Xhevdet Ali Krasniqi (5.4.1970 – 6.6.1999)

Xhevdet Ali Krasniqi (5.4.1970 – 6.6.1999)

Dëshmori i kombit Xhevdet Kasniqi u lind më pesë prill të vitit 1970, në fshatin Vajnik të Komunës së Skënderajt. Prindërit e tij Ali e Fatime Krasniqi lindën e rritën tetë fëmijë, tri vajza e pesë djem: Sadijen, Fatimen, Xhemilen, Mehmetin, Ahmetin, Muhametin, Xhevdetin, Fajmetin dhe Haxhiun. Xhevdeti ishte fëmija i katërti në radhën e vëllezërve të tij.
Familja e dëshmorit Xhevdet Krasniqi përgjatë gjithë historisë së saj ka qenë e ndershme, bujare dhe mikpritëse dhe asnjëherë nuk ishte pajtuar më pushtuesit të ardhur e të ikur nga këtu, madje në çdo kryengritje, në çdo luftë nga kjo familje kanë dalë djem trima që ia kanë kthyer pushkën armikut. Edhe në luftën e udhëhequr nga ushtria e lavdishme çlirimtare kjo familje dha dëshmorë e martirë.
Xhevdet Krasniqi shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa të mesmen në shkollën “Abedin Rexha” (ish-”Liria”) në Turiqevc të Skënderajt. Si çdo i ri edhe ai, gjatë viteve të ‘90-të të shekullit 20 ka marrë pjesë në demonstratat që zhvilloheshin me qëllim të kundërshtimit të regjimit kriminal të Serbisë i cili punonte me elaboratin e persekutimit dhe shfarosjes së shqiptareve të Kosovës.
Më daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997 në varrimin e mësuesit dëshmor Halit Geci, në Llaushë të Skënderajt, Xhevdeti inkuadrohet në radhët e UÇK-së. Ndërsa në fillim të vitit 1998, pas rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe Jasharajve të tjerë, u bë më se e qartë së nuk kishte alternativë tjetër për liri përveç luftës së armatosur çlirimtare.
Ai i bashkohet grupit të parë të luftëtareve të Vajnikut të cilët udhëheqshin nga komandanti Abedin Rexha – “Sandokani” dhe shkon në Shqipëri për furnizim me armë e municion.
Ai kryesisht ka operuar në fshatin e tij të lindjes në Vajnik, por ndërkohë edhe në fshatrat përreth, atje ku e kishte kërkuar nevoja, në kuadrin e brigadës 112 “Arben Haliti”. Me bashkëluftëtaret e tij disa herë i ka sulmuar forcat serbe të vendosura në fshatrat Turiqevc e Burojë.
Më datën 6 qershor të vitit 1999, kur forcat serbe ishin afër kapitullimit para sulmeve të furishme nga të gjitha anët, pasi UÇK-ja i sulmonte nga toka e NATO nga qielli, atë ditë ata, të tmerruar, ndërmarrin një ofensivë të fuqishme afër fshatit Rakinicë ku ishin të vendosur shumë civilë të paarmatosur dhe për ta parandaluar një masakër tjetër të madhe në Drenicë siç ishte ajo e Izbicës dhe e Rezallës, UÇK-ja u kundërpërgjigjet me zjarr forcave serbe. Në ato luftime bie heroikisht në fushën e nderit luftëtari i lirisë Xhevdet Krasniqi. Trupi i tij fillimisht është varrosur me nderime ushtarake në vendin e rënies, në fshatin Rakinicë. Pas përfundimit të luftës trupi i dëshmorit është rivarrosur në varrezat e këtij fshati. Vetëm gjashtë ditë pas rënies së Xhevdetit, Kosova u çlirua përfundimisht dhe thundra e okupatorit serb. Nga familja e tij, për lirinë e Kosovës u përjetësuan edhe tre familjarë të tjerë. Atij i është ngritur lapidari në fshatin Rakinicë pikërisht aty ku ai e liroi frymën e fundit dhe hyri në përjetësi, vetëm e vetëm që Kosova dhe fëmijët e tij të jetojnë të lirë, gjithashtu për këtë dëshmor është ngritur edhe një lapidar në fshatin e lindjes në Vajnik, po në këtë fshat një rrugë është emërtuar më emrin e tij.
Xhevdeti ka qenë i martuar dhe pas vetes ka lenë bashkëshorten Ganimeten me fëmijët: Albulenën, Albanën, Albanin dhe Ardianën të cilët janë rritur krenarë që babai i tyre ka renë për çlirimin e Kosovës. Moment simbolik ishte data 21 korrik e vitit 2016, kur djali i vetëm i dëshmorit, Albani, në ditën e dasmës së tij e kishte veshur komplet uniformën e tij. (L. D.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …