Paskësh pasur të drejtë, madje shumë të drejtë mësuesja e tetë-vjeçares kur aty nga mezi i viteve 90-të te shekullit të kaluar, i paska thënë Ermalit, ish çunakut të “portokallisë” që shkruante dikur “ditarin” e tij, se ai kurrë nuk kishte për tu bërë njeri. Që Ermali është një klloun i TV, kjo dihet dhe fati më i madh për ne shqiptarët pëlqyes të ekranit, është dhe qëndron te fakti se ngelemi ” gjashtë ditë” pa e parë këtë njeri, i cili ka degjeneruar tërësisht nga ana morale dhe jo vetëm se ka degjeneruar, por me ndyrësirat që ai nxjerr nga goja bëhet dhe i rrezikshëm për infektimin e shoqërisë (madje një pjesë e mirë e shoqërisë sidomos ajo e majes se piramides është akoma më keq se vet Ermali). E them këtë, sepse vet personalisht, ai, nuk e ka tagrin që ta realizojë këtë gjë. Por ja që kushtet ja ka krijuar koha që përjetojmë.
Ata regjizorët e televizionit sikur të krijonin një emison të ri “Sa mirë pa Mamaqin” do të bënin gjënë më e mirë. Do të ishte më mirë, së pari për vet prestigjin e televizionit dhe së dyti për vet ne telespektatorët. Ky karagjoz e llafezan, i cili për fatin e keq është bërë pjesë e pushtetit të katërt të sistemit aktual, më ka bërë shumë përshtypje që hershëmkur e ndiqja në TV, por si duket”adoleshencën” mendore te tij e ka vërejtur me kohë dhe vet regjizori Filip, i cili e ul me forcë në një karrocë kalamajsh duke i dhënë laps e letër për te shkruar “ditarin” e që ai, në të pastajmen duke aktruar me zërin e një burri foshnjarak… e lexon para publikut. Por tashmë Ermali i është bërë bos i madh, është pjekur para kohës( pra ka dalë i papjekur) dhe për ta sfiduar mësuesen e tij të tetëvjeçares, në një video që ai ka publikuar, na mburret me të madhe seai, pra Ermali, na paskish” 9 biznese dhe 200 punëtorë” që do të thotë se mësuesja me të ka gabuar duke i thënë..” se ti Ermal kurrë s’ke për tu bërë njeri”. Ka “gabuar”sepse tashmë ai është bërë “njeri” dhe jo vetëm kaq, por hokatari merr vet përsipër rolin e mësuesit, për tëdhënë leksione për rrugët e pasurimit të njerëzve…. vetëm me llafe pra duke u dhënë këshilla.
Cinizmi dhe mosmirënjohja e tij e pleksur kjo me mangësi të theksuara të edukatës personale e vendos kllounin e “nëntë bizneseve dhe 200 punëtorëve” në pozicionin më vulgarë të djemve rrugaçë sa që t’i drejtohet mësueses së vet me fjalët “ ik…q…u” ! Po sikur videon e Ermalit ta shikonte dhe mësuesja e tij dhe nga inati dhe ajo t’i shpjegonte etimologjinë e mbiemrit të tij se rrjedh nga familje jo dosido por nga familje me emër e “mamaqirëve” do ishte mirë për Ermalin?! Sigurisht që jo! Jo, sepse mësuesja e tij kurrë nuk do të binte në pozita të tilla foshnjarake. Tashmë, duke lenë mënjanë Ermalin, më duhet të nënvizoj se ndaj kësaj videoje ka pasur reagime të forta, reagime këto, ku ndeshet morali me anti – moralin, nderi e dinjiteti, me anti -nderin, vlera me anti -vlerën, njeriu me anti -njeriun, burrëria me foshnjërinë etj..etj. Nuk bëhet fjalë se dikush shau një mësues, apo mësuese për një notë pakaluese, por për një vijë të theksuar të një morali të qelbur që po infekton shoqërinë. Opinione të tilla, nxitin përçmim ndaj një prej figurave më të dashura të vendit tone sikurse është e ngelet figura e mësuesit. Kafshatën e gojës ka hequr shqiptari për të ndritur mendjen e fëmijëve të vet.
Janë ndjekur, helmuar dhe varë mësuesit e shkronjëtoreve shqipe si Negovani e Luarasi; tuberkolozi me libra nën sqetull i gërreu deri në vdekje mushkëritë e Migjenit, sikurse banditët e “Komitetit të Maleve”na vranë mësuesin e Mirditës Ndrec Ndue Gjoken etj..etj për të cilët populli ynë, jo vetëm ka ditur t’i ngrejë ata në piedestal por dhe përulet me respekt ndaj jetës dhe veprës së tyre. Fyerja qe shakaxhiu afarist i “ 9 bizneseve dhe 200 punëtorëve” i bën mësueses së vet është një fyerje për gjithë armatën e mësuesve dritëdhënës, është fyerje gjithashtu për çdo shkollar dhe çdo qytetar të ndershëm që ka nder e dinjitet. Po kush e çoi Ermalin në këtë rrugë? Ky të jetë morali i shqiptarit ? Kur flasim për moralin, duhet të kuptojmë se ky është pjellë e sistemit, paçka se disa gazetarucë për disa thërrime dhe një akullore që u japin gratis na e mburrin duke i thurur himne e ditirambe duke dashur të” na mbushin mendjen” se fenomene te tilla kaq të shëmtuara nuk janë të sistemit, por të natyrës së disa elementëve gjoja të veçantë e që sipas tyre na i paska çdo sistem.
Kjo nuk është aspak e vërtetë ! Nuk është, sepse “ de facto”në këtë rast, te gjithë jemi të sharë të poshtëruar, te vjedhur, te masakruar, të dhunuar e përdhunuar deri në qelizë. Pse mos vallë personazhi i “ 9 bizneseve dhe 200 punëtorëve” ,është i shkëputur nga vulgariteti diskriminues e dhunues që bën vet shteti ? Nuk i kin parë nëpër foltoret e parlamentit se goja e disa deputeteve është me e gjerë se gryka e halesë?! E çfarë nuk kemi dëgjuar ! Aq, sa dhe thjeshtë dinjiteti i të qënurit shqiptar, tashmë është svetënuar aq shumë, sa që është bërë e zakonshme të “ahet turpi me bukë”, sikur të mos ishim njerëz. Shahen, akuzohen, deputetë nga nëna, nga motrat, kërcënohen madje deklarojnë hapur: Dil po ta mbajti! Ka të ftuar në studjo shajnë po ashtu si Ermali, pa e vrarë mendjen se para ekranit kemi nënat motrat femijet niper e mbesa, teksa jo larg tyre, ish Presidenti marroset duke sharë me fjalë nga më të ulëtat, nëpër korridoret e institucioneve më të larta .Të gjitha këto në tersi të përmbledhura përbëjnë moralin sundues. Lakuriqësia e skenës është pikërisht lakuriqësi e sistemit sundues dhe jo pasione të marra të individëve të veçantë.