Xhevdet Shehu: Vandalizohen varret e 35 dëshmorëve të Atdheut në Korçë

Xhevdet Shehu: Vandalizohen varret e 35 dëshmorëve të Atdheut në Korçë

Të premten, më 25 mars, në qytetin verilindor të Korçës ndodhi  një akt i shëmtuar. Duke gdhirë ajo e premte, në gjysmerrësirë, nga persona ende të panjohur, u dhunuan varret e 35 dëshmorëve të atdheut të këtij qyteti. Presim që shteti t’i gjejë dhe t’i ndëshkojë këta vandalë. Sepse ata nuk janë thjesht dhunues varresh të dëshmorëve; janë zjarrvënës të historisë dhe kujtesës sonë kombëtare.

Nuk është një akt krejtësisht i ri, pasi kështu ka ndodhur në Shkodër e në Tropojë, në Tiranë e Fier. Etiketimi i autorëve si vandalë është i pamjaftueshëm për ta ndalur këtë të keqe që vazhdon të përsëritet nga viti në vit.

Kryetari i Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, ndërsa më solli edhe fotografi nga ky akt vandal, më tha se: “Këtë fundjavë jave morëm njoftim nga kryesia e Organizatës tonë në Korçë për një gjest të rëndë, të qëllimshëm, të dënueshëm nga ana ligjore. Kanë dhunuar 35 varreza të dëshmorëve të atdheut në qytetin e Korçës. Ne si organizatë herë pas here jemi ndeshur me këtë frymë e të tilla akte fashiste. Kjo dukuri po shfaqet në vazhdimësi duke dëmtuar simbolet e dëshmorëve te atdheut.

Ndërtimi i simboleve të dëshmorëve dhe varrezave të tyre janë bërë me vendime të pushtetit vendor e qendror gjatë gjithë periudhave. Edhe inventari i tyre gjendet tek pushteti, është pasuri e kombit dhe ka ligje në mbrojtje të tyre.

Ne si Organizatë Kombëtare për Dëshmorët e Atdheut kërkojmë nga shteti, duke filluar nga parlamenti e qeveria, të dënojnë realisht këtë frymë dhe këto vepra që dëmtojnë qëllimshëm e në vazhdimësi me shpirtin e urrejtjes, flakin eshtrat e dëshmorëve, rrëzojnë lapidarin e Heroit të Popullit Qemal Stafa në vendin e rënies Tiranë, apo lapidarin e heronjve Muhamet Gjollesha e Shyqyri Ishmi, që nga 3 metro i lartë që ishte e kanë degdisur poshtë një tavoline restoranti me dimensione 0.5 me 0,7 të metrit.

Dëshmorët na kanë dhënë e na japin dinjitet e krenari kombëtare. Ne familjet e dëshmorëve kërkojmë që më shumë të na dëgjojnë ata që e kanë për detyrë dhe të mos ndodhë që protokolli i shtetit të na ndalojë sikurse ka ndodhur rëndom të vëmë kurorën me lule më 29 Nëntor pasi të mbarojnë personalitetet shtetërore.

I bëjmë thirrje të veçantë Parlamentit për organizimin e një interpelance me Qeverinë dhe të merren masat e duhura për të ndaluar këto veprime të dënueshme dhe për problemet e shfaqura në vazhdimësi. Ne si Organizatë Kombëtare e kemi shpallur vitin 2022 vitin e Qemal Stafës, me rastin e 80-vjetorit të rënies së tij”.

Vitin e kaluar, drejtori i Arkivave të Shtetit bëri një deklaratë skandaloze dhe të padëgjuar. Ky djalosh anonim që nuk dihet se si është emëruar në këtë post të rëndësishëm shtetëror dhe që çuditërisht vazhdon ende ta mbajë prej pesë vjetësh, deklaroi se: “Miti i Qemal Stafës është një ndër mitet më absurde që kemi ne. Nuk kemi të bëjmë me një akt heroik…”. Por ç’u bë më pas? Asgjë. Shteti për sikur nuk dëgjoi, deputetët heshtën… Ndaj dhe vandalët ndihen të trimëruar dhe nuk dinë të ndalen, pavarësisht se shumica e këtij populli që voton këta që votohen sepse nuk kanë kë të votojnë tjetër, kërkon t’i vihet fre kësaj dore dhe kësaj mendësie neofashiste! (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …