Në bisedën për shikuesit e Televizionit Dielli dhe dëgjuesit e Radios-Kosova e Lirë Xhyhere Vezaj-Maçkaj solli disa kujtime nga jeta e saj.
“Jam Xhyhere Vezaj Maçkaj, kam lindur në fshatin Muradim të komunës së Prizrenit. Kemi qenë 10 fëmijë në familje, unë jam e teta me radhë. Shkollën fillore e kam kryer në fshatin Vlashne.
Mandej sipas zakoneve të kohës, traditave tona jam martuar në moshën 17 vjeçare me Selver Maçkaj, në Prizren. Në jetën bashkëshortore me Selverin kam lindur tre fëmijë: Florentin, Silvanën dhe Jaserin. Në vitin 1998 Selverin e kërkojnë policia serbe me pretekst se duhet të rregullojnë një shkronjë në pasaportë, por Selveri, pasi ishte i organizuar në lëvizjen e kohës e dinte se çka e priste andaj edhe shkoi në Itali.
Me fillimin e luftës në Kosovë, Selveri kur u dha kushtrimi për luftë erdhi dhe Ju bashkua Luftës Çlirimtare. Ne ishim në Kukës me familje. Vendosëm të dy bashkëshortët të kyçemi në luftë. Jemi paraqit në Kukës, kemi bërë stërvitje në Kalimash, por pas një kohe kur e kuptuan se kemi tre fëmijë, ata na ndanë. Bedri Hoxha ishte ai që mua më ktheu prapë. Deri vonë Bedriun e kam urryer por tash tërë atë urrejtje e kam kthyer në falënderim, sepse me të vërtet fëmijët kanë nevojë për njërin prind. Atëherë Selveri vendosi të qëndrojë në luftë e unë u ktheva tek fëmijët.
Me 24 maj 1999 isha në Kalimash, Selveri na përcolli deri tek familja Kurdinaj që e falënderoj shumë për pritjen.
Me 25 maj kanë pasur detyrë për ta thyer kufirin, unë me Florentin djalin tim asokohe 10 vjeçar e kem përcjell mandej Selverin deri në Kukës, jemi ndarë aty, mandej ata kanë vazhduar për front, nga ai moment ne nuk jemi parë më. Me 26 maj motrën e Selverit e Fazilen në moshën 31 vjeç me nevoja të veçanta serbet e kane masakruar në shtëpinë e saj, atë dhe shumë të tjerë në lagjen Tusus të Prizrenit. Me 31 maj 1999 në betejën e Gorozhupit bie heroikisht, Selver Bajram Maçkaj, shef i Ndërlidhjes Ajrore, së bashku me Shpend Berishën, komandant i Kompanisë, Sali Saramatin, komandant i Artilerisë, pastaj Gani Samarati dhe Beron Gashi, ushtarë guximtarë që ja falën jetën Kosovës. Atë natë ne e kuptuam se Selveri kishte rënë në altarin e Lirisë. Nga bashkëluftëtarët, fillimisht varroset me nderime ushtarake në Kukës, me 1 qershor të vitit 1999.
Lajmin për rënien e Selverit ma dha babai im. Erdhi në orë 5 të mëngjesit dhe i tregoi prindërve të Selverit. Njëherë u tha se Selveri është plagosur, por zemra ime ma ndiente se Selveri kishte rënë. Shkuam në spital të Kukësit dhe infermierja na dha letrën e të vrarëve dhe të plagosurve, aty e pash emrin e Selverit. Ishte moment shumë i rëndë. E luta zotin të më jepte forcë. Ne familjarët e kem pa kufomën e Selverit. Pas luftës, trupi i dëshmorit Selver Maçkaj dhe i katër dëshmorëve të tjerë rivarrosur nga Kukësi në Varrezat e Dëshmorëve, në Landovicë, me 15 shtator 1999, ku prehet në përjetësi së bashku me dëshmorët e tjerë.
Ne kishim vullnetin e çlirimit të tokave tona, nuk i kujtonim fëmijët. Selveri thoshte nëse fiton Kosova fëmijët e mi nuk heqin keq, sepse shqiptaret kanë me udhëheq Kosovën dhe fëmijët e mi nuk do heqin për asgjë. Ne nga varrimi u kthyem tek familja Kurdinaj. Pas 10 dite u bë çlirimi i Prizrenit. Me 14 qershor ne u kthyem në Prizren, shtëpitë i kishim të djegura, ne mandej u gjendem disi. Tani jetojmë në banesa për familjarët e dëshmoreve. Fëmijët e mi për fat të keq nuk e kanë vendin e meritor sepse janë me fakultete por nuk kanë punë. Vajza edhe pak ditë del jashtë Kosovës. Djali i vogël veç ka shkuar në mërgim. Mbetem me djalin e madh dhe familjen e tij, por pas 21 viteve nuk e kam besuar që fëmijët e dëshmorëve nuk do të kenë një punë.
Xhyhere Vezaj Maçkaj është autore e pesë veprave letrare artistike.
Tematika e shkrimeve të saja janë për Çlirimin e atdheut, për Dëshmorët, për Luftën etj.
Libri i parë është botuar në 1997 me titull “Mbyllur ne Kafaz”.
Libri i dytë në vitin 2000 me titull “Lot Gjak Nderim Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”
“Selver Maçkaj- Ideali i Lirisë”.
“Rruga e pavdekësisë”
Dhe libri i pestë, “Monografia për Dëshmorin Selver Maçkaj”
Para disa muajsh Xhyherja dhe një grup grash të dëshmorëve kanë themeluar shoqatën, “Gruaja e Dëshmorit” me qëllim që të kenë një adresë ato për nevojat e tyre. Me këtë rast Xhyherja tregon se ishte koha e pandemisë kur i pa nga afër gratë e dëshmorëve dhe nevojat e domosdoshme për jetën e tyre tejet të rëndë. E kam marrë si iniciative të ndihmojmë njëra tjetrën. Po besoj se do të kemi përkrahje, jemi kategori që kishim fëmijët jetim, por ne ende jemi në gjendje të rëndë. Ne marrim pension por asnjë gruaje nuk i mjafton të mbajë familjen. Deri tani 55 gra janë të anëtarësuara, në shoqatë. Ne mbajmë takime njohjeje, ishim në vizitë tek Komplekset memorial në Prekaz e Gllogjan, disa prej tyre për herë të parë vizituan varrezat. Këto gra kur takohemi dhe i çajmë hallin njëra tjetrës kaplohen nga stresi.
Jemi në rrugëtim të mbarë për përkrahje financiare. Do të hapim një degë edhe në Shqipëri. Mandej mjeket atje na kanë premtuar që mjekimet do të jenë falas. Në Zvicër me zonjën, Zahrije Zenuni Bajrami, do ta hap një pikë të tillë. Deri tani kemi arrit një gruaje të dëshmorit t’ i ndihmojmë për një operim të syve. Po të mos operohej mund edhe të verbohej ngase ishte shumë keq, me këtë rast falënderoj donatoret. Buxhet nuk kemi pasur shumë por atë kem ndihmuar atë për operim. Ne kemi shkuar në komune na ka pritur në takim drejtor i administratës z. Osman Hajdari na ka premtuar sigurimin e zyrës sepse ende nuk kemi. Drejtuese e shoqatës jam unë Xhyhere Vezaj Maçkaj, Hyse Thaçi dhe Sabrije Shala pra që të tria gra të dëshmorëve.
Në xhirollogarinë tonë kemi pak mjete. Kemi bashkëpunim me shoqatën “ Jetimat e Ballkanit” pastaj me “Shoqata e Bashkuar”. Për festën e Bajramit kemi shpërndarë ndihma për familjet në nevojë. Gratë e kanë mirëpritur shumë këtë nismë. Komuna e Prizrenit nuk ka bërë aq sa është dashur. Por sigurisht tani do te jemi zëri i arsyes. Ne i kemi rrit fëmijët i kemi shkolluar por ata janë pa punë. Ka nëna që e ka një fëmije pa punë dhe del i jashtë shtetit. Shumica e fëmijëve kane ikur fatkeqësisht. Përkrahja në Prizren është shume e zbehur.
Porosia ime dhe e krejt grave dhe familjeve është thirrja për t’ i zënë me punë fëmijët tanë. Unë kam punuar vet dhe i kam shkolluar fëmijët por jo të gjithë e kanë pasur fatin të kenë edhe bursa. Shpresoj se tani do të na kuptojnë më shumë kërkesat tona me hapjen e shoqatës. Kam parë grua dëshmori që ka vetëm një vajze dhe i mungojnë e gjërat elementare. Një fëmijë i luftëtarit të jetë në atë gjendje, është e rëndë. S’dua asgjë në jetë veç të ketë punë meritore për fëmijët e Dëshmorëve. Djali im është me fakultet punon roje në Iber Lepenc. Shpresoj se këto fjalë, që po i them në këtë bisedë në TV-Dielli dhe para dëgjuesve të Radios-Kosova e Lirë, do të trokasin në ndërgjegjen e personave përgjegjës.
Kërkojmë siguri për fëmijë.
Ju lutem siguroni fëmijët me punë.
Një ditë do Zoti dhe do të behet mire për fëmijët tanë.
Kaluam 21 vite por gjendja sociale e disa familjeve është sikur në vitin 1999 ka thënë në fund të bisedës në Studion e TV-Diellit, zonja Xhyhere Maçkaj.
( Bisedën, me shkrimtaren e veprimtaren, Xhyhere Maçkaj e realizoi redaktorja dhe folësja e TV-Diellit, Arbanë Qeriqi-Gashi)