Ylli Mece

YLLI MEÇE: KËRCËNIMI NUKLEAR RREZIK REAL, APO SUPERFUQITË I TATOJNË PULSIN NJËRA TJETRËS ?

Në situatën e sotme aktuale kur ushtria e imperializmit rus ka pushtuar një pjesë të Ukrainës, po dalin në pah si asnjë herë tjetër kontradiktat ndër imperialiste, midis super potencave të epokës tonë. Kjo nuk është aspak e papritur sepse dialektika materialiste dhe historia e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, sidomos mbas lindjes së kapitalizmit kanë vërtetuar katërcipërisht mësimet e Marksit mbi natyrën e kapitalizmit dhe sidomos përcaktimi që i ka bërë V. I. Lenini duke portretizuar natyrën e imperializmit si tejet agresive dhe si burim luftërash. Po pse imperializmi sa më shumë që zhvillohet aq më shumë agresiv bëhet ? Kjo, për faktin sepse koncentrimi i kapitalit mall-para jo vetëm rrit së tepërmi akumulimin e tyre, por në natyrën kapitaliste të prodhimit merr rëndësi të madhe shpërndarja e tij dhe për të siguruar këtë shpërndarje duhet një territor gjeografik i populluar, nga ku këto fuqi të kenë mundësinë e tregtimit të prodhimit nëpërmjet tregjeve.

Dhe ky është vetëm një element, sepse eksporti i kapitalit në thelb përmban dhe eksportin e teknologjisë në vendet e prapambetura me qëllim që krahun e punës ta paguajnë pak teksa prodhimin ta shesin me çmimet në tregun ndërkombëtar. Por nëse tregjet janë të zëna dhe nuk ka mundësi tjetër, atëherë potenca ekonomike thërret në ndihmë potencën ushtarake për të ndërhyrë me forcë atje ku nuk ka mundësi me marrëveshje. Ja pse zhvillimi i ekonomisë së luftës, rritja e arsenalit të prodhimeve ushtarake dhe eksperimentimi i llojeve të ndryshme të armëve është pjesë e pa ndarë e politikës imperialiste dhe jo vetëm kaq por dhe vet armët duhet të kenë tregun e tyre e të shpërndahen.A nuk po e vrejmë këtë aq qartë sot në Ukrainë ? Armët e vjetra nuk shkatërrohen por dhe vet ato eksportohen në vendet e tjera teksa armët e reja vihen në provë jo vetëm në poligonet e përgatitura enkas për to, por poligonet më të sakta të efektit të tyre janë vendbanimet të popujve, shteteve, kombeve e kombësive. Aktualisht sot në botë, eksportuesit me të mëdhenj në botë të armëve dhe mjeteve luftarake janë : Në vendin e parë USA me 38 % te sasisë së eksportit global në më shumë se 100 vende të botës duke mbuluar të gjitha kontinentet, e ndjekur nga Rusia me 18.6 % , Franca , 10.4% Kina 5,2% Gjermania, Italia e kështu me radhë. Shumica e vendeve blerëse të këtyre armëve janë jo vetëm të varura, por dhe satelitë të fuqive të mësipërme.

Aktualisht një vëzhgues i kujdesshëm, do të vërente se në Ukrainë po eksportohen shumë armë, mjete dhe pajisje të tjera që i shërbejnë luftës, sikurse dhe instruktorë në përdorimin e tyre. Ukraina aktualisht është shndërruar në një poligon kasapane, ku superfuqitë si ajo e USA & BE dhe vende të tjera nga njëra anë, por dhe Rusia me aleatët e vet nga ana tjetër, pikërisht nga ky vend po kërcënojnë njëra tjetrën, për një luftë të tretë botërore, për një katastrofë me pasoja apokaliptike, për përdorimin e armatimit bërthamor, nga ku që në shpërthimet e ditëve të para atomike sipas tyre, bota do humbasë më shumë se 40 milionë banorë e deri te përdorimi i ”bombave të pista” të cilat nuk janë aspak bomba me shpërthim, por janë materiale të koncentruara atomike të cilat nuk hidhen me shpërthim, por “infektohen me mbetje radioaktive” territore të tëra të cilat gradualisht zhdukin jetën njerëzve,bimëve e kafshëve. (Të mendojmë për një çast se me çfarë pasojash tragjike do të përballeshin qytetarët e Çernobilit dhe rrethinave të tij nëse nuk do ishin larguar të gjithë njerëzit prej këtij qyteti nga shpërthimi tragjik i centralit bërthamor në pranverën e vitit 1986 ).Të tillë efekti kanë këto bomba me emrin “ të pista”. E gjithë kjo situatë kërcënuese në mënyrën më të pa kundërshtueshme tregon se aktualisht që mbas shpërthimit të luftës së dytë botërore ne shtator të vitit 1939 bota është shumë afër një lufte të tretë botërore. Kërcënimet janë reale , nuk janë thjeshtë përfundime logjike të ideologjisë M – L, por dhe një dukuri prezente, nga ku ai që nuk e shikon nuk është aspak miop, por një qorr i vërtetë, teksa ai që e shikon dhe mbështet një superfuqi për të luftuar tjetrën, nuk bën gjë tjetër veçse direkt apo dhe indirekt është mbështetës i luftës ndër imperialiste.

Po pse lufta imperialiste nuk duhet të mbështetet prej asnjë prej popujve qofshin ata evropianë, amerikanë, sllave, aziatike, arabë, afrikanë e indianë etj ? Sepse imperializmi në kësi rastesh e sidomos në një luftë të tretë do të përdorë si mish për top pikërisht popujt. Historia dhe eksperienca e hidhur e dy luftërave botërore ka treguar se burim i luftës nuk kanë qenë popujt, por politika aneksioniste e fuqive imperialiste. Popujt e Evropës e paguan me gjakun e tyre. Do të duhej lufta e dytë botërore ajo, qënga njera anë shpaloste çmendurinë agresive të imperializmit gjerman dhe aleatëve të tij, por nga ana tjetër dhe që do të shërbente për të ngritur në nivelin që i takon ndërgjegjen e popujve evropiane e aziatikë për ta futur shkaktarin e vërtetë me aleatët e tij brenda strofkës së vet. A nuk është ky një mësim i madh historik? Aktualisht në botë sot ka ende shtete, forca e grupime sikurse dhe individë të veçantë të cilët duke ikur ende me idenë e shtetit të parë socialist të Lenin- Stalinit, nuk e kanë aspak idenë se shteti i parë i lirë i punëtorëve dhe fshatarëve si rezultat i tradhtisë që ju bë gradualisht e humbi natyrën e tij socialiste duke u kthyer dhe shnderruar në një vend kapitalist madje imperialist tejet i rrezikshëm.

Deri para rënies së Gorbaçovit natyra e tij ishte “ social – imperialiste” që do të thotë se BRSS e pa shpërbërë paraqitej në fasadën e jashtme si një vend socialist, por me vepra një vend imperialist. Natyrën e tij “ social-imperialiste” për herë të parë në arenën ndërkombëtare e ka cilësuar dhe denoncuar sh. Enver Hoxha, teksa mbas viteve 89 të shekullit të kaluar me rënien e të ashtuquajturës “Mur i Berlinit” shpërbërja e BRSS la të vetmuar Rusinë federative e cila aktualisht është nën efektin e ideologjisë së Carëve të hershëm të “Balshoj Rassia”(Rusisë së madhe). Tashmë shtrohet pyetja: Në këtë rast lidhur me situatën në Ukrainë çfarë qëndrimi duhet të mbajnë popujt? Mos vallë duhet të përkrahet BE dhe USA në luftë kundër Rusisë? Apo duhet të përkrahet Rusia sepse gjoja do të “çmontojë nazizmin” nga Ukraina? As njëra e as tjetra.

Popujt e gjithë botës, përfshi këtu në radhë të parë popullin rus, në situatën konkrete duhej te ngriheshin në demonstrata të fuqishme në greva e manifestime kundër luftës, sepse kjo luftë nuk i shërben popujve por interesave të oligarkisë ekonomiko – financiare të super fuqive. Popujt nuk fitojnë asgjë nga luftërat botërore, veçse kur ajo shpërthen bëhen dëshmitarë të hemorragjisë së gjakut të tyre. Në situatën kërcënuese e para shpërthyese, ata përsëri janë dëshmitarë, por kësaj radhe vrojtues të vuajtjeve të tyre duke i paguar tentakulat imperialiste, me uljen e nivelit të jetesës si rezultat i krizave, me ngritje çmimesh, me rritjen e shkallës së papunësisë, me ç’vlerësim të monedhave etj etj. A nuk po përjetojnë sot aktualisht popujt jo vetëm të Evropës por dhe shumë vendeve në botës pikërisht efektet e kësaj situate? Ja pse popujt duhet të ngrihen dhe t’i ndalin dorën gjakatare çdo lloj imperializmi apo super potenca qoftë ajo apo ato grupime aleatësh që tentojnë të shpërthejë luftën, qoftë ajo apo dhe grupimet e tjera rreth saj që kërkojnë që në” emër të ndihmës”të ndërhyjnë e për”ta mbrojtur” me qëllim që të sigurojë vet influencën e tyre te gjaku i një kombi që derdhet lumë. Po nëse shpërthen lufta. Me siguri gjithë popujt e botës këtë luftë do ta shndrrojnë pa asnjë mëdyshje në një luftë të madhe për çlirim kombëtar por dhe shoqëror dmth ndofta me një revolucion të madh ndërkombëtar

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …