Aktualisht sot në botë qarkullojnë shumë ide mbi shtetin, ide këto me të cilat politikanët tanë sidomos mbas viteve 90-të, nanurisën popullin, se për të, që prej asaj periudhe e në vazhdim do të “ linde një epokë e re”, epoka e shtetit të së drejtës, nga ku çdo qytetar shqiptar do të ishte i “barabartë para ligjit”. Po në të vërtetë a ndodhi kështu, dhe nëse nuk ndodhi është faji i politikanëve tanë në përgjithësi, apo mos shteti nuk pyet askënd, sepse ngrihet mbi parimet e filozofisë së shoqërisë njerëzore?! Po ç’është në fakt shteti dhe cilat janë kushtet që përcaktojnë natyrën e tij?! Mos vallë për shtetin e të ashtuquajturës “ i të drejtës” vendosën Ramizi, Berisha, Nanua, Meta, Ruçi, e deri te i përsëgjaturi i sotëm i PS – së , Rama ? Nëse do konceptohej se “voluntarizmi”( dëshira me vullnetin e mirë) e tyre na qenkan themeli mbi të cilët ata konceptuan projektuan dhe ndërtuan shtetin do të ishte ide e gabuar. Pse e gabuar ? E gabuar, sepse shteti, në fund të fundit s’është gjë tjetër veçse ajo makineri e madhe e gjigande me një sërë institucionesh që ngrihet në mënyrë të domosdoshme nga një klasë për të shtypur klasën tjetër. Pra shteti, na paska karakter klasor, që do të thotë se bazë e konceptimit, projektimit dhe realizimit të tij nuk janë personat e veçantë të politikës, por interesat e klasës që dominon ekonomikisht. Klasa e re kapitaliste në Shqipëri, deomos që kërkon të sundojë dhe ushtrimin e sundimit të vet ekonomik e realizon duke ngritur institucionet e veta ( nga më të ulëtat e deri më të lartat dhe jo vetëm ministritë por dhe organet e diktaturës së saj) të cilat i sigurojnë bosëve të ekonomisë jetëgjatësinë e shtypjes e të shfrytëzimit. Ja përse politika e sotme është e lidhur tej skajshmërisht me krimin. Por, që të sigurojë vazhdimësinë e shtypjes klasore që i varfëri dhe punëtori te ngelen përherë të skllavëruar ekonomikisht dhe shpirtërisht, borgjezia e madhe e cila i jep tonin të gjithë politikës, nëpërmjet të ashtuquajturave “ zgjedhje të lira”, organizon përveç pushtetit qendror dhe atë publik në rang lokalesh, të cilët dhe këto, janë pjesë dhe hallkë e ushtrimit të pushtetit vendor.
Në fakt shteti kapitalist dhe pse mundohet të retushojë natyrën e tij për të treguar se është mbi klasor dhe “human”duke u maskuar mbas të ashtuquajturës “demokraci” në thelb është e ngelet diktaturë e një klase mbi klasën tjetër dhe si i tillë, ai kuptohet lehtë që është demokraci e gjerë për sunduesit, por ama nga ana tjetër dhe kërbaç i ashpër për te sunduarit. E gjithë historia e shteteve kapitaliste në botë, ka qenë dhe është e tillë, kështu që dhe shteti ynë, nuk nuk mundet të bënte përjashtim. Harku kohor prej pak më tepër se tre dekadave ka afirmuar në mënyrën më të pakundërshtueshme natyrën e shtetit dhe “ humanizmi i tij”, i cili nuk është gjë tjetër veçse fasadë për të mbajtur të nënshtruara masat e gjera të popullit me anën e diktatit. Ithtarët e vërtetë të këtij shteti, janë e ngelen jo vetëm mashtruesit më të mëdhenj, por për fatin e keq me helmin dhe propagandën e tyre kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për vete dhe atë shtresë të shoqërisë e cila ndodhet në pozicionin dhe kushtet e një gjendje të mesme nga pikëpamja ekonomike. Kjo shtresë, luan një rol tejet negativ, sepse aspirojnë për tu pasuruar duke u rreshtuar në lukuninë e madhe të ujqërve të oligarkisë ekonomiko- financiare. Ata zakonisht në periudha relativisht të zhvillimit paqësor dhe rritjes së kurbës së përkohshme të nivelit ekonomik që kalon përkohësisht kapitalizmi, mbajnë anën e sundimtarëve, por dhe kalojnë në anën e proletariatit vetëm në ato raste kur ligji i egër i xhunglës dhe i konkurrencës i shndërron dhe ata në proletarë, pra në të sunduar.
Që të kuptojmë natyrën agresive të shtetit le tu referohemi ngjarjeve historike të mbas viteve 90-të të shekullit të kaluar. A nuk ishte ky shtet i cili për të ruajtur sundimin ekonomik të një grushti njerëzish në pranverën e vitit 1996, përdori dajakun kundër protestuesve të cilëve u ishte vjedhur vota ? A nuk ishte ky shtet që organizoi drejtoi dhe realizoi vjedhjen më të madhe historike të të gjithë kohërave dhe kush e pësoi mos vallë oligarkia e re që sapo ngrihej ? Kush u vra e u sakatua , kush i dërgoi trupat speciale të trevave tona të veriut duke i ndërsyer ata kundër jugut ? Përse shqiptarët i futën në pragun e një lufte civile? Dhuna e ushtruar cilët mbronte mos vallë popullin? Kush i urdhëroi aviatorët tanë të cilët dikur ruanin kufijtë ajrorë dhe sovranitetin e vendit të bombardonin aksin Vlorë- Tepelenë dhe kush kishte interesa për këtë tragjedi të madhe mos vallë populli, apo ata që vodhën popullin?. Organet e drejtësisë së asaj kohe që janë instrumente dhune të shtetit, së bashku me pallatin e kusarëve te drejtësisë nuk dënuan asnjë përveçse disa krerë të firmave piramidale të cilët dhe ata ishin liçensuar po nga shteti duke i konsideruar këto firma si dragonjtë e ekonomisë shqiptare. Por dhuna e ushtruar nuk ka qenë vetëm ajo e dukshmja por dhe e padukshmja , ajo dhunë shpirtërore e cila ushtrohej çdo ditë me thirrjet e tipit naziskin “Komunistët në litar, pensionistët në hanxhar” teksa të parët e shtetit qeshnin dhe zgërdhiheshin përpara katrahurës, tragjedisë dhe hemorragjisë njerëzore që po pësonte atdheu ynë , katrahurë kjo e cila manifestohej me rrëmbimin dhe tjetërsimin e pronave, me shkatërrimin e fabrikave uzinave, plantacioneve, të cilat do tu jepeshin oligarkëve të rinj që vinin nga degjenerimi i ish PPSH – së e cila me ardhjen në krye të R. Alisë dhe bandës së tij e kaluan Shqipërinë në rrugën kapitaliste të prodhimit.
Po ç’bënte shteti në fakt ? Shteti i asaj kohe, përgatiste bandën e togave të zeza në Plepat e Durrësit me shpirt më të zi se pelerinat e tyre, të cilët dhe sot e kësaj dite as që janë kujtuar ndonjëherë për të vendosur para përgjegjësisë ligjore shkaktaret e luftës vëlla vrasëse te vitit 1997, kurrë nuk u kujtuan një herë për të vendosur pranë dritareve me hekurat e kryqëzuar banditët e Gërdecit, asnjëherë e për asnjë moment nuk i ndëshkuan krimet e 21 janarit apo dhe të të zhdukurve pa lenë gjurmë si rasti i R. Hoxhës, apo aferat korruptive të Berishës Metës dhe dallaveret e Ramës duke pelegrinuar e kryqëzuar rrugët ajrore me “Carter” sikur ta kishte pronë të familjes së vet. Ja ky është shteti i kapitalit, shteti i “të drejtës” cili nëpërkëmb qytetarët e vet duke i çuar ata në kufijtë e varfërisë ekstreme, në kufijtë e një hemorragjie të tillë që të rinjtë kërkojnë të ikin një orë e më parë nga atdheu i tyre. Pse a nuk është dhunë që të pasurohet oligarkia drejtuese e shtetit dhe pagat e shqiptarëve e sidomos të pensionistëve janë të vesh kujën ?!Po pse kjo gjendje?
Mos shqiptarët nuk duan atdheun e tyre, apo janë kushtet ekonomiko shoqërore të tilla?
Kështu si e ka nisur ky shtet, nuk do jetë çudi që mbas pak dekadash, te ne, mund të hasësh shqiptarë me pakicë të ndarë në fise nëpër alpet e Shqipërisë dhe pjesa tjetër e mbetur me kope bagëtish në malet e Labërisë . Të jetë kaq i dobët shteti? Jo, ai nuk është aspak i dobët ai është i fortë por jo për zuzarët dhe banditët e politikës, as për afaristët e mëdhenj e mafiozët e çdo lloj kategorie, por shteti në kapitalizëm ngelet dajak i veçantë mbi kurrizin e masave të gjera të popullit e sidomos për klasën e sunduar. Kur krimi shtetëror, kur banditët e veshur me pushtet, kur politika shpreh e mbron interesat e peshkaqenëve të mëdhenj, as që duhet menduar se do godasë kupolën e krimit të organizuar shtetëror. Mos vallë gjykatësit, prokurorët policë e kryepolicë, kryetarë të bashkive, ministra e nënministra drejtorë dhe krye horra do bien në rrjetën e SPAK- ut ?! Absolutisht që jo ! Ka më shumë se 20 vjet që shteti bën ham- ham- ham, por në fakt është Berisha ai që i hakërrohet shtetit si të dojë e kur të dojë. Madje dhe krye horri i krye horrave së afërmi nuk është çudi të kërkojë pushtetin me dhunë demokratike, me dhunë të ashpër..ama të civilizuar ! Ja pra ky është shteti kapitalist! A gjendet ndonjë fukara që po të ketë gabuar…. te mos jetë dënuar nga ligjet e shtetit të së drejtës në emër të humanizmit ? Po dhe ne të tjerët që ndodhemi jashtë qelive të 303-shit, aktualisht ndodhemi në burgun e madh brenda kufijve tanë , ja pse rinia kërkon të marrë arratinë.