leoni

Spartak Braho

Xhevdet Shehu: Intervistë me deputetin socialist, Spartak Braho

 – Zoti Braho, ju keni qenë një nga deputetët dhe politikanët më të angazhuar në mbrojtjet të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të dëshmorëve të saj. Aktualisht jemi në pikun e kremtimit të 75-vjetorit të çlirimit të atdheut. Prej më shumë se një jave janë vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” portretet e 100 heronjve të Popullit dhe dëshmorëve të luftës antifashiste, gjë që ka ngjallur reagime të ndryshme, pro dhe kundër. Si e vlerësoni ju këtë gjest zyrtar?

– Është një gjest normal dhe i mirëpritur nga shumica e shqiptarëve. Na futi realisht në atmosferën e festës së çlirimit, një nga ngjarjet më të shënuara të popullit shqiptar. Një gjest i tillë meriton veçse të përshëndetet. Kush e bëri? Unë them unë se e bëri Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili ka mbajtur një qëndrim të qartë pro luftës antifashiste. Por ai ka bashkëpunuar edhe me qeverinë e madhe, më saktë me Erion Braçen, zëvendëskryeministrin që është njëherësh dhe kryetar i komisionit qeveritar për 75-vjetorin e çlirimit. Pra është vepër e dy Erionëve. A ka vërejtje dhe a mund të ishte bërë më mirë? Natyrisht. E mira nuk ka fund. Unë kam kritikuar qëndrimin qeveritar për një sërë ngjarjesh historike që u përkujtuan gjatë këtij viti, si mospjesëmarrje të zyrtarëve të lartë të shtetit në festat e çlirimit të qyteteve, në përvjetorin e brigadave partizane apo në atë të Kongresit të Përmetit. Nuk mundet që mazhoranca e majtë qeverisëse të përfaqësohet në të tilla aktivitete të rëndësishme vetqëm me Erionët dhe Gramoz Ruçin. Po të tjerët? Po Kryeministri Edi Rama pse nuk ka shkuar në asnjë nga kremtime përkujtimore që i bëjnë nder historisë sonë? Le të shpresojmë se kjo është një mungesë vëmendjeje e përkohshme dhe ta ndreqë në ditët që vijnë. A do t’i nderojë Edi Rama dëshmorët me grushtin lart më 29 nëntor? Le të presim. Do ndreqë një biografi të dyshimtë të tij. Por kjo nuk më pengon të them fjalë të mira për këtë gjest me vendosjen e portreteve të 100 Heronjve të Popullit dhe të dëshmorëve të atdheut në Bulevardin e madh që mban emrin e tyre. Duhet të themi se antifashizmi na bën nder ne shqiptarëve. Ky nuk është thjesht në slogan, është një realitet dhe një vlerë kombëtare, por edhe paneuropiane.

– Ç’është për ju antifashizmi, trend apo ideologji komuniste? E bëj këtë pyetje pasi disa thonë se përkujtimi i luftës antifashiste është nostalgji komuniste…

– Antifashizmi nuk mund të barazohet me ideologjinë komuniste. Ata që e bëjnë vënë këtë shenjë barazimi e kanë kryekëput gabim. Bisha fashiste e naziste u mund e u mbyt nga aleanca e madhe antifashiste anglo-sovjeto-amerikane, pavarësisht se barrën më të madhe e mbajti ushtria e kuqe nën udhëheqjen e Stalinit. Përballë bishës hitlerianë u bashkuan në një front kundërshtarët ideologjikë, sikurse ishte Ruzvelti e Çërçilli me Stalinin. Pra unë them se antifashizmi është një trend që nuk ka të bëjë me ideologjinë komuniste. Është një trend botëror madje. Mund të ketë ringjallje dhe shfaqje të falangave fashiste, por kjo nuk do të thotë se ato përbëjnë trend. Ju kujtoj se Peteni në Francë ishte heroi i Francës në Luftën e parë Botërore, por kur ai u bashkua dhe bashkëpunoi me pushtuesit në Luftën e Dytë, u dënua me vdekje nga qeveria franceze në mbarim të saj dhe i shpëtoi për fije ekzekutimit, ndërsa dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm. Kështu edhe tek ne. Antifashizmi ka qenë dhe do të mbetet një trend i përhershëm, pavarësish disa pipizaneve që duan të baltosin luftën tonë antifashiste. Le të kujtojmë një fakt historik. Luftën për mbrojtjen e Republikës së Spanjës nga fashizmi i Frankos, në të cilën u rreshtuan mijëra luftëtarë antifashistë nga 53 popuj të botës, amerikanë, anglezë, francezë rusë etj. Patën edhe shqiptarët e tyre luftëtarët antifashistë,mjaft prej të cilëve edhe u vranë si heronj në atë luftë. Të tillë qenë Mehmet Shehu, Petro Marko, Mane Nishova, Asim Vokshi, Ramiz Varvarica, Justina Shkupi e dhjetëra të tjerë. A pati ndonjë “ballist” apo legalist në Spanjë nga Shqipëria? Jo! Prandaj kam thënë dhe them me plot gojën se antifashizmi ka qenë dhe mbetet një trend i rinisë evropiane dhe shqiptare, si në atë kohë, edhe në këtë kohë edhe në të ardhmen.

Le të kthehemi edhe njëherë tek portretet në Bulevard. Ai keni lexuar reagimet e disa historianëve, analistëve dhe të A. Tufës dhe ç’ përshtypje u kanë lënë?

– I kam lexuar, por nuk më bëjnë përshtypje. Madje e prisja që ata do të reagonin në mënyrë të tillë. Ata i quajnë “kriminelë” heronjtë dhe dëshmorët. Por a ka turp më të madh? A mund të pranohet se portretet e atyre që janë varur në Bulevard janë “kriminelët” e dy Erionëve? Sidomos flagrant është qëndrimi i drejtorit të institutit për krimet dhe pasojat e komunizmit. Unë e kam thënë disa herë se nuk merrem me një individ si Tufa. Unë merrem me institucionin që ai përfaqëson. Ky institucion financohet nga shteti. Këtu qëndron problemi. Unë si deputet, si një familje dëshmorësh, nuk do të lejoj kurrë nxirjen e të vërtetave historike dhe të hidhet baltë mbi atë luftë të lavdishme dhe dëshmorët e saj. Për më tepër në këtë 75-vjetor të çlirimit kur një popull i tërë përulet me nderim para veprës së dëshmorëve të atdheut. Prandaj dhe bie më shumë në sy Tufa, një skizofren historian si Çelo Hoxha e ca kokrra si ata. Ky është paradoksi. Ka një vit që vazhdon avazi i tij dhe në vend që të shkarkohej urgjentisht, vazhdon të broçkullisë lart e poshtë, madje i kundërvihet hapur edhe qeverisë që vazhdon ta financojë me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Kjo është për të vënë kujen, është një sinjal i fortë për vetë Edi Ramën. Edi Rama duhet të pranojë nëse janë kriminelë Qemal Stafa e Vasil Shanto, Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Zonja Çurre, Hibe Palikuqi, Margarita Tutulani, Liri Gero, Mine Peza, dhe dëshmorë të tjerë, portretet e të cilëve i ka poshtë dritares së zyrës së tij, ose t’i tregojë vendin Tufës me shokë.  Ka pasur 6 mijë vajza dhe shoqe partizane në atë luftë antifashiste. Të gjitha ishin heroina. Po Balli Kombëtar dhe “ushtria e famshme” e tij a ka patur ndonjë grua në radhët e tij. Asnjë për nishan. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe…

– A është i mjaftueshëm vendosja e këtyre portreteve në Bulevard apo prisni më shumë?

– Natyrisht që prisja dhe pres më shumë. Fjala vjen, krahas portreteve të heronjve dhe dëshmorëve antifashistë, Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit” duhej të buçiste për një muaj me radhë nga këngët dhe marshet antifashiste partizane. Ndërsa gjesti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës mund të shumëfishohej dhe të shërbente si shembull edhe për bashkitë e tjera të vendit. Çdo rreth e qytet ka heronjtë dhe dëshmorët e tij dhe si në Tiranë, mund të bëhej edhe në Vlorë, në Fier, në Durrës, në Korçë, në Elbasan, në Gjirokastër e në Shkodër. Por kam marrë vesh se deri më 29 nëntor do të ketë edhe shumë aktivitete të tjera, si konferenca, koncerte, ekspozita, shfaqje filmash etj. Kjo do ta bënte edhe më të bukur këtë atmosferë dhe do ta pastronte mjedisin nga ndotjet ideologjike neofashiste, antihistorike dhe regresive që shfaqen në disa ekrane apo faqe shtypi.

– Zoti Braho, ka nga ata që mendojnë se në Bulevard mund të vendoseshin edhe portretet e heronjve dhe dëshmorëve të Ballit dhe të zogistëve. Pse mos të ishin edhe ata aty?

– Dakord. Nuk jam kundër kësaj ideje. Por më përpara duhet të gjejmë se ku janë dëshmorët dhe heronjtë e Ballit dhe Legalitetit? Çfarë betejash kanë bërë? Ku i kanë këngët dhe formacionet luftarake të asaj kohe? Le të na thonë se ku i kishte bazat Balli, betejat që ka bërë dhe kundër kujt ka luftuar? Ku e kishte selinë Shtabi i Ballit dhe nga ku komandonte forcat e tij Mit’hat Frashëri? Ku ishin spitalet për të mjekuar luftëtarët ballistë? Janë ca pyetje që duan me doemos përgjigje. Të na i tregojnë dhe hajde t’i vendosim edhe ata. Jam gati të propozoj që të vihen edhe pllaka përkujtimore atje ku e kanë shkruar historinë e tyre ballistët. Por mendoj se të parët do të zhgënjeheshin vetë pinjollët e ballistëve dhe zogistëve të djeshëm. Sepse të gjithë e dinë historinë. Dhe historia ballisto-zogiste është e turpshme, është histori e kolaboracionistëve dhe është në anën e zezë ë asaj periudhe. Historia e tyre nuk mund të bëhet e bardhë dhe e ndritur pas 75-vjetësh. Është thënë e stërthënë kjo, po hajde t’u mbushësh mendjen Tufës, Butkës, Çelos apo Gurakuqit e disa të ashtuquajturve historianë të Akademisë së Shkencave.Të gjithë këta janë veçse neofashiste “modernë”, falsifikatorë të historisë. Elaborimi i “intelektualit albanolog” Mit’hat Frashëri ishte një gjest jo serioz dhe antihistorik i Kryeministrit të tashëm. Mit’hati, pavarësisht këtyre vlerave të trumbetuara bujshëm si studiues, mbeti në histori si kolaboracionist dhe kriminel lufte, i dënuar edhe nga gjykatat ndërkombëtare. Kam dëgjuar së këtë qëndrim Kryeministri e mbajti nën ndikimin e Uran Butkës, i cili e gënjeu. Gjynah! Si ka rënë viktimë e Uranit Edi Rama? Të shpresojmë se ndonjë ditë do ta mësojë të vërtetën historike.

Akademia e Shkencave, e cila para tre muajve është kritikuar rreptë për platformën e një konference shkencore, ku nuk përmendej LANÇ-i dhe flitej për antifashizmin pa armë dhe pa uniformë, do ta mbajë konferencën e saj më 14 nëntor. Ju do të shkoni në atë konferencë?

– Kam një premtim për një ftesë nga Akademia e Shkencave dhe një ftesë reale nga Organizata e Dëshmorëve të atdheut. Nëqoftëse do të bëhen në të njëjtën ditë, unë do të shkojë te kjo e dyta. Po atë ditë do të zhvillohet një aktivitet në Muzeun Historik Kombëtar ku do të përurohet libri “Pena të Lirisë” me krijime të autorëve dëshmorë. Unë do të shkoj te kjo veprimtari për dëshmorët. Më kanë thënë se Akademia e ka korrigjuar platformën e konferencës së saj. Uroj dhe dëshiroj ta ketë bërë për së mbari, pasi është veprimtari shtetërore dhe shpreh një qëndrim zyrtar. Po folën për heroizma ballistësh e zogistësh, po mohuan sadopak luftën antifashiste nacionalçlirimtare, do të bëjnë një gabim të pafalshëm, një vetëvrasje që do t’u kushtojë shtrenjtë. Ne këtu jemi dhe do të reagojmë.

– Ajo që kontestuesit e nderimit të heronjve dhe dëshmorëve thonë dhe diskutojnë është se këta tituj heronj dhe dëshmorë janë dhënë në periudhën e viteve të socializmit, pra nga udhëheqja dhe organet komuniste të kohës. A duhet marrë në konsideratë mendimi i tyre dhe a duhen rishikuar këta tituj?

– Në radhë të parë duhet sqaruar përfundimisht fakti se titullin “dëshmor” apo “hero” ata e kanë marrë që ditën që kanë dhënë jetën për atdhe. Akordimi i këtyre titujve zyrtarisht ka qenë tërësisht i merituar. Kush mund t’i vërë në dyshim këta tituj dhe pse. Cili komision pas 75 vjetësh do të guxonte t’ia hiqte titullin “Dëshmor” dikujt, për t’ia dhënë një tjetri? Po, unë jam që mund të rishikohen raste të veçanta për individë që janë vrarë për kauzën e luftës antifashiste por që nuk iu është dhënë deri më sot. Edhe ata e meritojnë të konsiderohen dhe të nderohen si dëshmorë të atdheut. Vetëm shtrimi i kësaj pyetjeje hap shumë diskutime. Kanë folur pse janë varur në bulevard portretet e disa heronjve që janë vrarë pas vitit 1949. Unë po shtoj edhe një fakt tjetër: Si t’i quajmë ata 46 ushtarë dhe ushtarakë që u vranë në vitin 1949 nga të ashtuquajturat provokacione greke që deshën të na pushtonin? A nuk e meritojnë edhe ata një vend në panteonin e lavdisë së atdheut? Ata u mbrojtën për të mbrojtur sovranitetin e këtij vendi. A nuk e meritojnë t’i nderojmë? Si mund t’i mohohet nderimi një kapiteni si Memo Nexhipi që ra në krye të detyrës në postën e Bilishtit? Atij, Memos, i janë ngritur këngë qysh në atë kohë… A nuk meritojnë të nderohen 10 Këshilltarët e Hekalit tënd, i dashur Xhevdet, që u vranë nga një ballist e kriminel lufte si Isuf Hasani? Jam i sigurt që ti nuk i harron, pasi është një popull i tërë që i nderon.

– Edhe një pyetje zoti Braho për një çështje që diskutohet ditët e fundit. A duheshin vendosur në Bulevard portretet e Heronjve si Fejzi Micolli, Nuri Luçi e të tjerë që kanë rënë pas 29 nëntorit 1944?

– Bëtë mirë që më pyetët për këtë. Unë jam i mendimit se është bërë mirë që janë vendosur edhe portretet e disave që kanë dhënë jetën e tyre pas 29 nëntorit 1944. Sepse vërtet lufta kishte mbaruar, por betejat vazhdonin me forca të reaksionit që kërkonin përmbysjen e fitores së 29 nëntorit. Këta heronj dhe dëshmorë e kanë dhënë jetën si të gjithë dëshmorët e tjerë të Luftës Antifashiste. Ata ishin në formacionet e para ushtarake për mbrojtjen e popullitqë u ngiten pas luftës. Simund të mohohet sakrifica e tyre sublime. Po ju kujtoj më këtë rast të gjithëve atyre që janë kundër vendosjes së portreteve të këtyre dëshmorëve, atë se çfarë ka thënë shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare për ta.

Ismail Kadare ka shkruar tekstualisht kështu:

Ishin vitet e para të Çlirimit. Në gjithë Shqipërinë kishin filluar aksionet e mëdha të jetës së re: rindërtoheshin urat, u ndaheshin tokat bujqve, bëheshin votimet e para, mësoheshin gërma dhe këngë të reja. Veprimet luftarake kishin pushuar, kurse ata, heronjtë e këtyre librave vazhdonin ende të ishin partizanë: partizanë, jo në kuptimin simbolik të fjalës, ashtu siç qe në atë kohë populli ushtar, ashtu siç bëjmë përpjekje për të mbetur ne të gjithë edhe sot pas tridhjetë vjet çlirimi, por në kuptimin më real të saj: me pushkë në krahë, me bombë në brez, me syrin pishë. Ata ndiqnin mbeturinat e bandave armiqësore, diversantët, kriminelët, tërë llumin e reaksionit më të zi, të jashtëm e të brendshëm që ende vërtitej në malet tona. E ndiqnin në dimër e në tufan, rrugë e pa rrugë, natën e ditën, me pushkë në krahë, me bombat në brez… si partizanët. Ata ishin partizanë, në emër, në ideale, në gjithçka. Vetëm se duhej të hiqnin dorë nga një shoqëruese e pandarë e jetës partizane: nga kënga. Ata nuk mund të këndonin këngët e mrekullueshme partizane, duhej t’i mbanin ato përbrenda tyre, sepse ata duhej të ishin të heshtur. Ata duhej të ishin të heshtur sepse e tillë qe veçoria e misionit të tyre. Të ftohtit, dimrit, natës, këtyre vështirësive të jetës partizane i shtohej vështirësia e mungesës së këngës. Heronj të heshtur. Ata s’mund të këndonin për vete dhe ne s’mund të këndonim për ta, një pjesë të tyre, s’mund t’ua përmendnim as emrin, sepse e tillë qe veçantia e misionit të tyre.”

Le ta vemi pikën këtu për sot. Mendoj se do të kemi raste të tjera për të folur mbi këtë temë.

Me këtë rast, i drejtohem kryetarit të grupit socialist në Kuvend Taulant Balla: Përse ka 5 muaj që është bllokuar ndryshimi i ligjit për Institutin e Studimit të Krimeve të Komunizmit, ndryshim që ia heq të drejtën këtij instituti antikombëtar të merret me periudhën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare 1939-1944. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …