, si pika permenente, ku ishte vendosur Ushtria Çlirimtare e Kosovës pas tërheqjes prej Rahavecit, duhet të kenë funksion defansiv dhe duhet të priten, sepse me prerjen e tyre do të pengoheshin kanibalët e Arkanit, bandat e Sheshelit dhe tigrat e Zoran Stanishiqit që të bërlyken kah Malisheva.
Depërtimi kah Malisheva, për Xhelal Hajdën-Tonin do të thoshte edhe një kasaphane mbi popullatën e Rahavecit dhe të Llapushës, e cila ishte vendosur dhe jetonte nëpër fshatrat e komunës së Malishevës dhe gëzonte mikpritjen e madhe të banorëve të Llapushës. Së këndejmi, forcat serbe patjetër duhet të luftohen pavarësisht prej pozicioneve që i kishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës pas rënies së Rahavecit. Kështu vendoset harku mbrojtës me prirje për avancimin në trajtë shigjetash kah Rahaveci për t’i kthyer pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në “Rrasat e Rahavecit”. Kështu, edhe në këtë hark defansiv, më 25 korrik të vitit 1998 marrin përjetësinë dëshmorët: Xhevat Nurkasa, Ruzhdi Xhuliqi, Samir Nurkasa, Habib Berisha, Xhevat Kasapi e Gëzim Mullabazi. Kjo është ndër betejat më të përgjakshme e zhvilluar në “Lugun e Shqipeve” në të cilin thyhen forcat serbe.
Trupat e pajetë të dëshmorëve të betejës në “Lugun e Shqipeve” përcillen me nderime të larta ushtarake nëpër vendlindjet e tyre: Gurbardh, Marali e Qypevë, ndërsa dëshmorët e Rahavecit, Xhafer Nurkasa, me djalin e axhës Samirin, me Gëzim Mullabazin e Xhevat Kasapin, vendosen në “Varrezat e Malishevës”. Pas përfundimit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, trupat e masakruar e të djegur të dëshmorëve të Rahavecit, prandaj edhe trupi i Xhevat Kasapit, sillen në Rahavec dhe përcillen me ceremoni për në krye të “Lugjeve të Verdha”, sot “Kopshti i Dëshmorëve”. Tash në “Lugun e Shqipeve”, jo larg Rahavecit, në lapidarin e dëshmorëve të 25 korrikut shkëlqen edhe emri i Xhevat Kasapit, bri të cilit ka edhe shënime modeste të mbuluara me lule të freskëta dhe mbi lapidar valëvitet flamuri që flet se sa e shtrenjtë ishte Kosova për Ata që morën përjetësinë dhe për të gjithë ne që mbetëm.
Edhe për Xhevatin janë thurë vargje poezish e janë kënduar rapsodi, ndërsa një rrugë e Rahavecit të Tonit e Micit, ruan emrin e nderuar të dëshmorit të kombit Xhevat Kasapi. (S. C.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …