Është shteti ai i cili me të gjitha strukturat e tij duhet të dalë përpara gjyqit, përpara një gjyqi historik të tillë i cili të jetë i pamëshirshëm…po kush mund ta bëjë këtë gjë, kur e gjithë ndërgjegjja kombëtare është goditur aq rëndë, saqë dhe morali në boshtin e vet të koordinatave ka arritur pikën kulmore të kurbës së imoralitetit. Dikush mund të ngrejë supet dhe të habitet, madje të majtët e kupolës që ecin djathtas të shikojnë me habi, teksa të djathtët e vërtetë të kënaqen dhe të më mbështetin duke pohuar se “ ky vend nën drejtimin e Ramës dhe oligarkëve të tij ka degjeneruar dhe se ne demokratët dhe demokratet e vërteta të Berishës një…dy.. tre ,kemi për ta shkulë atë nji sahat e më parë për të mirën e shqiptarëve” .
Ata gabojnë rëndë sepse si topallët e majtë të Ramës që ecin djathtas si kau balash në parmendë, ashtu dhe ëndërrimtarët e piramidave të faraonëve shqiptarë janë dy anët e një medalje, të asaj medaljeje e cila çdo ditë e më shumë tregon pashpirtësinë e sistemit të kapitalit të cilat i vuan me dhimbje i gjithë populli ynë e veçanërisht brezi i ri të rinjtë e të rejat tona. Rinia jonë dikur e mrekullueshme tashmë është vrarë e sakatuar është futur në botën e iluzioneve që jep efekti i narkotikëve si dhe nga shkalla e lartë e papunësisë ajo po kalon një fazë të rëndë tejet të rëndë që shoqërohet me një depresion të madh shpirtëror.
Them dikur e mrekullueshme sepse kishim një rini të shëndetshme, te pastër pa vese, që i jepte gjithë Shqipërisë jetë e gjallëri dhe e mbante Atdheun tonë përherë me gjak të freskët e të ri. Rinia jonë e dikurshme e aksioneve e hekurudhave , kantjereve, fabrikave uzinave e bujqësisë dhe blegtorisë u bë simbol në gjithë rajonin për shkallën e lartë të ndërgjegjes së saj jo vetëm në rritjen e begatisë së Atdheut, por dhe të mbrojtjes së tij. Rini me një harmoni të jashtëzakonshme midis tyre, pa ndasi krahinore që shkelmuan doke e zakone që për një kohë rekor i shndërruan faqen Shqipërisë. Nuk mund të harrohen kollaj nga brezi ynë aksionet e saj në qëndisjen e brezareve në të gjithë bregdetin tonë, apo të shtrirjes së rrjetit të hekurudhave hekurudhave, të rrugës së Malësisë së Madhe e dhjetëra e dhjetëra aksione të cilat shoqëroheshin dhe me shkëmbime të eksperiencave krahinore e që jeta kulturore e artistike e saj ishte për tu admiruar. Po sot ?!..Mos vallë ndryshoi rinia , apo rinia e sotme shqiptare ka lindur e tillë e që në rastin më të parë është e gatshme të futet në rrugën e krimit ?
Nëse do vërenim bilancet e grupmoshave, të rinjtë e sotëm zënë më shumë se gjysmën e gjithë llojeve të kriminalitetit në Shqipëri. Shtrohet pyetja, përse ky fenomen cilat janë shkaqet? Është një fenomen i rastësishëm e kalimtar apo ka rrënjë më të thella? Për të gjykuar me objektivitet këtë fenomen duhet në radhë të parë të kuptojmë se morali i një shoqërie njerëzore, në kushte dhe në një periudhë të caktuar historike, përcaktohet nga marrdhëniet ekonomiko shoqërore. Kjo do të thotë që nëse mardhëniet ekonomike shoqërore janë kapitaliste dhe sundimtare është borgjezia, atëherë, atë gjatë gjithë rrugëkalimit të vet do e bashkëshoqërojë ky moral Po cili është morali i borgjezisë kapitaliste teksa ajo gati po gris membranat e altoparlantëve te propagandës së saj duke folur me të madhe për të drejtat dhe lirinë e njeriut e veçanërisht të të rinjve, për demokracinë, për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe ideve, për të drejtën e zgjedhjes së shkollimit, për të drejtën e zgjedhjes së profesionit apo dhe të punësimit brenda dhe jashtë atdheut ?!
Dhe si është e mundur kjo gjë teksa me ligje e kushtetutë kjo është e sanksionuar? Kjo ndodh sepse dhe vet kushtetuta e vendit tonë nuk është gjë tjetër veçse sintezë e gjithë sistemit aktual, sistem ky i cili ngrihet mbi paligjshmërinë jo vetëm të tjetërsimit dhe marrjes me dhunë të pronës por dhe të shfrytëzimit të egër e barbar që i bëhet njeriut nga njeriu. Ky shfrytëzimi egër e i pashpirt është baza e të gjithë fatkeqësive sepse në themel të saj ka vjedhjen e punës së punëtorit duke e shpërblyer atë me minimumin e mundshëm dhe nga ana tjetër për të rritur sa më shumë fitimet e shfrytëzon duke marrë me të gjitha format e metodat maksimumin e mundshëm. Për sa më sipër në kushtet kur Shqipëria në fillesat e para të trompetimit me të madhe të shtetit të së drejtës dhe inisiativën e lire të punonjësve, me qëllim qe të jepte dhe një imazh pozitiv në popull( kjo sidomos kur u tradhtua dhe sabotua sistemi socialist) filloi marrjen e borxheve neper bankat e Evropës dhe ato botërore të ndryshme, nga ku një pjesë e sipërmarrësve duke marrë dhe fituar tenderat ndanin fitimet midis tyre. Por kjo situatë përherë ka favorizuar partinë që ka qenë në pushtet dhe opozita partiake si kur ishte e majta ashtu dhe e djathta ngrinin zërin në kupë të qiellit duke denoncuar aferat midis tyre asnjëherë nga pozitat se vidhej populli, por nga pozitat se donin pushtetin të vidhnin vet.
Kjo luftë e ashpër brenda llojit implikoi keqas pa përjashtim të gjithë strukturën organizative të shtetit që nga maja e piramidës që kanë qenë kryeministra e Presidente, Kryeprokurore e kryegjykatës. kryehetues e kryepolicë e kryekusarë e kryemaskara deri te një portier spitali të cilit nëse nuk i jepje nje 200 lekësh nuk mund të vizitoje njeriun tënd të afërt pacient. Shkalla e lartë e korrupsionit dhe e vjedhjeve natyrisht që do shoqërohej dhe me shkallë të lartë të forcave të lira punonjëse të aftë për punë, por fatkeqësisht të pa punë. Milionat dhe miliardat e vjedhura nga shteti deomos u bënë pjesë e moralit të shoqërisë. Inisiativa e lirë u zëvendësua me anarkinë në prodhim dhe me paligjshmërinë e prodhimit në të gjitha fushat, madje bashkëpunëtorë në këtë”mega operacion të moralit borgjez” u përfshi e gjithë shoqëria sikurse pjesa e saj më dinamike që është rinia. Ajo sapo del nga bankat e shkollës endet e pashpresë sepse është e pa punë dhe në kushte të tilla asaj i ofrohet me premtime fitimprurëse bota e krimit, botë kjo e cila e ka zanafillën te vet “shteti i së drejtës” që është e ngelet më i padrejti është pikërisht ai që direkt apo indirekt e ka futur rininë tonë në rrugën e krimit.
Përleshja e bandave rivale të krimit që shoqërohet me humbjen e jetëve të të rinjve tanë, vrasjet në pritë për hakmarrje, kërcënimet për rrëmbime, vrasja e oficerëve të policisë, mbjelljet në sipërfaqe të mëdha të bimëve narkotike, sigurimi apo mos marrëveshjet për tregjet e tyre shoqërohen nga ana tjetër me fasadën shumë ngjyrëshe të ekraneve televizive me kofshët e mollaqet jashtë deri te provokimet intime, emisionet me imoralitet të hapur, këngë e muzikë që më shumë anojnë ose nga zhurmat ose nga vajtimet e kanë futur shoqërinë tonë në një amulli dhe në një rrugë pa krye. Kjo në fakt nuk është rruga e rinisë tonë por është shembëlltira më e keqe është de fakto pasqyra e të vërtetës së sistemit aktual damkosur me vulën e turpit të R. Alisë. Berishës, Nanos, Ramës dhe të dreqit të mallkuar që mund të ri vijë më mbas. Janë pikërisht ata, atentatorët më të mëdhenj dhe vrasësit e vërtetë të rinisë së Atdheut tonë.