(Tregim nga një ngjarje e vërtetë )
Ishte java e parë e tetorit të vitit 1999 dhe ne një grup shokësh nga Shqipëria u nisëm për në Kosovë për të marrë pjesë në përkujtimoren e dëshmorit të atdheut trimit shqiptar të Dardanisë Abedin Rexha, apo sikurse e thërrisnin shokët e tij të luftës me pseudonimin “Sandokan”, i vrarë ky në 8 tetor te vitit 1998, pra një vit më parë. Në autobuzin e vjetër, i cili dhe ai vet mezi merrte frymë ca nga mosha, ca nga pesha dhe po ashtu dhe nga kthesat e shumta dhe maloret e Kukësit, vrejta dhe një person të moshuar rreth të 70-tave.Thinjat e bardha, por dhe të rralla, sikurse dhe struktura e tij e përgjithëshme, nuk më tregonin asgjë të veçantë veç moshës, madje kjo ma shtyu dhe më shumë kureshtjen për këtë njeri enigmatik. Mirë, ne – mendova me vete, po ai ç’kërkon me grupin tonë, në këtë moshë të thyer, teksa e vreja me kujdes pamjen e tij i cili rrinte i heshtur ?! Kur u afruam në kufi në Qafë Morinë, ai u çua në këmbë dhe çuditërisht u gjallërua. Nuk më kish ndodhur kurrë në jetë, që të shikoja gjendje të tillë, pra më saktë një ndryshim kaq befasues të menjëhershëm e që dukej sikur me botën e tij shpirtërore, diçka bashkëbisedonte, “bashkëbisedim “ ky, që zakonisht i hasim në persona të cilët përjetojnë emocione të mëdha. E pyeta shokun tim Hysni Milloshi që e kisha në krah:- Kush është ky plak që nuk e mbaka dot vendi dhe po rri në këmbë duke parë sa në të majtë e në të djathtë.? Me të vërtetë më ka bërë shumë kurioz.
-Pse nuk e njeh ti se kush është ? E ke seriozisht apo po bën shaka me mua?!- ma kthehu Hysniu
– Jo të betohem që nuk e njoh, por nuk e di pse më duket disi, si i veçantë.
– Ai është Tefik Ruci, ka qenë komandant i Korpusit të Shkodrës dhe ajo atje pranë tij është e bija Shpresa e quajnë. Po ke shumë të drejtë ashtu është, sepse në pamjen e tij duket si një ushtrim algjebrik, madje jo me një por me disa të panjohuara, shprehije kjo që detyrimisht kushdo qoftë ai ose ajo ta shton më shumë kërshërinë. E shkëputa për momentin mendimin dhe teksa autobuzi u fut në tokën shqiptare të Dardanisë, që na e patën ndarë shekujt mizorë sëbashku me Evropën që është treguar me ne dhe më mizore ngaqë përherë ka qenë aleate e fqinjëve tanë shovinistë, madje jo vetëm aleate, por edhe pjesëmarrse në ndarjen e territoreve shqiptare. Nuk kisha qenë kurrë në Dardani dhe për më tepër, asnjeherë nuk isha takuar me shqiptarë jashtë trojeve tona, me përjashtim të vetëm një rasti diku aty nga viti 1970, kur unë sëbashku me shokët e mi të grupit bënim praktikën e detarisë në Rjeka të Kroacisë( aso kohe pjesë e Federatës Jugosllave) dhe ku krejt rastësisht hasëm në disa të rinj e të reja të moshës adoleshente që flisnin shqip , një shqipe kjo e ashpër dhe disi e vështirë, hera herës e përzier me fjalë ndofta kroate apo serbe të cilët bënin plazh mbi blloqet kubikë të portit me të njëjtin emër. Isha në dilemë dhe pse një dëshirë e madhe dhe e zjarrtë më shtynte t’i pyesja qoftë edhe kot për së koti : Jeni shqiptarë ?! Fundja shqip do u flisja. Por preferova heshtjen dhe pse ndijeva nje kënaqësi te jashtëzakonshme që dëgjova gjuhën time disa milje detare larg Atdheut tim…Në çast u shkëputa nga këto meditime dhe të gjithë nga brenda xhamave të autobuzit, po shikonim rrënime. Hera herës anashkalonim territore te rrethuara me shirita plastikë që informonin për zona të minuara sikurse dhe varre të shumta të freskëta të dëshmoreve dhe viktimave të asaj lufte. Sapo autobuzi ndaloi dhe filluam te zbritnim dhe me këtë rast unë ju afrova tashmë ish komandantit dhe me një shprehije standarte ushtarake pa ju prezantuar aspak i thashe : – Te uroj shëndet shoku komandant ! Tefiku i kapur në befasi jo nga urimi por nga prezenca ime, sepse ai nuk me njihte, ma ktheu: Njihemi ? Ke qenë ushtar te ne, apo si ?
Jo shoku komandant – i thashë – nuk njihemi personalisht, por unë ju njoh si figurë ushtaraku që kini qenë komandant i korpusit në Shkodër, që kini qenë një ndër ata ushtarakë të lartë të cilët bashke me Bako Dervishin tonë andej nga Vlora, por dhe me disa shokë të tjerë e kini kundërshtuar projektin e artit ushtarak që patën hartuar disa të Ministrisë së Mbrojtjes madje me guxim e patët deklaruar se janë teza disfatiste e armiqsore, në një kohë kur shumica e drejtuesve të MMP që nga B.Balluku etj, kishin përkrahur” teorinë e reshqitjes” dmth që në rast sulmi ne të shkonim nëpër male duke ja lenë terrenin armikut sepse ai pra armiku sipas tyre do sulmonte furishëm dhe kjo në emër “të mbrojtjes së forcave”. Ai për momentin ra mendueshëm, madje po më shikonte me një sy të tillë, gati – gati sikur po më hetonte mendimet, që a e kisha seriozisht, apo mos vallë ironizoja indirekt që hëëë…. po tani ku i ke armiqtë ?!-Mos më fol më për ushtrinë tonë të lutem, sepse ne tani nuk kemi më ushtri – ma ktheu dhe si për të ndërruar bisedë vazhdoi…. e di ti se unë kam qenë partizan dhe kam luftuar këtu në Kosovë? Kam qenë partizan i brigatës së 6- sulmuese partizane. Isha vetëm 17 vjeç nga ku unë bashkë me shokët e tjerë partizanë luftuam për çlirimin e Kosovës dhe kemi shkuar deri në Vishegrad të Bosnjës në ndihmë te lirisë së popujve të tjerë. Komandanti ynë, Enveri, u tregua burrë i mënçur, sepse ende pa u çliruar mirë Shqipëria, ne na u dha urdhëri që të futemi e të luftojmë në Kosovë , një akt ky shumë madhor për t’i treguar botës, por dhe Titos se toka jonë fillon nga Kosova. Nga ana tjetër dhe për t’ja bërë të qartë popullit tonë në këto vise se ne jemi një e të pandarë se vëllai shkon të luftojë në krah të vëllait. Le ta kuptonin të gjithë se ai divizioni famëkeq që formuan gjermanët me “emrin Skenderbej” apo dhe batalioni ndëshkimor “Kosova”, përfaqsonin kolaboracionistet me fashizmin por jo gjithë popullin e Kosovës. Me këtë rast dhe vet populli ynë atje pa me sytë e vet guximin trimerinë besnikerinë ndaj rrugës drejt fitores, kështu që dhe një pjesë e mirë e rinisë kosovare rrëmbyen armët dhe ju bashkangjiten formacioneve partizane duke formuar kështu njësitë e veta luftarake. Formimi i reparteve partizane me të rinj të Kosovës ishte një fitore e madhe dhe për vet Shqipërinë. Ja kështu është e vërteta. Kam ecur zbathur dhe këmbët i mbështillnim me lecka se s’kishim kepucë dhe kemi bërë qindra e qindra km në këmbë në ndjekje të gjermanit. Më vjen të plas nga inati sepse ne aso kohe shkuam ne luftë për të ndihmuar vëllezrit tanë madje dhe popuj të tjerë, këta tanët sot kur ndodhi lufta në Kosovë, porositnin shqiptaret të “ruanin gjakftohtesinë”, “ të mos biem preh e provokacioneve serbe” e ku ta di unë. Po të isha Komandant korpusi para nje apo dy vjetësh do isha futur me gjithë korpusin tim në ndihmë të vëllezërve tanë, dhe jo t’i linim vetëm sikurse i la shteti shqiptar, por janë për tu përgezuar ata djem ushtare dhe oficerë që shkuan vullnetarisht në ndihmë të vellezerve tanë këtu në këtë tokë ku gjendemi sot…dhe ndërkohë u ul të puthte tokën. U ul me lot në sy e puthi dhe hapi krahët si shqiponjë teksa duke e përqafuar e puthur fort e fort teksa i rridhnin lotë prej syrit..e ne e pritnim të çohej, por ai nuk u çua më. Ngeli ashtu i lidhur pazgjidhshmërisht me tokën mëmë ku pat luftuar si partizan…çuditërisht atë ditë kur kish rënë dhe heroi Abedin Rexha, ose “Sandokani” ! Kjo ishte puthja e tij e fundit , puthja e tokës dardane nga partizani Tefik Ruci aty dhe e bija në atë pjesë toke Shqipërie i dha puthjen e lamtumirës babait të vet.